Pse përmendet shumë herë Kina në samitin e NATO-s?
2023-07-13 21:28:47

Të mërkurën u mbyll në kryeqytetin lituan Vilnius samiti i NATO-s. Në komunikatën e përbashkët të samitit të publikuar një ditë më parë u përmend dhjetëra herë Kina, duke thënë përsëri që Kina përbën “sfidë sistematike” për sigurinë euroatlantike.

Foto: VCG

Foto: VCG

Sipas programit të NATO-s, temat kryesore të këtij samiti ishin kriza e Ukrainës dhe zgjerimi me anëtarë të rinj. Atëherë, përse në komunikatë përmendet shumë herë Kina? 

Kjo nuk është e çuditshme, se NATO-ja është aleanca më e madhe ushtarake në botë dhe mbijetesa e saj bazohet te kundërshtarët. Si i përcakton NATO-ja kundërshtarët e saj? Sipas varianteve të ndryshme të dokumentit mbi “konceptin e sigurisë” të NATO-s pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ky përcaktim pothuajse ndjek ndryshimet strategjike të ShBA-së, duke pasqyruar kërkesat strategjike të saj. Pasi erdhi në pushtet, administrata e Biden-it e përcaktoi gabimisht Kinën si kundërshtarin më të rëndësishëm strategjik. Nën drejtimin e ShBA-së, NATO-ja është bërë gjithnjë e më e ashpër ndaj Kinës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg u shpreh një herë haptas se, në të ardhmen, përballimi me "kërcënimin e Kinës" duhet të jetë një bazë e rëndësishme për mbijetesën e NATO-s. Megjithëse ai deklaroi në këtë samit që “Kina nuk është armiku i NATO-s”, më pas bëri një sërë komentesh absurde, si “pjesa kontinentale e Kinës kërcënon Tajvanin” dhe “Kina përshpejton fuqizimin e vet ushtarak” etj.

Foto: VCG

Foto: VCG

Në kohën e sotme, në presionin e Uashingtonit, NATO-ja nuk është më përfaqësuese e sigurisë europiane, por mbrojtëse e interesave të ShBA-së. NATO-ja, që është më e zonja në krijimin e "armiqve imagjinarë", është "sfida sistemike" ndaj së cilës bota duhet të jetë më vigjilente. Më shumë se 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kjo organizatë e lindur gjatë Luftës së Ftohtë ende po vijon kundërvënien ndërmjet palëve, si një "makinë lufte" e drejtuar nga ShBA-ja. NATO-ja e quan veten si organizatë vetëmbrojtëse dhe që ruan rendin ndërkombëtare të bazuar nga rregulla. Por NATO-ja nisi luftë ndaj Jugosllavisë, Sirisë e vendeve të tjera sovrane, duke injoruar Këshillin e Sigurisë të OKB-së. Për shembull, arsyeja kryesore e krizës së Ukrainës është zgjerimi i vazhdueshëm i NATO-s drejt lindjes, duke kërcënuar hapësirën e sigurisë së Rusisë, komenton CMG-ja.

Sipas raporteve të fundit, pengesa kryesore për pranimin e Suedisë në NATO është hequr, që do të thotë se NATO-ja do të zgjerohet përsëri. Profesorja e shkencave politike nga Universiteti i Manitobës në Kanada, Radhika Desai, tha për CMG-në se zgjerimi i vazhdueshëm i NATO-s drejt lindjes e ka dëmtuar përfundimisht sigurinë europiane; tani NATO-ja po i shtrin tentakulat e saj në Azi-Paqësor, çka do të kërcënojë edhe sigurinë e këtij rajoni.

Foto: VCG

Foto: VCG

Po të flasim objektivisht, brenda NATO-s ka edhe zëra racionalë. Disa shtete anëtare të Aleancës, si Franca, këmbëngulin në kërkimin e autonomisë strategjike të Europës dhe besojnë se NATO-ja nuk duhet ta kalojë kufirin gjeografik të Atlantikut Verior, t’i shtrijë tentakulat e saj në Azi-Paqësor dhe të krijojë një zyrë ndërlidhëse në Japoni. Presidenti francez Emmanuel Macron tha në një konferencë shtypi pas samitit se NATO-ja është një organizatë e Atlantikut të Veriut dhe Japonia nuk është në Atlantikun e Veriut. Nëse NATO-ja vijon të ndjekë ShBA-në, të sjellë ngatërresa në Europë dhe më pas të përpiqet të krijojë shqetësime në Azi-Paqësor, ajo do të ndeshet me një qëndresë të fortë. (Li Huailiang/Artan)