Kina kundërshton çfarëdo vizite nga separatistët e "pavarësisë së Tajvanit" në ShBA
2023-08-04 12:58:00

Foto nga VCG

Pekini kundërshton fuqimisht çdo formë ndërveprimi zyrtar ndërmjet ShBA-së dhe rajonit të Tajvanit, si edhe çdo vizitë nga separatistët e "pavarësisë së Tajvanit" në ShBA nën çfarëdo emri apo me çfarëdo preteksti, tha të enjten një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Ai i bëri këto komente në përgjigje të kalimit tranzit të planifikuar të zëvendësliderit të rajonit të Tajvanit Lai Ching-te nëpërmjet ShBA-së, të njoftuar nga autoritetet e Partisë Demokratike Progresive (DPP) të mërkurën.

"Kina kundërshton vendosmërisht çdo formë marrëveshjeje të fshehtë dhe mbështetjeje të ShBA-së për separatistët e 'pavarësisë së Tajvanit' dhe veprimtaritë e tyre separatiste," shtoi zëdhënësi.

Duke vënë në dukje se çështja e Tajvanit është në thelb të interesave themelore të Kinës dhe vija e parë e kuqe që nuk mund të kalohet në marrëdhëniet kino-amerikane, zëdhënësi i kërkoi ShBA-së "të respektojë parimin e 'Një Kine' dhe dispozitat e tre komunikateve të përbashkëta kino-amerikane, të përmbushë angazhimin e saj për të mos mbështetur separatistët e "pavarësisë së Tajvanit", të ndalojë dërgimin e sinjaleve të gabuara ndaj forcave separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" dhe të mos lejojë "tranzitin" e Lai Ching-te nëpërmjet Shteteve të Bashkuara. 

Kina do të ndjekë nga afër zhvillimet dhe do të marrë masa të forta e të vendosura për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, theksoi zëdhënësi.

Ai paralajmëroi gjithashtu autoritetet e DPP-së se "pavarësia e Tajvanit" është një rrugë pa krye, se "servilizmi ndaj ShBA-së dhe shitja e Tajvanit" do të jetë vetëm në dëm të banorëve të ishullit dhe "çdo përpjekje për të kërkuar 'pavarësi' dhe për të bërë provokime në bashkëpunim me forcat e jashtme është e dënuar të dështojë."

Po atë ditë, Zhu Fenglian, zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Këshillit të Shtetit, u shpreh se Lai kishte mbajtur me kokëfortësi qëndrimin separatist të "pavarësisë së Tajvanit" dhe që qëllimi i kësaj vizite është "mbështetja te Shtetet e Bashkuara për pavarësinë" dhe "kërkimi i interesit vetjak zgjedhor."

Një gjë e tillë do të dëmtojë interesat e banorëve të Tajvanit dhe do të cenojë paqen dhe qëndrueshmërinë në të dy brigjet e ngushticës së Tajvanit, tha Zhu.