Samiti i Vilniusit: Kina në horizontin e NATO-s
2023-07-14 17:27:24

Më 11 korrik, anëtarët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) zbritën në Vilnius të Lituanisë për një samit dy-ditor të bllokut. Samiti i NATO-s në Vilnius shënohet nga marrëdhëniet midis aleatëve dhe Ukrainës, me fokus në pranimin e mundshëm të ardhshëm të Kievit në Aleancë. Por përfundimet kryesore të samitit të NATO-s ishin përtej Ukrainës. Pika kyçe nga samiti i Vilniusit është se Aleanca po kërkon terren në Azi, duke bërë që Kina dhe jo Ukraina të ishte në horizontin e Aleancës së Atlantikut Verior.

Në një deklaratë të fortëtë lëshuar gjatë samitit të saj dy-ditor në Vilnius, Lituani, NATO akuzoi Kinën se po sfidonte vlerat dhe sigurinë e saj me "politika shtrënguese". "Operacionet dashakeqe hibride dhe kibernetike të PKK dhe retorika e saj konfrontuese dhe dezinformimi synojnë aleatët dhe dëmtojnë sigurinë e Aleancës", thuhet në komunikatë.

Deklarata e NATO-s tha gjithashtu se Kina dhe Rusia ishin të përfshira në një “partneritet strategjik të thelluar” dhe se të dy vendet ishin të përfshira në “përpjekjet përforcuese reciproke për të dëmtuar rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”. Udhëheqësit i kërkuan Kinës të luajë një rol “konstruktiv” si një nga pesë anëtarët e përhershëm, me veto, të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të dënojë “luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.

Liderë të vendeve anëtare të NATO-s në samitin në Vilnius(Foto:VCG)

Misioni kinez në Bashkimin Evropian dënoi komentet, duke akuzuar NATO-n për shtrembërim të pozicionit të Kinës dhe përpjekje të qëllimshme për të diskredituar vendin.

Duke vënë në dukje se deklarata e NATO-s është e mbushur me mentalitet të Luftës së Ftohtë dhe paragjykim ideologjik, zëdhënësi theksoi se përmbajtja e lidhur me Kinën në komunikatë shpërfill faktet themelore, shtrembëron në mënyrë të qëllimshme pozicionin dhe politikat e Kinës dhe diskrediton qëllimisht Kinën.

“Kina do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin e saj, sigurinë dhe interesat e zhvillimit dhe do të kundërshtojë me vendosmëri lëvizjen e NATO-s drejt lindjes në rajonin e Azisë-Paqësorit”, shtohet në deklaratë.

Në përgjigje të deklaratës së Samitit të NATO-s që akuzon marrëdhëniet Kinë-Rusi për nënvlerësim të "rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla", Ministria e Jashtme kineze tha se marrëdhëniet Kinë-Rusi bazohen në parimet e mos-angazhimit, moskonfrontimit dhe mos targetimit të palëve të treta.

"Ne i bëjmë thirrje NATO-s të ndalojë akuzat e pabaza dhe vërejtjet provokuese kundër Kinës" dhe se duhet "të heqë dorë nga qasja e gabuar e kërkimit të sigurisë absolute, ndaloni së ngatërruari Evropën dhe ndaloni përpjekjet për të destabilizuar Azi-Paqësorin dhe pjesën tjetër të botës", tha  zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Wang Wenbin.

Kriza e Ukrainës do duhej të ishte marrëveshja kryesore e vërtetë e samitit pasi kjo ka të bëjë me atë se në çfarë mase anëtarët e NATO-s duhet të vazhdojnë mbështetjen e tyre ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën. Megjithate Ukraina nuk e kishte vemendjen e Nato-s dhe Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dukej i vetmuari i madh në Samitin e Vilniusit.

Ai në fakt e kritikoi më herët duke e cilësuar si "të pashembullt dhe absurd” mungesën e një afati kohor konkret për anëtarësimin e mundshëm të vendit të tij.

Rritja e Kinës ka ngritur shqetësimin në NATO, e si rrjedhoje me shumë anëtarë të shqetësuar për atë që ata e konsiderojnë si politikën e saj të sigurt dhe represive. Vitin e kaluar, NATO përfshiu Kinën në Konceptin Strategjik të miratuar në samitin e Madridit dhe këtë vit, ajo nënvizoi se aleatët po punojnë së bashku "për të adresuar sfidat sistematike të paraqitura nga Kina". “Ne do të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, duke përfshirë lirinë e lundrimit”, thuhet në deklaratë.

