Ministria e Ekonomisë: Të ardhurat shënuan rritje me 12% krahasuar me 2022-shin
2023-10-22 13:26:05

Foto nga VCG

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, bëri të ditur se ekonomia po vijon ecurinë pozitive dhe se të ardhurat janë 51 miliardë lekë më të larta, ose 12% më shumë, krahasuar me 9-mujorin e vitit 2022.

Sipas ministrit, cituar nga “RTSH”, të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit gjatë 9-mujorit të këtij viti rezultojnë në 477.25 miliardë lekë.

Raporti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbi treguesit paraprak tregon se të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 44.9 miliardë lekë, 11 miliardë lekë, ose 32.4% më shumë se 9-mujori 2022, si dhe 9.4 miliardë lekë ose 26.5% më shumë se plani i 9-mujorit 2023 për Tatimin mbi Fitimin.

Sipas raportit, shpenzimet e përgjithshme publike në periudhën janar-shtator arritën në rreth 425.65 miliardë lekë, me një realizim në 92.2% të planit të së njëjtës periudhë.

Krahasuar me vitin 2022 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 3.8% më të larta, ose rreth 15.7 miliardë lekë më shumë.

Niveli i suficitit për këtë periudhë rezultoi në rreth 51.6 miliardë lekë nga rreth 8.5 miliardë lekë suficit i planifikuar. (Irma)