Kina zbulon depërtimin nga ShBA-ja në serverat e "Huawei"-t që më 2009
2023-09-21 11:40:06

Foto nga VCG

Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) e ShBA-së ka depërtuar në serverat e kompanisë kineze të teknologjisë "Huawei" që nga viti 2009, tha të mërkurën Ministria e Sigurisë Shtetërore (MSSh) e Kinës.

Zyra e Operacioneve të Qasjes së Personalizuar (TAO), degë e NSA-së, filloi të mësyjë serverat në selinë e "Huawei"-t më 2009 dhe ka kryer mbikqyrje të vazhdueshme, bëri të ditur MSSh-ja në një artikull botuar në platformën e medias sociale "WeChat".

Ministria zbuloi metodat e shumëfishta të ShBA-së për mbikëqyrjen dhe vjedhjen e të dhënave nga vende të tjera disa ditë pasi programi kompjuterik amerikan i spiunimit, "SecondDate", u identifikua në sulmet kibernetike kundër Universitetit Politeknik Veriperëndimor të Kinës.

Si një armë e spiunazhit kibernetik, "SecondDate" ka funksionuar fshehurazi në mijëra pajisje rrjeti në shumë vende anembanë botës, njoftoi më 14 shtator Qendra Kombëtare e Reagimit Emergjent ndaj Viruseve Kompjuterike e Kinës.

TAO ka kryer dhjetëra mijë sulme kibernetike mbi objektivat e rrjetit të Kinës, ka kontrolluar dhjetëra mijë pajisje rrjeti dhe ka vjedhur një sasi të madhe të dhënash me vlerë të lartë, tha MSSh-ja.

Sipas saj, rastet e sulmeve kibernetike dhe të vjedhjeve të sekreteve të kryera nga ShBA-ja kanë treguar taktikat e "Perandorisë së piraterisë kompjuterike" për ruajtjen e "hegjemonisë kibernetike" .

Sulmet kibernetike në shkallë të gjerë të kryera nga agjencitë amerikane të zbulimit nuk mund të arriheshin pa përdorimin e armëve të ndryshme kibernetike, të tilla si "Bvp4", "Quantum", "FoxAcid" dhe "Hive", të zbuluara nga Kina që nga viti i kaluar.

Me këto armë dhe pajisje, ShBA-ja ka kryer sulme kibernetike dhe operacione spiunazhi gjatë dhjetëra vjetëve kundër 45 vendeve dhe rajoneve anembanë botës, duke përfshirë Kinën dhe Rusinë, përfshirë telekomunikacionin, kërkimet shkencore, ekonominë, energjinë, ushtrinë dhe fusha të tjera thelbësore.