Festivali i Kitarës, mbështetja e muzikës dhe talenteve të reja
2023-06-06 10:55:12

Posteri i festivalit (Foto Festivali)

Posteri i festivalit (Foto Festivali)

Festivali i Kitarës ka arritur në edicionin e tij të 7-të dhe entuziazmi për këtë event muzikor është përherë e në rritje. Edicioni i sivjetshëm vazhdon traditën e përkushtimit ndaj muzikës, por dhe mbështetjen e talenteve të reja. Të rinjtë, virtuozët dhe profesionistët e kitarës do të marrin pjesë në këtë festival, i cili njihet për promovimin e muzikës së kitarës në të gjitha  formatet dhe stilet e saj. Nga flamenco deri tek ajo klasike, nga jazz-i te rock-u, publiku do të kenë mundësinë të shijojë interpretimin e muzikantëve më të mirë të kitarës, si të solistëve, por edhe nga grupet e muzikës ansamble. Përveç koncerteve, festivali ofron edhe mundësinë e seminareve dhe masterklasat, e drejtuara nga artistët e njohur, të cilët ndajnë dijen dhe përvojën e tyre me talentet e reja. Këto seksione intensive janë një rast i shkëlqyeshëm për t'i frymëzuar dhe udhëhequr muzikantët e rinj drejt një karriere të suksesshme në botën e muzikës.

Drejtori Artistik i festivalit, Dr. Denis Bizhga flet në Radio Ejani  për këtë edicion të Festivalit të Kitarës

Denis Bizhga (Foto nga instagram)

Denis Bizhga (Foto nga instagram)

CMG: Për të gjithë virtuozët e kitarës mbahet këtë vit edicioni i 7-të i Festivalit të kitarës “Albania guitar festival”. Si nisi për të arritur deri më sot?

Denis Bizhga: Festivali i kitarës nisi si një bashkim midis miqsh. Ishte dëshira e mirë për të bërë diçka, për të kontribuar në skenën e kitarës klasike dhe për këtë arsye në edicionin e parë kishim të ftuar 3 kitaristë shqiptarë, por me karrierë vende të ndryshme të Evropës si, Jon Gjylaci me veprimtarinë e tij në Manchester të Mbretërisë së Bashkuar,  nga Kosova Drilon Çoçaj, për të arritur deri më sot ku kemi ndër emrat më të njohur të kitarës klasike  në rang evropian, por edhe botëror. Janë artistë të famshëm për lojën e tyre solistike, por edhe me risitë duke gërshetuar kitarën me instrumentet e tjerë siç është “duo” që kemi nga Austria kitarë dhe flaut.

CMG: A është e vështirë t’i bësh bashkë artistët nga vende të ndryshme të botës? Nga cilat vende marrin pjesë këtë vit?

Denis Bizhga: Është e vështirë pasi artistë të një niveli të caktuar kanë agjendat e tyre dhe gjithmonë mundohem që në programacionin e festivalit të ketë artistë që mund t’i shkojnë publikut shqiptar. Përzgjedhja e artistëve nuk bëhet e rastësishme. Këtë  vit do të kemi artistë nga Spanja, Danimarka, Austria, Italia dhe mendoj se është një shkrirje mes kitarës klasike dhe pak kitarës flamengo që do të sjellë shumë interes për publikun kryeqytetas, por edhe për publikun në rrethe ku do të shëtisim me festivalin e kitarës.

CMG: Çfarë do të ketë ndryshe në këtë edicion?

Denis Bizhga: Prej disa vitesh nëpërmjet muzikës mundohemi të promovojmë vlerat më të mira kulturore që vendi ynë ka. Një vend interesant që ne do vizitojmë do të jetë  Kisha e Shelbuemit në Rubik, një kishë me vlera të jashtëzakonshme si historike edhe arkeologjike. Aty do të kemi performancë nga artistë të ndryshëm. Një risi do të jetë një duo nga Danimarka, të cilët kanë përshtatur këngë shqiptare për këtë duo, ku do të performojnë në disa qytete të Shqipërisë si në Krujë, Korçë, Pogradec, gjithmonë duke hapur një kulturë kitaristike në disa vende të Shqipërisë. 