Por aleatët janë të ndarë se sa larg duhet të shkojë NATO kur bëhet fjalë për Kinën. Shtetet e Bashkuara janë të prirura të përdorin NATO-n kundër Kinës dhe të ndërtojnë lidhje të forta me vendet aziatike, ndërsa vendet evropiane, të udhëhequra nga Gjermania dhe Franca, janë më hezituese. Deklarata, megjithatë, e bën të qartë se Kina dhe jo Ukraina është në vëmendjen e NATO-s.

CFP

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg(Foto:VCG)

Agresioni i Rusisë në Ukrainë ka krijuar një motivim të fortë për NATO-n për zgjerimin e saj. Uashingtoni, duke përdorur NATO-n si një mjet për të frenuar rivalët dhe për të çuar përpara agjendat e tij gjeopolitike, ka shtyrë në mënyrë aktive lëvizjen e bllokut drejt lindjes në kufirin e Rusisë dhe në rajonin Azi-Paqësor.

Ndërkohë, administrata amerikane dëshiron të shohë aleatët e saj të NATO-s në anën e saj në luftën kundër Kinës, ashtu siç ka bërë me Rusinë.

Anëtarët evropianë të NATO-s po përpiqen të besojnë tek Shtetet e Bashkuara, duke e bërë të vështirë për ta të ndjekin shembullin e Uashingtonit, veçanërisht kur bëhet fjalë për një politikë ndaj Kinës. I njëjti ngurrim ishte i pranishëm edhe për një politikë ndaj Rusisë; megjithatë, lufta Rusi-Ukrainë ndihmoi për të hequr këtë ngurrim dhe për të rreshtuar vendet pas SHBA-së. Tani Uashingtoni dëshiron të përfitojë nga ky moment  dhe të mbledhë aleatët e tij evropianë pas linjës së tij kundër Kinës.

NATO, aleancë rajonale apo globale?

Udhëheqësit nga Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut takuan 31 anëtarët e NATO-s në kryeqytetin lituanez Vilnius në ditën e dytë të samitit vjetor të aleancës, me Kinën në rendin e ditës.

Përpara bisedimeve, kryeministri japonez Fumio Kishida tha se "në mjedisin aktual të rëndë të sigurisë ndërkombëtare, siguria e Evropës dhe Indo-Paqësorit janë të pandashme".

"Japonia dhe NATO ndajnë mirëkuptimin se përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në me forcë ose detyrim nuk do të tolerohen, pavarësisht se ku në botë," tha Kishida.

Udhëheqësit e NATO-s dërguan sinjale të përziera në samitin e tyre me 11-12 korrik mbi një plan të mundshëm për të hapur një zyrë në Japoni, e cila është bllokuar nga Franca dhe kritikuar nga Kina.

Ndërsa Stoltenberg dhe të tjerët do të dëshironin që NATO të hapte një zyrë ndërlidhëse në Japoni për të mundësuar komunikime më të buta me partnerët e saj në Paqësor, presidenti francez Emmanuel Macron është kundër një plani të tillë.

Presidenti francez Emmanuel Macron/CFP

I pyetur për planin në një konferencë shtypi në fund të samitit në Vilnius, presidenti francez Emmanuel Macron tha se NATO duhet të mbajë fokusin e saj në mënyrë të vendosur në rajonin e Atlantikut të Veriut, duke theksuar se NATO është një aleancë e Amerikës së Veriut dhe Evropës, jo një aleancë globale.

Por Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s  tha në shkrimin e tij se “NATO është një aleancë rajonale e Evropës dhe Amerikës së Veriut, por sfidat me të cilat përballemi janë globale”, shkroi ai, duke vënë në dukje ftesat e samitit për liderët e Paqësorit.

NATO është një aleancë rajonale e Evropës dhe Amerikës së Veriut, por sfidat me të cilat përballemi janë globale. Kjo është arsyeja pse unë kam ftuar liderët e Bashkimit Evropian dhe të partnerëve tanë Indo-Paqësor—Australinë, Japoninë, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut—të bashkohen me ne në Vilnius”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se ideja e një zyre ndërlidhëse në Tokio ishte ende në diskutim.

