"Çfarë ka qenë Tirona", libri i gazetares së njohur Rezarta Delisula
2023-10-10 09:44:33

Libri me titull “Çfarë ka qenë Tirona” me autore  Rezarta  Delisula rrëfen copëza historie që zhvilloheshin në Tiranën e viteve 1800. “Ky libër është një botim dokumentar për historinë e Tiranës, me dokumente që dalin nga arkivat osmane për herë të parë e që kanë vlerë të padiskutueshme në historinë e kryeqytetit”, shprehet Delisula në parathënien e librit.

Në librin me 452 faqe, Delisula përcjell, kontributin e popullsisë tironse në ndërtimin e institucioneve arsimore, si dhe detaje e kuriozitete të panjohura më parë mbi funksionimin e qytetit dhe qytetarëve.

Rezarta Delisula dhe botimi i saj ( foto living)

Rezarta Delisula dhe botimi i saj ( foto living)

CMG: Rezarta, çfarë përmban libri “Çfarë ka qenë Tirona”?

Rezart Delisula: Ky është një libër i përgjithshëm ku mësohet historia e kryeqytetit dhe të gjithë ne duhet ta dimë historinë e kryeqytetit, ne jetojmë këtu dhe duhet të ndihemi krenarë sepse përmes dokumentave Tirana del si një qytet zemërgjerë, një qytet me ambicie për të ndërtuar rrugë, shkolla dhe ura me fonde të banorëve të Tiranës. Një qytet që ka dhënë shembullin në gjithë Shqipërinë për marrëdhënien fetare për miqësinë mes feve dhe respektin  ndaj feve te ndryshme dhe kjo duhet lexuar nga të gjithë. Pastaj të gjitha dokumentat meqë vijnë në mënyrë të paprekur mund të studiohen fare mirë nga studiuesit dhe historianët dhe mund të hapen tema diskutimi ose mund të jetë pikënisje për një studim ose libër tjetër, sepse dokumenetet janë unike dhe kanë shumë vlera për historinë shqiptare.

Promovimi i librit ( foto atsh)

Promovimi i librit ( foto atsh)

CMG:Libri tashmë është edhe në anglisht  edhe në biblioteka të huaja, si ndiheni ju si botuese për këtë ?

Rezart Delisula:  Ky libër dokumentar është tashmë në dy gjuhë, ka dokumenta që vijnë për herë të parë për lexuesin, është një punë kolosale e jona. Libri që në fillim u bë në shqip dhe në anglisht për t’i dhënë mundësi të rinjve dhe fëmijëve jashtë Shqipërisë për të mësuar mbi origjinën e tyre. Tashmë, prej disa ditësh libri ndodhet tek disa bibliotekat më në zë të SHBA-së. E kishin kërkuar këtë libër të ishte atje sepse ju jep mundësi emigrantëve të njohin vendin përmes dokumenteve.

Rezarta Delisula ( foto atsh)

Rezarta Delisula ( foto atsh)

CMG: A është kjo një nga arritjet më të mëdha që ju keni në karrierë?

Rezart Delisula: Patjetër që po, pasi libri më hapi dhe shumë mundësi të reja akademike sepse kishte një tjetër qëllim final. Qëllimi im ishte ta përcillja këtë ndër breza dha ja dola që ta bëja, ndaj dhe mora si shpërblim një karrierë të sukseshme edhe në këtë aspekt, por nuk është hapi im i fundit. Unë mezi pres që t’i zbuloj vetes labirinte të reja.

CMG: Për çfarë arsye do t’ua sugjeroje lexuesve librin?

Rezart Delisula: Më kryesorja është se hedh dritë mbi ngjarje të pa treguara më parë. Libri është i përmbledhur në disa kapituj dhe secili kapitull ka fokuse të ndryshme. Libri është tërheqës dhe interesant,  nuk flet vetëm për historinë e Tiranës por  të  Shqipërisë në tërësi. Ka në fokus sistemin e drejtësisë dhe shumë fokuse të tjera për të cilat cilido mund të ndalet me vëmendje për t’i parë.

CMG: Çfarë është për ju Tirana?

Rezart Delisula: Tirana është vendi im, vend i djalit tim. Unë kam shpirtin e lidhur këtu, jam rritur këtu, marr frymë dhe e dua shumë këtë qytet. Gjithë njohuritë e mia unë këtij qyteti do t’ia dedikoj. Së fundmi edhe si drejtoreshë e Muzeut Etnografik të Tiranës, jam lidhur edhe më tepër me qytetit sepse dua t’i jap vëmendjen që meriton ky qytet i bukur.

Rezarta Delisula ( foto facebook)

Rezarta Delisula ( foto facebook)

CMG: Cila ka qenë arsyeja kryesore për ta shkruar këtë libër?

Rezart Delisula: Kanë qenë disa persona që më kanë shtyrë për ta nxjerrë këtë libër në treg, historiania Nevila Nika, më ka hedhur indicien e parë për të nxjerrë më shumë informacione nga arkiva. Kështu nis dhe menjëherë pas pandemisë unë nisa punën kërimore.

CMG: Kush e ka lexuar si fillim librin tuaj?

Rezart Delisula: Ka qenë babai im, ai ka qenë udhëtari i jetës sime. Ai sot është mbi 80-vjeç dhe di çdo gjë për Tiranën, ndaj më ka dhënë edhe ai tepër informacione. Por, gjithashtu më ka nxitur të shkruaj për Tiranën.

Unë do doja që edhe librin tjetër që kam dëshirë të nxjerr ta lëxoje i pari babai im.

Rezarta Delisula ( foto tv klan)

Rezarta Delisula ( foto tv klan)

CMG: Ju keni thënë se në libër ka 100 dokumenta fakte për Tiranën apo jo?

Rezarta Delisula: Unë u mjaftova me 100 dokumenta fakte për Tiranën. Kam pasur kontakte me shumë tiranas,  që janë interesuar për mbiemrat sepse unë disponoj një regjistër tjetër popullsie, por momentalisht nuk kam fonde për ta përkthyer dhe për të punuar mbi të, kështu që mund t’i lihet një të ardhmeje.

CMG: Aktualisht me çfarë po merreni?

Rezarta Delisula:   Unë nuk rresht së dhëni për Tiranën, tani po merrem me Muzeun Etnografik dhe shpresoj që të vijoj të kem frymëzimin për librin e ri.

Intervistoi  Megi Latifi