Manjani: Prioritet, punësimi i të rinjve dhe personave me aftësi të kufizuar
2023-06-21 14:14:27

Foto nga ATSH

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, paraqiti në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat ndryshimet në ligjin “Për nxitjen e punësimit”, të cilat pritet të sjellin një shtim të punësimit të të rinjve dhe personave me aftësi të kufizuara.

Ligji parashikon ngritjen e Fondit Social të Punësimit, që sipas zv.ministres Manjani, do të përdoret për programe që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitimin për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional, orientimin dhe këshillimin për punësim, si dhe rikonstruksion dhe përshtatje të vendit të punës të personave me aftësi të kufizuar, përcjell “ATSH”.

“Qëllimi i këtij ligji është identifikimi dhe skicimi i politikave të duhura nxitëse, kryesisht për të rinjtë dhe grupet e veçanta, si personat me aftësi të kufizuara, anëtarët e familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike etj., duke siguruar politika efikase të tregut të punës, nxitjen e përfshirjes dhe kohezionit social, si dhe fuqizimin e tregut të punës”,- tha Manjani.

Sipas saj, nisma ligjore është pjesë e planit të zbatimit të garancisë rinore.

“Skema e garancisë rinore si pjesë e iniciativës së BE-së për Ballkanin Perëndimor mbështet të rinjtë 15-29 vjeç, që nuk janë as në punësim, as në arsim apo formim profesional, që do të përfitojnë një ofertë punësimi apo formimi brenda një periudhe 4-mujore nga data e regjistrimit si të papunë”,- u shpreh Manjani.

Projektligji parashikon njëkohësisht edhe disa qartësime për përdorimin e Fondit Social të Punësimit. “Ligji parashikon që çdo punëdhënës duhet të punësojë një person me aftësi të kufizuara, për 25 punonjësit e parë të ndërmarrjes dhe nga një person shtesë për çdo 50 punonjës të tjerë të ndërmarrjes. Punëdhënësi, i cili nuk punëson numrin e përcaktuar të personave me aftësi të kufizuara, derdh një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person që i përket grupeve të përcaktuara, që ai duhet të kishte punësuar”, - tha Manjani. (Elona)