Madje në një shkrim të tij të titulluar “Çfarë duhet të bëjë Aleanca në Vilnius—dhe përtej”, publikuar ne “Foreign Affairs” një ditë para fillimit të samitit të Nato-s, Stoltenberg shënjestron Kinën.

Nëse Putini fiton në Ukrainë, do të ishte një tragjedi për ukrainasit dhe e rrezikshme për botën në përgjithësi. Kjo do t’u dërgonte një mesazh regjimeve të tjera autoritare se ata mund t’i arrijnë objektivat e tyre përmes forcës. Kina, në veçanti, po shikon për të parë çmimin që paguan Rusia, ose shpërblimin që ajo merr, për agresionin e saj. Ajo po mëson nga dështimet ushtarake të Moskës dhe reagimi i komunitetit ndërkombëtar. Kur vizitova Japoninë dhe Korenë e Jugut në fillim të këtij viti, udhëheqësit e tyre ishin të shqetësuar qartë se ajo që po ndodh sot në Evropë mund të ndodhë nesër në Azi”.

Në këtë paragraf Stoltenberg mundohet të justifikojë tre momente;

Së pari, ftesën për liderët e Paqësorit në Samitin e Nato-s

Së dyti, vijimin e planit për hapjen e një zyrë ndërlidhëse në Japoni në funksion të Aleancës

Së treti, ndërhyrjen e mundshme apo përkrahjen ushtarake të NATO-s në Azi në rast të një konflikti Kinë-Tajvan.

Ndonëse Stoltenberg në këtë shkrim përpiqet të argumentojë “rrezikun” që paska Paqësori nga Kina, në fakt tre momentet e cituar mësipër janë ingranazhet e vetme që rrezikojnë  paqen dhe stabilitetin në Azi.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s është kontradiktor në qëndrimin e tij kundrejt Kinës.

Mjafton të lexoni këtë pasazh të artikullit të tij (Stoltenberg) për Samitin e Vilniusit;

Samiti i NATO-s në Vilnius(Foto:VCG)

Samiti i NATO-s në Vilnius(Foto:VCG)

NATO nuk e sheh Kinën si një kundërshtar. Ne duhet të vazhdojmë të angazhohemi me Pekinin për të trajtuar sfidat e sotme globale, duke përfshirë përhapjen bërthamore dhe ndryshimin e klimës. Në të njëjtën kohë, Kina duhet të përdorë ndikimin e saj të konsiderueshëm mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës së saj të paligjshme në Ukrainë. Megjithatë, deri më tani, Pekini nuk e ka dënuar agresionin e Moskës dhe në vend të kësaj po rrit bashkëpunimin e tij ekonomik, diplomatik dhe ushtarak me Rusinë. Sjellja gjithnjë e më shtrënguese e qeverisë kineze jashtë vendit dhe politikat represive në vend sfidojnë sigurinë, vlerat dhe interesat e NATO-s. Pekini po kërcënon fqinjët e tij dhe po ngacmon vendet e tjera.

Fillimisht thotë se Kinën nuk e sheh si kundërshtar, por bashkëpuntorë në adresimin e sfidave globale. Më pas në disa rrjeshta më poshtë kërkon nga Kina të përdorë ndikimin e saj mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Vijon me tej nga bashkëpuntorë dhe aleat, Kinën e akuzon se nuk ka dënuar agresionin e Moskës, madje e bën përgjegjës për vijimin e bashkepunimit ekonomik me Rusinë.

Ndërsa në fund të këtij paragrafi, Stoltenberg shënjestron Kinën si vend kërcënues për fqinjët e tij.

Në vetëm 8 rrjeshta pasqyrohet një kontraktide e NATO-s kundrejt Kinës.

Pra NATO ka nevojë për Kinën, por nuk pranon rolin e saj në arenën globale.

Është  një propagandë e pastër kundër Kinës kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s bën me përgjegjësi Kinën për veprimet që ndërmerr një shtet Sovran si Rusia.

Përsa i përket konfliktit Rusi-Ukrainë, Pekini nuk dinte asgjë për planin e Moskës para nisjes së luftës. Për këtë gjë, ambasadori i atëhershëm kinez në ShBA, kryediplomati i tanishëm z. Qin Gang theksoi në veçanti në një artikull të botuar më 15 mars 2022  në "The Washington Post".

