Fukushima, zgjidhja më e mirë, mbrojtja e njeriut dhe mjedisit
2023-09-15 14:48:55

Për herë të parë në historinë e përdorimit paqësor të energjisë atomike nga njeriu, ka ndodhur që  të  lëshohen në det me qëllim ujërat e ndotura gjatë një aksidenti në një central bërthamor. Ky është rasti i vendimit të qeverisë japoneze për lëshimin në oqeanin Paqësor të ujit të ndotur nga termocentrari i Fukushimës. Lëshimi i të gjithë ujit të kontaminuar pritet të marrë dekada pas fillimit të tij. Ekspertët parashikojnë që lëshimi i ujërave të ndotura do të zgjatë për 30-50 vjet. Studimet përkatëse tregojnë se këto ujëra do të mbërrijnë në bregdetin e Amerikës së Veriut në nëntor 2026, do të përhapen në Oqeanin Indian në shkurt 2030 dhe do ta përfshijnë tërë Paqësorin pas dhjetëve vjetëve. Kjo ngjarje nuk ka të bëjë vetëm me mjedisin, por ndikon edhe në sigurinë ushqimore, bizneset e prodhimeve të detit në Japoni

CMG: Nga 24 gushti  Japonia  po shkarkon më shumë se 1 milionë ton të ujërave të ndotur me mbetje radioaktive në det. Ky proces pritet të zgjasë disa dekada. Duke qenë hera e parë në historinë e përdorimit paqësor të energjisë atomike nga njeriu që lëshohen në det ujërat e ndotura radioaktive, a ishte i pritshëm reagimi kundër brenda dhe jashtë Japonisë?

Marjana Doda:Plani i diskutueshëm i Fukushimës për të shkarkuar ujrat e ndotur radioaktivë në Oqeanin Paqësor ngjalli ankth, shqetësim brenda dhe jashtë Japonisë, në rajonin e Paqësorit dhe në mbarë botën. Kjo erdhi si pasojë e cunamit të vitit 2011 dhe tashmë janë rreth 1 milion ton ujra të ndotura, të cilat që nga data e lëshimit 24 gushti presupozohet që të zgjasë prej 3 dekadash. Janë shumë vite, por duke marrë parasysh vëllimin e ujrave të ndotura dhe kohëzgjatjen e lëshimit të këtyre ujrave ngjall shumë shqetësim për sa i përket ndotjes mjedisore, por dhe të shëndetit të njeriut.

Pati një lëshim nga Agjencia Ndërkombëtare Atomike, mbikëqyrësi bërthamor në OKB, e cila i dha dritën jeshile Japonisë për lëshimin e këtyre ujrave të ndotura, por duhet thënë se ky vendim ka shkelur të gjitha konventat për sa i përket mbrojtjes së mjedisit detar. Nga ana tjetër vendimi shpërfill provat shkencore të deritanishme dhe nuk është e sigurtë nëse ishte vendimi i duhur për t’u marrë tani për shkarkimin e ujrave të ndotura.

Janë bërë disa konventa për mbrojtjen e detit dhe kryesisht për mbrojtjen e Oqeanit Paqësor, siç është Konventa e vitit 1958, e cila ndalon hedhjen e ujrave radioaktive në Oqeanin Paqësor, po ashtu dhe Protokolli i Londrës i vitit 1996. Pra duket se Japonia i ka shkelur këto konventa kaq të rëndësishme dhe ndoshta për këtë pati një shqetësim ndërkombëtar për këtë rast.

CMG: Kanë kaluar 12 vjet që nga aksidenti i Fukushimës, por derdhja e ujit të kontaminuar në oqean ndodh për here të pare në historinë e njerëzimit. Ndoshta pas 50 apo 100 vjetësh shkenca do të tregojë që nuk ka patur ndikim në jetën e njerëzve dhe të gjallesave ujore, por nuk ka një garanci definitive për këtë. Kemi të bëjmë me një argument shumë të ndjeshëm sepse bëhet fjalë për jetën e njerëzve dhe të gjallesave.

Marjana Doda: Është e vërtetë. Ndoshta në këto momente për shkak të rrethanave gjeopolitike, duket sikur “po mbyllin një sy” përballë vendimit të Japonisë.

CMG: U mor vendimi nga qeveria japoneze pasi Agjencia e Energjisë Atomike i dha dritën jeshile për të derdhur normalisht ujin e ndotur në oqean dhe ndërkonë BE hoqi embargon ndaj prodhimeve të detit që importonte nga Japonia. Por ndaj vendimit të Japonisë kanë reaguar vendet fqinje, Kina, Rajonet e posaçme administrative të Hong-Kongut dhe Makaos si dhe Korea e Jugut dhe ajo e Veriut. Ato kanë ndaluar importin e produkteve ushqimore, përfshirë ushqimet e detit, nga Fukushima.  Cilat pritet të jenë pasojat për ekonominë dhe turizmin e Japonisë ?

