Kina një vend në zhvillim dhe një fuqi globale
2023-06-13 17:13:22

Marrëdhëniet Kinë-SHBA kanë qenë komplekse ndër dekada, të karakterizuara nga bashkëpunimi, konkurrenca dhe rivaliteti strategjik. Këto marrëdhënie ka pësuar ndryshime të rëndësishme me kalimin e kohës, të ndikuar nga faktorë të tillë si tregtia, ekonomia, siguria dhe zhvillimet gjeopolitike.

Sigurisht faktorët gjeopolitikë, të tillë si Iniciativa Kineze “ Brez dhe Rrugë ” (BRI) dhe ndikimi i saj në rritje në organizatat ndërkombëtare, kanë ndikuar gjithashtu në këtë marrëdhënie. Shtetet e Bashkuara kanë ngritur shqetësime rreth synimeve strategjike të Kinës, duke pohuar se ajo kërkon të riformësojë rendin global në një mënyrë që sfidon ndikimin e SHBA.

Pikërisht për këtë, duket se ka një ofensive politike nga ana e SHBA-së për një linjë të ashpër ndaj Kinës.

Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara kohët e fundit votoi njëzëri se Kina nuk duhet të konsiderohet më një "vend në zhvillim". Më 8 qershor, Komiteti i Senatit të SHBA-së për Marrëdhëniet me Jashtë miratoi Aktin e Statusit të Kombit në zhvillim të Kinës  duke kërkuar t'i jepet fund trajtimit të Kinës si një vend në zhvillim në organizatat ndërkombëtare.

Kjo nuk është hera e parë që SHBA-ja ka vënë gishtin në statusin e Kinës si një vend në zhvillim që i jep asaj akses në kredi preferenciale dhe përfitime të tjera ekonomike. Në vitet e fundit, SHBA i ka kërkuar vazhdimisht OBT-së që të revokojë statusin e vendit në zhvillim të Kinës në një përpjekje për të parandaluar Kinën nga marrja e trajtimit preferencial. Por nëse një vend është një vend në zhvillim apo jo, nuk është diçka që mund të vendoset nga ndonjë indeks i vetëm ose nga ndonjë vend sipas dëshirës.

zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme te Kinës,Wang Wenbin

Këtë e thekson qartë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme te Kinës, Wang ku u shpreh se "Nuk i takon Shteteve të Bashkuara të vendosin nëse Kina është një vend në zhvillim. Shtetet e Bashkuara as nuk mund ta mohojnë faktin që Kina është ende një vend në zhvillim, as ta ndalojnë Kinën të lëvizë drejt përtëritjes kombëtare."

Statusi i Kinës si vendi më i madh në zhvillim në botë është i rrënjosur në fakte dhe në ligjin ndërkombëtar dhe nuk është diçka që mund të fshihet lehtësisht nga një projektligj i Kongresit të SHBA-së, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin.

"Shtetet e Bashkuara nuk po e etiketojnë Kinën një "vend të zhvilluar" për shkak të vlerësimit ose njohjes për suksesin e zhvillimit të Kinës. Motivi i vërtetë pas përfundimit të statusit të vendit në zhvillim të Kinës është frenimi i zhvillimit të Kinës," tha Wang .

Motivi i vërtetë pas përfundimit të statusit të vendit në zhvillim të Kinës është frenimi i zhvillimit të Kinës. Por statusi i Kinës nuk është diçka që mund të fshihet lehtësisht nga një projektligj i Kongresit të SHBA.

Ai shtoi se kontributi i Kinës në rritjen ekonomike globale dhe vlerësimet e buxhetit të rregullt dhe paqeruajtës të OKB-së është shumë më i madh se ai i shumicës së vendeve të zhvilluara.

“Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”

Kjo fraze mund të përkufizoje më së miri marrëdhëniet bilaterale Kin ë-SHBA ndër dekada.

