Qu Dongyu rizgjidhet drejtori i përgjithshëm i FAO-s
2023-07-03 11:44:18

Foto nga CMG

Foto nga CMG

Drejtori i përgjithshëm aktual i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) së Kombeve të Bashkuara Qu Dongyu u rizgjodh për një mandat tjetër katërvjeçar në sesionin e 43-të të Konferencës së FAO-s në Romë.

Zgjedhjet u zhvilluan me votat anonime të vendeve anëtare të kësaj organizate. Z. Qu fitoi 168 ndër 182 vota. Mandati i ri i tij do të fillojë nga 1 gushti. Në fjalimin e rastit në ceremoninë e emërimit, Qu Dongyu u shpreh se do të vazhdojë të bëjë përpjekje për të zbatuar si duhet premtimet e bëra në zgjedhje.

Qu u zgjodh për herë të parë në qershor 2019 në krye të agjencisë së OKB-së dhe është shtetasi i parë kinez që shërben në këtë pozicion.

Që nga marrja e detyrës, ai e ka udhëhequr në mënyrë aktive FAO-n për të trajtuar sfidat në lidhje me sigurinë ushqimore globale dhe për të kontribuuar në zhvillimin e çështjes së ushqimit dhe bujqësisë të të gjitha vendeve, veçanërisht të vendeve në zhvillim. Përpjekjet e tij janë njohur gjerësisht nga vendet anëtare të FAO-s.

E themeluar në vitin 1945 dhe me seli në kryeqytetin e Italisë Romë, FAO është një agjenci e specializuar e OKB-së që udhëheq bashkëpunimin në ushqim dhe bujqësi. Kjo organizatë luan një rol jetik në shkëmbimet globale të politikave ushqimore e bujqësore, vendosjen e standardeve, mbledhjen e informacionit e statistikat dhe fusha të tjera.