Marjana Doda: Sigurisht që pritet të ketë pasoja. Fillimisht do të doja të theksoja që Japonia mbi të gjitha ka përgjegjësi mjedisore, por mbi të gjitha mbi shëndetin e njeriut. Kam ndjekur që në fillim të këtij viti takimet dhe konferencat lidhur me lëshimin e ujit të ndotur në oqean dhe kisha një lloj pritshmërie sa i përket takimit të G7 në maj të këtij viti dhe aty ishte momenti që duhet të flitej më shumë dhe të shiheshin të gjitha provat shkencore dhe garanci sa i përket shëndetit të njeriut, por dhe sigurisë ushqimore, por ky moment u la në heshtje.

Ky do të jetë një proces i gjatë që do të marrë 3 dekada, por nuk e di nëse do të vijojë heshtja lidhur me këtë ngjarje dhe dyshoj shumë për këtë. Megjithatë impakti në turizëm dhe në marrëdhëniet bilaterale tregtare ndërmjet vendeve fqinje është i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm. Për këtë Kina ka bërë një hap mbrapa në shkëmbimet tregtare me Japoninë, duke qenë tregu më i madh i prodhimeve të detit japoneze, duke u bërë një nga shtyllat kryesore ekonomike të këtij vendi. Impakti negativ është jo vetëm brenda Japonisë, por dhe ndaj vendeve fqinje të saj.

Ndoshta vendet e tjera e shohin këtë ngjarje si lokale, por kur flasim për mjedisin detar janë të prekur të gjithë. Shpresoj që gjatë 30 viteve të procesit të derdhjes së ujit të ndotur të ndryshojë ky vendim, sepse interesat ndërkombëtare nuk duhet ta lejojnë që të preket shëndeti ynë.

CMG: Le të shpresojmë për këtë edhe duke u mbështetur tek inovacioni dhe teknologjia, ku Japonia është një vend i zhvilluar. Ndoshta përparimi i shkencës në këto situata mund të garantojë publikun e gjerë se nuk ka rreziqe, por është e drejtë e njerëzve që në situate të tilla të ndjehen të rrezikuar.

Marjana Doda: Po lexoja se një nga linjat e restoranteve më të njohura në Japoni ka deklaruar se gjysma e tyre mund të mbyllen në 6 muajt e ardhshëm. Prandaj do të jetë një impakt i madh në ekonominë e tyre. Nuk e di nëse Japonia do të ndryshojë këtë vendim, por ajo i qëndron fort idesë se nuk ka alternative, përpos shkarkimit të ujrave të ndotur në oqean. Me gjithë teknologjinë dhe inovacionin që Japonia e ka tashmë, ndoshta mund të zhvillojë mekanizma të reja dhe do të duhet të punojë më shumë për gjetjen e një alternative të ndryshme, lidhur me trajtimin e ujrave që derdhen në mjedisin detar.

CMG: Kjo është një ngjarje që po ndodh për here të pare në historinë e njerëzimit, pas shpërthimit të termocentralit të Fukushimës si pasojë e tërmetit dhe cunamit të kombinuar 12 vjet më pare. Kjo ngjarje është unike dhe të gjitha elementet që e pasojnë janë të tillë. Nga ana tjetër, në botë ka termocentrale bërthamore në shumë vende të botës dhe me krizën e energjisë elektrike, këto termocentrale edhe mund të shtohen. Po sikur një ngjarje e tillë e rëndë të ndodhë në një rast tjetër? A po krijohet një precedent dhe a nevojiten strategji për këtë?

Marjana Doda: Bota nuk do të mund të ecte më tej pa energjinë bërthamore, por ndërkombëtarët duhet të vendosin në një peshore se cila ka më shumë vlerë për shëndetin e njeriut. Si kurrë më pare ne ndodhemi në një emergjencë mjedisore, fenomenet natyrore si tërmetet apo cunamet, por është dhe fenomeni njerëzor që nuk duhet të përkeqësojë natyrën.Vendimi i Japonisë bie ndesh me të gjitha hapat e ndërmarrë deri tani. Kemi konferencën e ardhëshme në nëntor  për  klimën dhe jam kureshtare të di nëse do të flitet për këtë vendim të Japonisë. Oqeani është një trashëgimi e përbashkët e njerëzimit dhe konventat ndërkombëtare e mbrojnë atë, por vendimi i 24 gushtit duket se e ka shkelur atë. Besoj se mund të gjenden alternativa që mbrojnë jetën e njeriut.


Intervistoi Eda Merepeza