Ecuria e zhvillimit të rinisë, ministrja Muzhaqi: Shqipëria, ndër vendet me progresin më të lartë
2023-10-22 13:05:31

Foto nga ATSH

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, mori pjesë në eventin e prezantimit të Indeksit të Progresit Rinor, përgatitur nga Forumi Rinor Evropian, për evidentimin e ecurisë së zhvillimit të rinisë në më shumë se 150 shtete.

Ministrja Muzhaqi vlerësoi arritjet e vendit për ecurinë në fushën e rinisë të paraqitur nga Indeksi i Progresit Rinor 2023, përgatitur nga “European Youth Forum”. Sipas saj, Shqipëria u vlerësua me 74.3 pikë, nga 100 në total, duke u bërë një nga tre vendet me progresin më të lartë në botë në 12 vitet e fundit, bën të ditur “ATSH”. Shqipëria që prej vitit 2011 është ngjitur me 8 pozicione në rankimin botëror për 150+ shtete.

Sipas ministres, Shqipëria vlerësohet pozitivisht për fuqizimin e të rinjve, ofrimin e shërbimeve me standarde të larta dhe mundësive që krijohen ditë pas dite për të rinjtë në përputhje me kërkesat e tyre dhe tregun e punës.

Në raportin e Indeksit të Progresit Rinor evidentohet se teksa progresi i rinisë në Evropë ka ngrirë, Shqipëria është ka arritur progresin më të lartë në 12 vitet e fundit, që prej 2011 ku renditej e 68, nga mbi 150 shtete.

Për sa i përket financimit të projekteve rinore dhe aktiviteteve të ndryshme për fuqizimin e të rinjve, ministrja Muzhaqi shtoi se një tjetër nismë është rritja e transparencës dhe efikasitetit të Agjencisë Kombëtare të Rinisë.

Ajo theksoi se nga janari 2023 është vënë në zbatim Programi Jashtë Orarit Mësimor në Shqipëri, që ka përfshirë rreth 10.000 të rinj që janë regjistruar falas në art, artizanat, teknologji, mjedis, bujqësi dhe fuqizim përmes vetëmbrojtjes.

“Këto kurse u ofrohen atyre falas për të siguruar një gjithpërfshirje më të mirë për të rinjtë, përfshirë dhe grupet vulnerabël, duke u krijuar mundësi të përqendrohen në zhvillimin e talenteve të tyre”, tha ministrja Muzhaqi. (Irma)