Ministrja Denaj: Fond shtesë për zhvillimin e bujqësisë
2023-10-21 14:39:41

Foto nga RTSH

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se do të ketë një fond shtesë prej 1.8 miliardë lekësh për të gjithë aplikuesit e skemës kombëtare të naftës dhe të blegtorisë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, cituar nga “RTSH”, ministrja Denaj shkruan se kjo shtesë shpreh edhe një herë angazhimin e qeverisë për zhvillimin e bujqësisë.

“Bashkë me kolegët filluam menjëherë punën për të vënë në zbatim vendimin e qeverisë për mbështetjen e të gjithë aplikuesve në skemën kombëtare të naftës dhe të blegtorisë. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor (AREB) janë në punë intensive së bashku me fermerët dhe pushtetin vendor për ta realizuar këtë proces brenda vitit”,- shkruan ministrja Denaj.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, janë bërë ndryshime në buxhetin e vitit 2023, duke rritur me 7.5 miliardë lekë planin e të ardhurave të parashikuara. Në njoftim thuhet se do të alokohen rreth 1.8 miliardë lekë për skemën e naftës dhe skemat e mbështetjes së fermerëve, për të cilat Ministria e Bujqësisë do të sigurohet për disbursimin e tyre deri në fund të vitit. (Irma)