Përfaqësuesi i Kinës shpreh shqetësim për shkatërrimin e digës në Ukrainë
2023-06-07 20:31:15

Foto nga VCG

Përfaqësuesi i Kinës shprehu shqetësim të madh të martën për shkatërrimin e digës së hidrocentralit Kakhovka në Ukrainën Jugore.

Mbrojtja e civilëve dhe e objekteve civile të rëndësishme në një konflikt të armatosur është parim i rëndësishëm i sanksionuar në të drejtën ndërkombëtare humanitare, tha Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB.

"Ne shprehim shqetësimin tonë të madh për shkatërrimin e digës Kakhovka. Jemi thellësisht të shqetësuar për pasojat humanitare, ekonomike dhe ekologjike. U bëjmë thirrje të gjitha palëve në konflikt që të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të bëjnë sa munden për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile”, theksoi ai.

Shembja e digës ka shkaktuar përmbytje. Një numër i madh banorësh kanë nevojë urgjente për evakuim dhe dhjetëra mijë mund të përballen me vështirësi për ujë të pijshëm. Kina mbështet përpjekjet aktive të OKB-së e të agjencive humanitare për të ndihmuar në evakuimin e të prekurve, e ndjekur nga ndihma e mëtejshme, u shpreh Zhang në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit.

Rezervuari ku ndodhet diga, është gjithashtu një burim kryesor i ujit ftohës për termocentralin bërthamor Zaporizhzhia. Kina ka vënë re se drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike ka konfirmuar se shkatërrimi i digës nuk ka paraqitur ndonjë rrezik sigurie për termocentralin bërthamor Zaporizhzhia. Megjithatë, ndërsa uji në rezervuar vazhdon të zvogëlohet, mund të mos jetë e mundur të vazhdohet të pompohet ujë për termocentralin bërthamor në të ardhmen.

"Kina përsërit se, në rast të një fatkeqësie bërthamore, askush nuk është i imunizuar. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje maksimale, për shmangien e fjalëve dhe veprimeve që mund të përshkallëzojnë konfrontimin e të çojnë në llogaritje të gabuara, dhe për përpjekje për të ruajtur sigurinë e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia”, tha ai.

Kina është e shqetësuar për zvarritjen apo edhe përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës në Ukrainë. Ajo që sapo ka ndodhur, tregon edhe një herë se çdo gjë mund të ndodhë në një situatë konflikti. Lufta do të sjellë vetëm vuajtje më të mëdha dhe më shumë fatkeqësi, si dhe rreziqe të mëdha që është e vështirë të parashikohen, shtoi Zhang Jun.

Palët përkatëse duhet të vetdijësohen, të ushtrojnë përmbajtje dhe të rifillojnë bisedimet e paqes sa më shpejt. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të kursejë asnjë përpjekje me ndjenjë më të madhe urgjence për të krijuar kushte të favorshme për dialog e negociata dhe për rivendosjen e paqes, tha ai.

Asnjë palë, veçanërisht vendet me ndikim të rëndësishëm, nuk duhet të përshkallëzojnë tensionet, aq më pak të përpiqen të përfitojnë nga zgjerimi i krizave për të çuar përpara axhendën e tyre strategjike, shtoi ai.

Kina do të vazhdojë të qëndrojë në anën e paqes dhe, së bashku me partnerët e interesuar, do të bëjë përpjekje të pandërprera për të promovuar bisedimet e paqes dhe për të arritur një zgjidhje politike të krizës ukrainase, tha Zhang.(Çang Çuo)