Ndër të tjera ai shkruan:

- Kina është partneri më i madh tregtar i Rusisë dhe Ukrainës, si dhe importuesi më i madh i naftës bruto dhe gazit natyror në botë. Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës nuk i bën mirë Kinës. Sikur Kina të dinte për krizën e afërt, ne do të kishim bërë të pamundurën për ta parandaluar atë.

-Kina është e përkushtuar ndaj një politike të jashtme të pavarur paqeje. Për Ukrainën, qëndrimi i Kinës është objektiv dhe i paanshëm: Qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së duhet të respektohen plotësisht; sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve, duke përfshirë Ukrainën, duhet të respektohen; shqetësimet legjitime të sigurisë të të gjitha vendeve duhet të merren seriozisht; dhe të gjitha përpjekjet që janë të favorshme për zgjidhjen paqësore të krizës duhet të mbështeten.

Ndërsa sa i përket krahasimit të Tajvanit me Ukrainën, që bën Perëndimi dhe që e thekson Stoltenberg në këtë Samit në fakt Z. Qin Gang e quan një gabim.” Këto janë gjëra krejtësisht të ndryshme. Ukraina është një shtet sovran, ndërsa Tajvani është pjesë e pandashme e territorit të Kinës. Çështja e Tajvanit është një çështje e brendshme kineze. Nuk ka kuptim që njerëzit të theksojnë parimin e sovranitetit në Ukrainë, ndërkohë që cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës në Tajvan”, theksoi ai.

E pra këto janë qëndrime të qarta vetëm disa javë pas konfliktit ushtarak rus në Ukrainë.

Është “fakenews” i kësaj Aleancë që drejton gishtin nga Kina si një vend që sipas tyre nuk e ka dënuar agresionin rus.

Në fakt e vërteta është krejt tjetër.

Kina jo vetëm e ka dënuar agresionin rus ndaj një vendi sovran si Ukraina, por ka ndërmarrë hapa konkret të njëpasnjëshëm për gjetjen e një zgjidhje paqësore mes dy vendeve. Që nga shkurti i këtij viti me propozimin prej 12 pikave për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë, që vijon me telefonaten e udhëheqësit të Kines Xi Jinping me Presidentin e Ukrainës Zelensky dhe më pas i derguari i posacem i Kines i cili u takua me liderë dhe diplomatë të lartë, duke shkëmbyer mendime mbi zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë.

Të gjitha këto hapa që janë zhvilluar tashmë, janë përshëndetur nga liderët e vendeve europiane , madje dhe nga vetë Uashingtoni, që mesa duket në Lituani pësuan një “Amnezi” duke harruar qëndrimin e qartë të Kinës ndaj luftës Rusi-Ukrainë.

Qëndrimi dhe angazhimi i Kinës përballë konfliktit Rusi-Ukrainë 

Kina publikoi me 24 shkurt 2023 një dokument ku shprehet qëndrimi i saj për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë, ku në piken 1 të saj thekson fuqishëm respektimin e sovranitetit.

Respektimi i sovranitetit të të gjitha vendeve. E drejta ndërkombëtare e njohur botërisht, duke përfshirë qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, duhet të respektohet rreptësisht. Sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të ruhen në mënyrë efektive. Të gjitha vendet, të mëdha apo të vogla, të forta apo të dobëta, të pasura apo të varfra, janë anëtarë të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare. Të gjitha palët duhet të respektojnë së bashku normat bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të mbrojnë drejtësinë dhe drejtësinë ndërkombëtare. Duhet të promovohet zbatimi i barabartë dhe uniform i së drejtës ndërkombëtare, ndërsa standardet e dyfishta duhet të refuzohen.

Me tej pikat e tjera të këtij propozimi janë:

- Braktisja e mentalitetit të Luftës së Ftohtë, Ndërprerja e armiqësive;Rifillimi i bisedimeve të paqes; Zgjidhja e krizës humanitare; Mbrojtja e civilëve dhe robërve të luftës; Mbajtja e sigurt e centraleve bërthamore; Reduktimi i rreziqeve strategjike; Lehtësimi i eksporteve të grurit; Ndalimi i sanksioneve të njëanshme; Mbajtja e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit të qëndrueshëm; Promovimi i rindërtimit pas konfliktit

Janë këto 12 pikat thelbësore që tregon angazhimin dhe qëndrimin e Kinës për zgjidhjen paqësore të këtij konflikti.

Duke vijuar me pas me biseden telefonike Xi Jinping-Zelensky.