Kitaristi Marco Battaglia (Foto personale)

Kitaristi Marko Battaglia (Foto personale)

Pjesëmarrja dhe programi i Festivalit të Kitarës

Pjesëmarrës në këtë edicion të festivalit do të jenë personalitete të njohura të botës së kitarës. Njëri prej tyre është Marko Battaglia, një virtuoz i kitarës nga Italia, i cili do të sjellë një performancë emocionuese dhe teknikisht të përkryer për publikun.

Marko Battaglia performoi më 3 qershor në sallën “Tonin Harapi” në Tiranë me një kitare historike një program të shumëllojshëm ku përfshinte kompozitorë të periudhës së vieve 1800-të, duke përmendur Mauro Giuliani, Johan Kaspar Mertz dhe Giulio Regondi,  me një ndjesi autentike të muzikës së kohës së romantizmit.

Më 6 qershor në Krujë  duo nga Danimarka Gantriis-Zimmermann  do ofrojë për publikun një udhëtim magjepsës nëpër një hartë muzikore të botës, ku muzika popullore dhe këngët e vendeve të ndryshme riinterpretohen ose aranzhohen në atë mënyrë që të lindë muzika e re, frymëzuar nga traditat.

Nga Viena, duo Pavlova - Böhm do të sjellë më 16 qershor në Elbasan dhe 17 qershor në sallën “Tonin Harapi” në Tiranë "Danub Impressions". Një program muzikor që përmban vepra të kompozitorëve vjenezë dhe të tjerë, të cilët kanë pasur një lidhje të veçantë me qytetet dhe vendet ku Danubi kalon. Me kompozimet e tyre të shkruara në periudhën klasike, synojnë të çojnë publikun në traditat vjeneze, ku Franz Schubert dhe Mauro Giuliani kanë krijuar muzikën e tyre të paharrueshme.

Kitaristi Jose-maria-gallardo-del-rey-(Foto personale)

Kitaristi Jose-maria-gallardo-del-rey-(Foto personale)

I gjithë synimi është që artistët të prezantojnë një gamë të gjerë të repertorit të muzikës së dhomës, duke përfshirë vepra të kompozitorit të njohur hungarez Bella Bartok, Johann Kaspar Mertz, i lindur në Bratislavë dhe Atanas Ourkousounov nga Bullgaria. Kjo përvojë muzikore është një udhëtim nëpër shekuj dhe një rrugëtim muzikor nëpër Evropë, duke u kthyer pas në kohë në epokën e artë të muzikës klasike,e duke krijuar një lidhje të veçantë me traditat e muzikës së shkruar në kohën e shkëlqimit të Vjenës.

Ndërsa  kitaristi i famshëm Jose Maria Gallardo del Rey do të performoj në 1 korrik në sallën “Tonin Harapi” në Tiranë. Gallardo del Rey është një personalitet i njohur në botën e muzikës për virtuozitetin e tij dhe interpretimet e mrekullueshme.

Në hapjen e Javës së kulturës spanjolle në Shqipëri, kitaristi i famshëm Jose Maria Gallardo del Rey do të performojë një program të veçantë që përfshin kompozitorë spanjollë, ku do të shfaqë veprat më të njohura të kompozitorëve spanjollë si Francisco Tárrega, Isaac Albéniz dhe Joaquín Rodrigo. Ky program tërheqës dhe emocionues do të sjellë në pah pasurinë dhe diversitetin e muzikës spanjolle, duke e hapur Javën e kulturës spanjolle në Shqipëri.

Intervistoi: Sava Lena

Artistë pjesmarrës  në Festival

Artistë pjesmarrës në Festival