Xi, letër urimi forumit të parë për fuqizimin kulturor të Kinës
2023-06-07 20:55:57

Foto nga VCG

Forumi i 1-rë për Ndërtimin e Fuqisë Kulturore të Kinës u hap të mërkurën pasdite në Shenzhen. Xi Jinping-u, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), president dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, i dërgoi një letër forumit, duke shprehur urime të ngrohta në emër të Komitetit Qendror të PKK-së.

Xi theksoi në letrën e urimit se PKK -ja ka bërë përpjekje që të krijojë lavdi të reja të kulturës socialiste. “Që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës, e kemi vendosur ndërtimin kulturor në një pozicion të spikatur në qeverisjen e vendit, kemi thelluar vazhdimisht të kuptuarit e ndërtimit kulturor, kemi promovuar zhvillimin e trashëgimisë kulturore dhe kemi arritur përparime në ndërtimin e një vendi me fuqi të madhe kulturore,” vuri në dukje ai.

Më tej Xi shtoi se duhet të zbatohen plotësisht Mendimi mbi Socializmin me Karakteristika Kineze në Epokën e Re dhe fryma e Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, të mbahet më mirë përsipër misioni i ri kulturor, të forcohet vetëbesimi kulturor, të mbështetet hapja e toleranca dhe të stimulohet inovacioni dhe krijimtaria kulturore e të gjithë kombit. “Nga një pikënisje e re historike,  duhet të vazhdojmë të promovojmë lulëzimin kulturor, të ndërtojmë një vend të fuqishëm kulturalisht dhe qytetërimin modern të kombit kinez, të vazhdojmë të promovojmë shkëmbimet dhe mësimin e ndërsjellë ndërmjet qytetërimeve njerëzore dhe t’i japim energji të fortë shpirtërore ndërtimit të një vendi të fortë e rilindjes kombëtare,” theksoi Xi Jinping-u. (Çang Çuo)