Ministrja Denaj: Nxitje e prodhimit me standarde të vajit të ullirit
2023-10-22 14:34:18

Foto nga ATSH

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi në konferencën “Ulliri dhe cilësia e vajit të ullirit në Shqipëri”, organizuar në kuadër të Panairit Ndërkombëtar “Agrotech Expo 2023”, se eksporti i vajit të ullirit shkoi nga 159 tonë në vitin 2021, në 360 tonë në vitin 2022, ndërsa ritmet e deritanishme tregojnë se vijon trendi rritës edhe këtë vit.

Lidhur me nevojën e përmbushjes së standardeve që kërkon sot tregu për tregtimin e vajit të ullirit, ministrja tha se objektivi është që në dy-tre vitet e ardhshme nuk duhet të ketë më bidonë vaji.

“Ky është një objektiv që na angazhon të gjithëve që bidonin ta zëvendësojmë me një ambalazhim, i cili e ruan cilësinë e vajit. Kjo cilësi prevalon pastaj në treg dhe mbi të gjitha, e shet me vlerë. Kjo është pasuria jonë kombëtare. Ne duhet t’i punojmë të gjitha këto rrënjë ulliri, t’i konsiderojmë si pasuri kombëtare që nuk mund të pritet, por duhet të punohet me përkushtim”, u shpreh Denaj.

Ajo inkurajoi bujqit të rrisin kultivimin e ullirit dhe të mendojnë se si ta rrisin vlerën e tij në treg. (Irma)