Zv/ministrja Xhemali: Pronësia industriale stimulon zhvillimin ekonomik, shkencor dhe kulturor
2023-10-22 10:36:42

Foto nga ATSH

Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI), me rastin e 30-vjetorit të krijimit të saj, organizoi në Tiranë një konferencë ndërkombëtare, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) dhe Zyrën Evropiane të Patentave (EPO).

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Adela Xhemali, deklaroi se përmes pronësisë intelektuale synohet të stimulohet zhvillimi ekonomik, shkencor dhe kulturor, citon “ATSH”.

Sipas saj, kjo ndikon në funksionimin e përshtatshëm të tregut të brendshëm, duke vendosur ekuilibrin e duhur ndërmjet të drejtave dhe interesave të përdoruesve, si dhe duke forcuar sistemin e regjistrimit të objekteve.

“Vlerësojmë maksimalisht bashkëpunimin me organizatat partnere që kanë një rol shumë të rëndësishëm në rrugëtimin drejt standardeve europiane. Ndër vite, fusha e pronësisë industriale ka pësuar ndryshime rrënjësore, duke ndikuar në rritjen e avantazheve konkurruese, mbrojtjen e biznesit, zgjerimin drejt tregjeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe si rrjedhim edhe në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto”,- tha zëvendësministrja Xhemali.

Gjatë viteve të fundit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale kanë rritur ndërgjegjësimin dhe informimin mbi rëndësinë e zhvillimit të kësaj fushe, duke bërë që të arrihen rezultate pozitive.

Në 5 vitet e fundit, aplikimet për marka tregtare janë rritur me 28%, aplikimet për patenta me 52% dhe aplikimet për dizajn industrial me 140%.

Nga 6184 aplikime për marka në 5-vjeçarin e fundit, 35% janë realizuar nga gratë sipërmarrëse. (Irma)