Çelet në Tiranë ekspozita dedikuar grave
2023-10-22 14:23:59

Foto nga ATSH

Në Galerinë e Artit në Tiranë u çel ekspozita “Gruaja Horizont”, ku paraqiten gratë e sotme përballë tablove ikonike.

“Pozicionimi i gruas sipas periudhave historike, do të na bëjë të reflektojmë rreth zhvillimit të saj, së bashku me dritëhijet dhe reflektimit se ç’mund të bëhet më mirë në të ardhmen”,- deklaroi kuratorja e ekspozitës Jetona Koçibelli, përcjell “RTSH”.

Ekspozita, e cila është mbështetur nga Bashkia e Tiranës, ka si protagoniste Zhaklin Lekatari, Valentina Leskaj, Rita Petro, Mimoza Ahmeti, Anila Hoxha, Arlinda Dudaj, Luiza Gega, Irma Libohova, Nevila Nika e shumë gra të tjera.

Në 40 fotografi shpaloset transformimi, por edhe rëndësia e grave dhe kontributi i tyre në shoqëri.

Ajo që e bën të veçantë ekspozitën është dualiteti i dy epokave që shkrihen plotësisht në njëra-tjetrën, gra të sotme duke mbajtur në dorë fotot me të spikatura të pikturave kushtuar figurës së gruas në një kohë të mëparshme. (Irma)