Marrëdhëniet ekonomike kanë qenë një aspekt kyç i marrëdhënieve Kinë-SHBA. Kina është bërë një partner i madh tregtar për Shtetet e Bashkuara, me tregtinë dypalëshe që ka arritur nivele të konsiderueshme. Megjithatë, disbalancat tregtare, shqetësimet e pronësisë intelektuale dhe çështjet e aksesit në treg kanë qenë pika debati. Të dy vendet kanë vendosur tarifa dhe janë përfshirë në mosmarrëveshje tregtare, veçanërisht gjatë luftës së fundit tregtare SHBA-Kinë, e cila çoi në rritjen e tensioneve dhe pasigurive ekonomike.

Në fakt pavarësisht rrotacionit politik në SHBA, mbetet e njëjta ideologji kundrejt Kinës.

Tensionet mes SHBA-së dhe Kinës filluan të përkeqësohen kur administrata Trump mori një qëndrim të ashpër ekonomik kundër Kinës dhe filloi një luftë tregtare në vitin 2018. Por dhe sot tarifat shtesë të epokës Trump për produktet kineze me vlerë qindra miliarda dollarë mbeten në fuqi.

Ndërkohë, administrata Biden ka ndjekur një strategji industriale për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit në fusha të tilla si energjia e pastër, automjetet elektrike dhe gjysmëpërçuesit.

SHBA thotë se nuk po përpiqet të frenojë rritjen kineze, por ka vendosur sanksione ndaj industrive kryesore, si gjysmëpërçuesit. Pekini kohët e fundit udhëzoi kompanitë kineze që operojnë në industri kritike që të mos blinin çipa nga Micron, një kompani amerikane, e cila dukej se ishte një veprim hakmarrës pas kontrolleve të eksportit të administratës Biden në teknologjinë e avancuar të prodhimit të çipave.

SHBA ka bindur gjithashtu Japoninë dhe Holandën që të bllokojnë shitjen e pajisjeve të çipit, një lëvizje që synon të frenojë zhvillimin ushtarak dhe teknologjik të Kinës.

Ndaj edhe vendimi më i fundit në Senatin amerikan  ku kërkohet të hiqet statusi i Kinës si vend në zhvillim eshte ne vijim te kesaj “lufte” ekonomike të Uashingtonit kundrejt Pekinit.

Kina është ende në zhvillim

Ndonëse SHBA e konsideron Kinën si një vend në zhvillim, është e rëndësishme të theksohet se termi "vend në zhvillim" nuk është i përcaktuar në mënyrë strikte dhe mund të interpretohet ndryshe bazuar në faktorë të ndryshëm, si zhvillimi ekonomik, treguesit socialë dhe stabiliteti politik.

Kina ka përjetuar rritje të konsiderueshme ekonomike gjatë dekadave të fundit, duke u bërë ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe duke nxjerrë miliona njerëz nga varfëria. Ajo ka bërë përparime të rëndësishme në infrastrukturë, teknologji dhe prodhim industrial. Megjithatë, Kina ende përballet me disa sfida zhvillimore, duke përfshirë pabarazinë e të ardhurave, pabarazitë rajonale, çështjet mjedisore dhe një popullsi të madhe rurale me akses të kufizuar në burime dhe shërbime.

CFP

Banka Botërore e kategorizoi Kinën si një vend me të ardhura të mesme të larta në vitin 2019 bazuar në të ardhurat e saj kombëtare bruto për frymë. Ndërsa Kina ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në shumë fusha, ajo vazhdon të punojë në adresimin e pabarazive të ndryshme sociale dhe ekonomike dhe të përpiqet për zhvillim të qëndrueshëm.

Nëse Kinës do t'i hiqej etiketa e vendit në zhvillim dhe do të klasifikohej si një vend i zhvilluar në organizatat ndërkombëtare, Kina do të përballej me presion të konsiderueshëm në fusha ekonomike, tregtare dhe fusha të tjera, të cilat mund të kenë një efekt domino në mjedisin e zhvillimit të ardhshëm të Kinës.