Më 26 prill 2023 u zhvillua një bisedë telefonike ndërmjet udhëheqësit të Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy.

Presidenti kinez Xi Jinping i tha presidentit ukrainas se Kina  “Për çështjen e krizës në Ukrainë, Kina ka qëndruar gjithmonë në anën e paqes dhe pozicioni i saj thelbësor është të promovojë bisedimet e paqes”.

CFP

I dërguari i posaçëm kinez, ambasadori Li Hui në Ukrainë për ndërmjetësim(Foto:VCG)

I dërguari i posaçëm nga Kina

Li Hui, përfaqësuesi i posaçëm i qeverisë kineze për çështjet euroaziatike, u takua me liderë dhe diplomatë të lartë, (nga 15 deri më 26 maji)  duke shkëmbyer mendime mbi zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë. Gjatë këtij udhëtimi që  filloi më 15 maj, në Ukrainë, Poloni, Francë, Gjermani, seli e BE-së në Bruksel dhe Rusi u pa qartë se këto palë pranojnë rolin vendimtar të Kinës në promovimin e bisedimeve të paqes.

Kjo vizitë e Përfaqësuesit Special Li Hui, u mirëprit dhe u mbështet, qoftë nga protagonistët e kësaj krize, por dhe të gjitha palët e interesuara për ti dhënë fund këtij konflikti në Europë.

Pra është përshëndetur nga aleatet më të mëdhenj të NATO-s, që mesa duket e harrua në samitin e 11 Korrikut.

Iniciativa Globale e Sigurisë 

Përveç këtyre hapave konkret sa i përket konfliktit Rusi-Ukraine, Kina ka paraqitur Nismën e Sigurisë Globale që synon  realizimin e paqes në botë.

Në Forumin Bo'ao 2022 për Azinë, një konferencë shumëpalëshe sigurie, presidenti kinez Xi Jinping së pari njoftoi hapjen e një "Iniciativës Globale të Sigurisë"  si një "vizion kinez i përbashkët, gjithëpërfshirës, bashkëpunues dhe per sigurine e qëndrueshme.”

Presidenti kinez Xi Jinping ka propozuar Iniciativën Globale të Sigurisë (GSI), duke u bërë thirrje vendeve që të përshtaten me peizazhin ndërkombëtar në ndryshim të thellë në frymën e solidaritetit dhe të adresojnë sfidat komplekse dhe të ndërthurura të sigurisë me një mentalitet të favorshëm. IGS synon të eliminojë shkaqet rrënjësore të konflikteve ndërkombëtare, të përmirësojë qeverisjen e sigurisë globale, të inkurajojë përpjekjet e përbashkëta ndërkombëtare për të sjellë më shumë stabilitet dhe siguri në një epokë të paqëndrueshme dhe në ndryshim dhe të promovojë paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm në botë.

Ndërsa në shkurt të këtij viti, Ministria e Jashtme kineze publikoi konceptin e saj për një "Iniciativë Globale të Sigurisë", që përshkruan zgjidhjen e propozuar të vendit për sfidat për çështjet tradicionale dhe jotradicionale të sigurisë.

Për të realizuar këto vizione, Kina është e gatshme të zhvillojë bashkëpunim dypalësh dhe shumëpalësh të sigurisë me të gjitha vendet dhe organizatat ndërkombëtare dhe rajonale nën kuadrin e Iniciativës Globale të Sigurisë dhe të promovojë në mënyrë aktive koordinimin e koncepteve të sigurisë dhe konvergjencën e interesave. Kina u bën thirrje të gjitha palëve që të kryejnë bashkëpunim të vetëm ose të shumëfishtë në aspekte, duke përfshirë, por pa u kufizuar në ato në vijim, në mënyrë që të ndjekin mësimin dhe plotësimin e ndërsjellë dhe të promovojnë së bashku paqen dhe qetësinë botërore

Çështja e sigurisë ka të bëjë me mirëqenien e njerëzve të të gjitha vendeve, kauzën e lartë të paqes dhe zhvillimit botëror dhe të ardhmen e njerëzimit por në ndryshim nga Iniciativa Globale e Sigurisë nga Kina, komunikata e Samitit të Nato-s nuk flet për bashkëpunim por për konfrontim dhe ndarje.

