Përurohet ambasada e Kinës në Honduras
2023-06-06 14:31:07

Të hënën u përurua në Republikën e Hondurasit ambasada e Republikës Popullore të Kinës,  pas vendosjes më 26 mars të marrëdhënieve diplomatike zyrtare midis dy vendeve.

I ngarkuari me punë i ambasadës kineze Yu Bo u shpreh në ceremoninë e përurimit se Hondurasi kapi rastin historik, duke marrë vendimin e rëndësishëm për të njohur parimin e “një Kine”.

Foto:Xinhua

I ngarkuari me punë i ambasadës kineze Yu Bo me ministrin e Jashtëm të Hondurasit Eduardo Reina në ceremoninë e përurimit(Foto:Xinhua)

Me këtë vendim, Hondurasi u bë vendi i 182-të që vendos marrëdhënie diplomatike me Kinën, gjë që vlerësohet lart nga pala kineze, tha z. Yu. “Parimi i ‘një Kine’ është konsensus i komunitetit ndërkombëtar dhe një normë e marrëdhënieve ndërkombëtare që njihet gjerësisht”, shtoi ai.

Sipas tij, brenda më pak se tre muajsh pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike, Kina dhe Hondurasi kanë përshpejtuar bashkërendimin e bashkëpunimin në fusha si ekonomia, tregtia, bujqësia, shkenca e teknologjia, kultura, arsimi dhe media.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Hondurasit Eduardo Reina theksoi në ceremoninë e përurimit se vendimi për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën ishte një vendim i pavarur i marrë nga vendi i tij. Ai tha se vendimi ka diversifikuar marrëdhëniet ndërkombëtare të Hondurasit, duke e bërë që të qëndrojë në të njëjtën anë me shumicën e vendeve të botës që njohin parimin e “Një Kinë”.

Foto:VCG

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang dhe homologu i tij hondurian Eduardo Reina në ceremoninë e nënshkrimit të komunikatës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, 26 mars, 2023(Foto:VCG)

“Duke iu përmbajtur këtij parimi, Hondurasi është i gatshëm të nxitë bashkëpunimin tregtar me Kinën dhe të përmirësojë infrastrukturën, duke e rritur mirëqenien e popullit hondurian dhe lulëzimin shoqëror,” tha kryediplomati i Hondurasit.

Rreth 200 veta morën pjesë në ceremoninë e së hënës, duke përfshirë zv.presidentin e dytë të Hondurasit, Doris Gutierrez, si dhe zyrtarë të qeverisë, parlamentarë, përfaqësues të misioneve diplomatike dhe të organizatave ndërkombëtare në Honduras, si edhe përfaqësues nga institucionet, kompanitë dhe komunitetet kineze në këtë vend të Amerikës Qendrore.

Kina dhe Hondurasi i vendosën marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadorësh më 26 mars, fill pasi Hondurasi vendosi të ndërpresë “lidhjet diplomatike” me rajonin e Tajvanit.

"Qeveria e Republikës së Hondurasit pranon se ka vetëm një Kinë në botë, qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson të gjithë Kinën dhe Tajvani është një pjesë e pandashme e territorit të Kinës," thuhet në Komunikatën e Përbashkët për Vendosjen e Marrëdhënieve Diplomatike ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Hondurasit.

Punëtorë heqin tabelën e varur te muri i ndërtesës së zyrës së autoriteteve tajvaneze në Honduras(Foto:VCG)

Punëtorë heqin tabelën e ndërtesës së autoriteteve tajvaneze në Honduras, 27 mars 2023(Foto:VCG)

Komunikata u nënshkrua nga ministri i Jashtëm kinez Qin Gang dhe homologu i tij hondurian Eduardo Reina.

Të dy qeveritë bien dakord të zhvillojnë marrëdhënie miqësore mbi bazën e respektimit të ndërsjellë të sovranitetit dhe tërësisë territoriale, mossulmimit të ndërsjellë, mosndërhyrjes në punët e brendshme të njërit-tjetrit, barazisë, përfitimeve të ndërsjella dhe bashkëjetesës paqësore.

Vendimi i Hondurasit e zvogëlon numrin e vendeve që njohin nga ana diplomatike Tajvanin në 13.(Zhang Yan/Artan)