Për shembull, disa organizata ndërkombëtare si Banka Botërore mund të ndryshojnë standardet e tyre të kreditimit ndaj Kinës, që do të thotë se kreditë me interes të ulët për Kinën mund të reduktohen ose anulohen. Gjithashtu, disa preferenca tarifore për vendet në zhvillim do të eliminoheshin për produktet kineze nëse Kina do të konsiderohej si një vend i zhvilluar.

Kjo do të thotë se SHBA do të ndjekë një politikë të përpjekjes për t'i hequr Kinës statusin e saj si një "vend në zhvillim" në organizatat ndërkombëtare.

Faktet tregojnë se Kina është ende në zhvillim. Duke parë statistikat e vetë Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, për vitin 2021, GDP-ja e Kinës për frymë ishte 17,600 dollarë, nën Republikën Domenikane, Meksikën, Kazakistanin dhe madje edhe Libinë, e cila u shndërrua me forcë në një shtet në zhvillim nga bombardimet e NATO-s. Në të kundërt, PBB-ja e SHBA-së për frymë është 63,700 dollarë.

Indeksi i OKB-së për Zhvillimin Njerëzor (HDI) gjithashtu e vendos Kinën në kampin në zhvillim, me një HDI prej 0,768, që është midis atij të Brazilit me 0,754 ose Sri Lankës me 0,782. Kjo shifër është në kontrast të dukshëm me 0,921 të SHBA-së.

CFP

Në fakt, ndryshe nga SHBA-të ku fokusi i saj është rritja e buxhetit dhe e investimeve është në militarizëm,  Kina edhe pse një vend në zhvillim po ndan pasurinë e saj dhe po ndërton infrastrukturë, shkolla dhe spitale të teknologjisë së lartë.

SHBA, duke i hequr Kinës statusin e saj në zhvillim, kërkon të parandalojë zhvillimin e Kinës. Zhvillimi i statusit të kombit mund të çojë në avantazhe në organizatat ndërkombëtare. Në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), shtetet në zhvillim përfitojnë nga politika, të tilla si dispozitat e trajtimit të veçantë dhe të diferencuar, të cilat u japin afate më të gjata kohore shteteve në zhvillim për zbatimin e disa detyrimeve.

Por ndërsa SHBA i druhet privilegjeve që sipas saj merr Kina si vend në zhvillim, në fakt Kina përfiton shumë më pak nga sistemi ndërkombëtar në krahasim me të tjerët dhe kontribuon shumë më tepër sesa njihet gjerësisht. Për shembull, Kina, e cila u bashkua me OBT-në në vitin 2001, në kuadër të Raundit të Uruguait të reduktimeve të tarifave, ra dakord të ulë tarifat e saj mesatare industriale nga 42.7 në 9.5 për qind, ndërsa shtetet e tjera në zhvillim ranë dakord vetëm për të ulur tarifat e tyre në 31.4 për qind. Po kështu, Kina uli tarifat e saj bujqësore nga 54 në 15.1 për qind, në vend të 37.9 për qind për vendet e tjera në zhvillim.

Fatkeqësisht si në jetën sociale, ekonomike dhe politike ka një perceptim të gabuar sa i përket impaktit që dikush duhet të ketë, qoftë njerëzit në shoqërinë tonë apo qoftë shtetet në arenën botërore.

Sa i përket vendeve dhe shteteve, përgjithësisht është e vështirë për fuqitë e mëdha të pranojnë rolin e një  shteti që edhe pse është ende në zhvillim, të ketë një impakt global.

Kësisoj aspiratat kineze për stabilitet politik dhe ekonomik dhe kujdesi i Kinës ndaj rendit ndërkombëtar ekzistues duke qene me statusin e vendit në zhvillim, ka hapur një beteje të re nga Perëndimi.

Një betejë që do të minojë kontributin e Kinës përgjatë dekadës së fundit në stabilitetin botëror përmes zhvillimit të saj ekonomik.

Sot ndërsa gjendemi përballë një situate të pasigurt ekonomike botërore, Kina duke nxitur zhvillimin e vendeve të tjera edhe si një vend në zhvillim mbetet garantuese e stabilitetit dhe e paqes në rajon dhe në botë.

Marjana DODA