Paqeruajtës kinezë në misionet e OKB-së në Mali(Foto:VCG)

Paqeruajtës kinezë në misionet e OKB-së në Mali(Foto:VCG)


 Skepticizmi ndaj Aleancës së NATO-s pas viteve 90-të

Vetëm katër vite më parë, në prag të samitit të Nato-s në Londër në 2019, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se  Aleanca e NATO-s po përjeton një 'vdekje truri'.

Që do të thotë se tashmë Aleanca e kishte humbur arsyen e ekzistencës pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Rënia e Bashkimit Sovjetik, shpërbërja e Paktit të Varshavës dhe bashkimi gjerman simbolizuan fundin e një epoke dhe ngritjen e një Evrope të re.

Por luftrat ballkanike e rikthyen domosdoshmërinë e ndërhyrjes së NATO-s. Megjithatë, pikërisht më 11 korrik të 1995, 28 vite më parë ndodhi genocidi më i madh në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, “Masaka e Srebrenicës”, duke treguar një dështim të NATO-s.

Por NATO u rehabilitua në Ballkan, pas ndërhyrjes së saj në Kosovë në luftën me Serbinë, duke e bombarduar këtë të fundit.

Kjo u pasua nga sulmet e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, duke e shtyrë aleancën të përdorë Nenin 5 për herë të parë në historinë e saj, duke i hapur rrugën operacioneve të zgjeruara të NATO-s "jashtë zonës" në Lindjen e Mesme dhe më gjerë dhe duke udhëhequr për transformimin e mëtejshëm të aftësive të saj ushtarake për t'u përballur me kërcënime dhe armiq të rinj asimetrik.

Por ndarjet mbi pushtimin e Irakut të udhëhequr nga SHBA në 2003 minuan kohezionin politik dhe ushtarak të aleancës. Përpjekjet e NATO-s për të marrë një pjesë të barrës në vitin 2004 nuk arritën të frenonin valën e kaosit dhe jostabilitetit në Irak, duke çuar në tërheqjen e saj në vitin 2011. Dështimet SHBA-NATO u theksuan më tej nga ngritja e "Shtetit Islamik" në Irak dhe Siria.

Pushtimi i Afganistanit ishte një poshtërim për NATO-n. Lufta e kushtueshme 20-vjeçare përfundoi me një tërheqje të turpshme, të dobët të koordinuar në vitin 2021 dhe me kthimin e jashtëzakonshëm të talebanëve për të sunduar vendin siç bënin përpara pushtimit.

Me pak fjalë, pavarësisht nga zgjerimi i saj drejt lindjes, NATO-ja kishte dështuar për të përmbushur misionet e saj ushtarake ose për të përcaktuar misionin e saj kryesor strategjik për shekullin e 21-të. Deklarata e Presidentit Joe Biden në vitin 2021 se "Amerika është kthyer" në skenën botërore dhe përpjekjet e tij për të kthyer dëmin e shkaktuar ndaj besueshmërisë së SHBA nga paraardhësit e tij dhe për të ribashkuar dhe shpëtuar aleancën, u pritën me një shkallë të lartë skepticizmi në Evropë.

Por skepticizmi u zhduk papritur pasi Rusia filloi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës.

Në një periudhë të keqe për Perëndimin, Putini i ka dhënë NATO-s një kuptim dhe shtysë të re. NATO është kthyer në rrënjët e saj si një mburojë e Perëndimit transatlantik kundër Rusisë dhe jo vetem.

Pranimi i Finlandës dhe tashmë dhe Suedisë do të shënojë një ndryshim strategjik edhe më të madh, duke sjellë forca të reja në NATO, duke përfshirë forcat tokësore shumë të afta të Finlandës dhe aftësitë e forta detare të Suedisë. Këta dy anëtarë të rinj do t'i shtojnë thellësi strategjike mbrojtjes së rajonit të Balltikut.

Por tashmë egoja e NATO-s është rritur edhe më shumë. Në samitin e Vilniusit, Aleanca Atlantike e Veriut sytë i ka nga Azia. Një “kafshatë  e madhe për tu kapërdirë" duke marrë parasysh se Kina është një superfuqi ekonomike në botë.

Sa më shumë që Uashingtoni i shtyn aleatët e tij të zgjerohen në Azi-Paqësor, aq më shumë divergjenca do të shfaqen brenda aleancës, dhe nga dëshira për të kontrolluar gjithçka, NATO mund të humbasë çdo gjë.