Teknologjitë inteligjente promovojnë mbrojtjen e kafshëve të egra në Kinë
2023-05-26 11:05:38

foto nga

Pandat e egra gjigante në Parkun Kombëtar të Kinës  / foto nga CFP

Në vitin 2021, Kina krijoi grupin e parë të parqeve kombëtare, duke mbuluar gati 30 për qind të specieve kryesore të kafshëve të egra tokësore që gjenden në vend.

Sistemet inteligjente të monitorimit kanë ofruar një mundësi të re për të mbrojtur kafshët e egra në këto parqe kombëtare, sipas një raporti të fundit nga “Science and Technology Daily”.

Në Rezervatin Natyror Kombëtar Baishuijiang në provincën Gansu të Kinës Veriperëndimore, stafi i rezervatit në të kaluarën duhej t’i numëronte pandat duke mbledhur jashtëqitjet e tyre, qimet dhe materiale të tjera organike. Kjo metodë kishte shumë mangësi, si konsumimi i fuqisë punëtore dhe kohës.

Pas instalimit të sistemit të monitorimit inteligjent, kur kafshët e egra hyjnë në zonën e monitoruar, sistemi mund t'i fotografojë ato automatikisht dhe të identifikojë me saktësi llojin e tyre.

Stafi i rezervatit tani mund ta ndjekë situatën në kohë reale në zyrat e tij, duke përmirësuar efikasitetin e monitorimit dhe mbrojtjes së kafshëve të egra.

Në Parkun Kombëtar Sanjiangyuan në provincën Qinghai të Kinës Veriperëndimore, një platformë ajrore monitorimi, e montuar në helikopterë dhe balona të lidhura, përmirëson mbledhjen dhe menaxhimin e të dhënave të monitorimit mjedisor, efikasitetin e zhvillimit dhe ndarjes së produktit të të dhënave dhe nivelin e vendimmarrjes.

Sipas autoriteteve të Parkut Kombëtar Sanjiangyuan, shkalla e mbulimit të bimësisë së kullotave të parkut arriti në 67.31 për qind me ndihmën e platformës së monitorimit. Antilopa tibetiane, specia kryesore e parkut, u rrit nga më pak se 20,000 në fazën fillestare në rreth 70,000 deri në fund të 2022-shit.

Parku Kombëtar Sanjiangyuan në provincën Qinghai të Kinës Veriperëndimore/ foto nga CFP

Kamerat me rreze infra të kuqe

Kamerat me rreze infra të kuqe janë pajisje të përditshme për hetimin e kafshëve të egra. Kur kafshët e egra hyjnë në zonën e sensorit të një kamere me rreze infra të kuqe, një modul ndijues aktivizon kamerën për të bërë foto ose video.

Qendra e Konservimit Shan Shui (një organizatë mjedisore ekologjike), Universiteti i Pekinit, dhe partnerë të tjerë kanë kryer hetime me kamera me rreze infra të kuqe në Qinghai, Tibet, Sichuan, Yunnan dhe Pekin që nga viti 2011.

Përdorimi i gjerë i kamerave me rreze infra të kuqe i ndihmon studiuesit të regjistrojnë imazhe të aktivitetit të shumë specieve, të vështira për t'u vëzhguar përpara teknologjisë, tha Zhao Xiang, një menaxher i lartë qendre.

Bazuar në akumulimin afatgjatë të këtyre imazheve, mund të kryhen kërkime të vazhdueshme mbi ritmin e aktivitetit të specieve, përzgjedhjen e habitatit dhe marrëdhëniet ndërmjet specieve, duke ndihmuar kështu rezervatet të hartojnë  më shumë strategji të bazuara në shkencë.

Pas përhapjes së imazheve të kafshëve të egra në internet, njohuritë dhe të kuptuarit e publikut të gjerë për jetën e egër gjithashtu janë përmirësuar ndjeshëm, shtoi ai.

Sipas Zhao, gjurmimi nëpërmjet qaforeve me GPS dhe gjenetika përdoren gjithashtu gjerësisht në monitorimin dhe kërkimin e jetës së egër.

 Për shembull, duke nxjerrë ADN-në nga feçet dhe qimet e kafshëve, studiuesit mund të studiojnë marrëdhëniet gjenetike mes popullatave të ndryshme të kafshëve të egra.

foto nga

Grupi i majmunëve të artë në zonën e mbrojtjes natyrore në provincën Sichuan të Kinës Jugperëndimore/ foto nga CFP

Identifikimi me inteligjencën artificiale

Identifikimi individual i kafshëve të egra ka qenë i vështirë. Për shembull, identifikimi individual i majmunëve të artë bëhej me anë të shënimit manual, gjë që shpesh kërkonte që një studiues të vëzhgonte për një ose dy muaj.

Zoologu Guo Songtao në Universitetin Veriperëndimor të Kinës dhe disa ekspertë të shkencave kompjuterike përdorën parimin e rrjeteve nervore dhe zhvilluan për herë të parë sistemin e njohjes individuale të majmunit të artë, duke realizuar identifikimin e saktë dhe gjurmimin e marrjen e mostrave të vazhdueshme të individëve të majmunëve të artë.

"Ne nuk mund të etiketojmë mijëra majmunë të artë në natyrë",- tha ai, duke shtuar se njohja tradicionale e ADN-së nga feçet ose qimet nuk plotëson nevojën për njohje në kohë reale.

 Aktualisht, saktësia mesatare e njohjes së sistemit ka arritur në 94 për qind. Në të kaluarën, ai fokusohej në njohjen e primatëve, por tani është zgjeruar në më shumë se 40 kafshë të ndryshme, si qentë dhe macet.

 Përveç majmunëve, objektivi i identifikimit me inteligjencën artificiale janë edhe macet e mëdha.

Administrata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave ka punuar me Institutin e Teknologjisë Harbin për të zhvilluar një platformë të zgjuar për të monitoruar jetën e egër.

Ajo përdori teknologji të tilla si perceptimi i Internetit të Gjërave, të dhënat e mëdha dhe vizioni inteligjent i makinerive për të identifikuar tigrat siberianë, leopardët Amur dhe gjahun e tyre.