PE i bën thirrje Shqipërisë të përmbushë kriteret e anëtarësimit deri në vitin 2030
2023-05-26 10:18:27

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi raportin vjetor për Shqipërinë, ku vlerësohen reformat e arritura dhe udhëzohet vazhdimi i tyre. 

Mes rekomandimeve dallon përcaktimi i vitit 2030 si kufi për arritjen e reformave që i nevojiten anëtarësimit bashkë me kryerjen urgjente të reformës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, shkruan “RTSH”.

Shqipëria është cilësuar si një aleat i rëndësishëm gjeopolitik dhe një partner i besueshëm.

“Shqipëria është një partner i besueshëm i politikës së jashtme dhe mbetet një aleat i rëndësishëm gjeopolitik falë përpjekjeve të saj për të çuar përpara bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”,- thuhet në raport.

Eurodeputetët e Komitetit të Jashtëm, në diskutimin e raportit vjetor për Shqipërinë, kanë ndarë në thirrjen e tyre për të ruajtur fokusin e reformave integruese dhe faktin e rëndësisë së Shqipërisë për Bashkimin Europian. 

Eurodeputetët përshëndetën angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në BE. 

Eurodeputetët mirëpritën faktin që qeveria shqiptare ka mbajtur fokusin e saj në reformat në lidhje me BE-në, ka përforcuar strukturën e saj koordinuese për integrimin europian dhe rolin e parlamentit në procesin e integrimit në BE duke amenduar ligjin përkatës. Në të njëjtën kohë thirrja e raportit është që vendimmarrësit të punojnë së bashku drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit jo më vonë se 2030. Shpallja e një objektivi të tillë i jep një lloj date pritshmërisë europiane për anëtarësimin e Shqipërisë, ndërsa eurodeputetët i kërkojnë qeverisë të intensifikojë përpjekjet në forcimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, gjyqësorit, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

Po ashtu sipas raportit, Shqipëria duhet të garantojë lirinë e medias duke shtruar detyrën e miratimit të një kuadri ligjor që mbron gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe palët e tjera të interesuara nga paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike. 
Dokumenti thekson se qeveria duhet të avancojë më tej axhendën e reformave të BE-së në bashkëpunim me opozitën dhe të gjitha segmentet e shoqërisë. Raporti dënon konfrontimin e qëndrueshëm politik, veprimet përçarëse dhe retorikën nxitëse nga politikanët dhe zyrtarët e nivelit të lartë, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një kulture parlamentare konstruktive duke nxitur konsensusin midis të gjithë aktorëve politikë. 

Eurodeputetët bëjnë thirrje për rezultate shtesë në luftën kundër krimit kibernetik, trafikimit të qenieve njerëzore dhe pastrimit të parave. (Irma)