Neta Doko: Kostumi popullor të përfaqëson si pasaporta
2023-09-09 19:20:41

Neta Doko gjate xhirimeve te nje videoklipi (Foto personale)

Neta Doko gjate xhirimeve te nje videoklipi (Foto personale)

Neta Doko është këngëtare e muzikës popullore tradicionale të trevës së Skraparit, por  gjatë karrierë së saj muzikore ka interpretuar dhe këngë të trevave të tjera të jugut. Ajo ka realizuar mjaft këngë, kolazhe popullore si dhe duete, duke u pritur mirë nga artëdashësit. Neta është fanatike e ruajtjes së vlerave tradicionale të muzikës popullore dhe është përpjekur që këtë ta transmetojë dhe tek brezi i ri. Në një intervistë për  Radio Ejani tregon për fillimet e saj muzikore, aktivitetet ku ka marrë pjesë si dhe projektet artistike.

Neta Doko ne interviste per CMG

Neta Doko ne interviste per CMG

CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja me muzikën popullore tradicionale?

Neta Doko: Rrënjët janë ato që tregojnë se nga vjen dhe si të gjithë ata që merren me muzikë edhe unë kam rrënjët e mia, në vendlindjen time në Skrapar. Unë jam ngjitur në skenë në moshën 10 vjeçare, më një debutim të thejeshtë por që gjithësesi mbetet sepse është i pari. Interpretimi im i parë në skenë ka qenë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, në  konkurimet që bëheshin në vitin 1983. Unë isha vetëm 10 vjeçe dhe si një fëmijë I vogël dhe i lumtur kam kënduar në skenën e qytetit tim. Këto kanë qenë fillimet e mia me muzikën popullore.

CMG: Keni debutuar në skenë me këngë polifonike?

Neta Doko: Ishte këngë polifonike për festivalin folklorik. Ishte një këngë për fëmijë, por në atë kohë edhe fëmijëve u jepej mundësia të shkonin në Festivalin e Gjirokastrës dhe të promovonin këngën.

CMG: Ju e keni të trashëguar këngën nga pjesëtarë të tjerë të familjes suaj?

Neta Doko: Sigurisht që po, babai im i ndjerë e ka kënduar jashtëzakonisht bukur këngën folklorike të Skraparit. Zëri i tij deri në ditën e fundit kumbonte si perlë, dhe unë e kam të trashëguar nga ai. Ndjehem shumë e lumtur që jam pasardhëse në trashëgiminë e muzikës prej tij. Ndjej keqardhje që fëmijët e mi nuk duan të ecin në gjurmët e mia sepse kanë të tjera shije, por do të kisha shumë dëshirë që si unë që e trashëgova nga babai, ta trashëgonin dhe ata nga unë për ta transmetuar më tej.

Neta Doko me grupin e Skraparit (Foto personale)

CMG: Ka pasur të tjerë nga fisi juaj që e kanë ndjekur rrugën e këngës?

Neta Doko: Ne jemi familje e madhe, babai im kishte një vëlla dhe një motër të cilët kishin secili nga shtatë fëmijë dhe pothuajse të gjithë kendo.nim, sidomos fëmijët e xhaxhait dhe ne këndojmë shumë në gëzimet familjare, Vajza e xhaxhait tim Dashuri Hysaj është këngëtare si unë dhe ne e transmetojmë më tej, duke e trashëguar këtë traditë. Ka dhe të tjerë që e këndojnë, por ne e kemi bërë për të gjithë publikun, jo thjesht në familje.

CMG: Me vajzën e xhaxhait tuaj Dashuri Hysaj keni realizuar disa duete bashkë.

Neta Doko: Ne e kemi nisur bashkë karrierën, në fillim me këngën polifonike dhe pastaj vazhduam edhe me këngë të muzikuara sepse  koha na e imponoi një gjë të tillë për t’u futur në tregun muzikor, por nga baza nuk lëvizim.

CMG: Cila është veçantia e këngëve polifonike të Skraparit nga trevat e tjera që kultivojnë polifoninë?

Neta Doko: Çdo zonë ka veçantinë dhe përfaqësimin e vet,  por zona jonë e Skraparit i ka paksa ndryshe, por ka të veçantën e vet. Ne kemi marrës, pritës dhe ison që është e domosdoshme sepse ajo i jep vlerën e vërtetë këngës. Pavarësisht sa bukur mund ta këndosh këngën, nëse nuk ke dhe ison e bukur mbrapa nuk quhet më këngë e Skraparit. Kjo është e veçanta tek kënga e Skraparit dhe ndoshta polifonitë e zonave të tjera kanë iso dhe zëra të tjerë, kurse zona e Skraparit ka vetëm marrës, pritës dhe iso.

Neta Doko duke kenduar (Foto personale)

Neta Doko duke kenduar (Foto personale)

CMG: Gjatë karrierës muzikore keni sjellë mjaft këngë për publikun të publikuara dhe në kanalin YouTube. Këto materiale muzikore janë të bazuara në këngë të vjetra polifonike apo keni dhe krijimtari të re popullore?

Neta Doko: Pjesa më e madhe e këngëve e kanë bazën nga polifonia, të marra nga këngët e popullit që janë kënduar ndër breza dhe përshtatur, por kam dhe krijime të reja. Unë kam realizuar disa këngë të reja, nuk kam bërë shumë por gjithësesi ato pak që kam bërë besoj se janë të pëlqyera nga publiku. Kam bërë bashkëpunim me Genci Malaj, të cilin e falenderoj sepse është një orkestrues shumë i talentuar. Gjithashtu kam bashkëpunuar me Agim Xhemalin, edhe ky një orkestrues shumë i mirë dhe i talentuar. Kam realizuar disa këngë dhe me Edlir Begollin, dhe së fundi kam bërë një bashkëpunim me Festim Kovaçin, të cilin e falenderoj sepse është djalë i talentuar. Pjesa tjetër e këngëve i përket polifonisë.

CMG: Kush i ka shkruar tekstet e këngëve tuaja të reja?

Neta Doko: Për tekstet e këngëve kam bashkëpunuar me poetin e madh, të ndjerin Arben Duka, ku kam dy tekste të bukura, një tekst ma ka bërë Ymer Nurka të cilin e përshëndes, dhe pastaj pjesën tjetër të këngëve i kam këngë të dëgjuara të popullit.

CMG: Kostumin popullor e keni veshur gjatë realizimit të videoklipeve të këngëve tuaja. Sa e rëndësishme është për ju veshja popullore?

Neta Doko: Tradita duhet të mbahet dhe ne e kemi këtë gjë. Kostumi popullor të përfaqëson, është si një pasaportë sepse të tregon nga je. Unë e vlerësoj shumë kostumin popullor dhe e kam të veçantë, e ruaj në garderobën time si një gjë shumë të çmuar. Ndjehem shumë mirë kur e vesh kostumin sepse më pëlqen.

Neta Doko me kostum popullor (Foto personale)

Neta Doko me kostum popullor (Foto personale)

CMG: Keni marrë pjesë në gëzimet familjare dhe si jeni ndjerë?

Neta Doko: Unë kam martuar shumë djem dhe vajza dhe ndjehem shumë e lumtur që kam qenë pjesë e gëzimit të tyre në ditën e tyre më të lumtur. Më ka pëlqyer dhe më pëlqen që të jem vazhdimisht në gëzimet familjare. Koncertet kanë veçantinë e tyre, por dasmat, gëzimet familjare kanë atë bukurinë e vet, janë shumë të bukura dhe ndihesh shumë e respektuar aty sepse duhet t’ju krijosh të pranishmëve atmosferën e bukur.

CMG: Njeheni më mirë kur këndoni polifoni apo këngë të muzikuara?

Neta Doko: Unë ndjehem mirë sipas rastit, ku në një ambient që të adhurojnë për polifoninë sepse e duan shumë dhe ndjehesh shumë mirë, por edhe me këngët e muzikuara ndihem mirë sepse dhe ato kanë bukurinë e tyre. Kur e shikon që publiku të ndjek me adhurim ndjehesh vërtetë shumë bukur.

CMG: Morët pjesë këtë vit në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës?

Neta Doko: Do të doja shumë të isha, por me keqardhje nuk mu dha mundësia. Siç ndodh që tani jo të gjithë do të shkojnë në Gjirokastër, pavarësisht se kush është më i talentuar. Unë nuk mora ftesë këtë herë dhe nuk shkova dot, pavarësisht se dëshira ishte shumë e madhe për të marrë pjesë.

Neta Doko (Foto personale)

Neta Doko (Foto personale)

CMG: Këtë vit keni sjellë një këngë të re, që është mirëpritur nga publiku. Si lindi ideja e kësaj kënge?

Neta Doko: Unë këtë vit kisha 50 vjetorin e lindjes dhe mendova t’i bëja dhuratë vetes një kolazh. Kjo ishte një ide që mu dha nga një mikja ime shumë e ngushtë të cilën e përshëndes dhe e realizova me pak vështirësi, por doli bukur dhe këndshëm. Mora komplimente nga shumë dhashamirës, mora dhe oferta sepse u pëlqyen. Shpresoj që të kem diçka tjetër akoma dhe më të bukur në të ardhmen.

CMG: Nuk e keni komercializuar këngën popullore, por keni mbetur tek ajo tradicionale. Si keni munduar ta ruani kaq pastër në interpretim?

Neta Doko: Unë jam pak fanatike në këtë drejtim. Kjo është një temë e gjerë sepse po shohim shumë devijime në muzikën tradicionale. Unë dua ta ruaj këngën ashtu siç e kanë lënë të parët të paprekur. Ndoshta mund të bësh diçka pak më bukur, por jo ta nxjerrësh nga vetja atë material. Duhet që këngët tona të këndohen si janë kënduar dhe pa deformime.

CMG: Keni ndonjë projekt tjetër muzikor për këtë vit?

Neta Doko: Dëshira është shumë e madhe dhe dua shumë që të kem dhe një projekt tjetër në vazhdimësi. Projekti i fundit më bëri të ndjehem mirë sepse mora shumë mesazhe pozitive dhe më pëlqeu që të vazhdoj më tutje. Është bukur kur populli të do.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Neta Doko: Unë i përshëndes të gjithë, duku ju uruar mbi të gjitha të kenë shëndet të mirë.

Intervistoi: Gazmend Agaj