Samiti Kinë-Azi Qendrore, një epokë e re bashkëpunimi
2023-05-22 09:51:51

Foto nga VCG

Foto nga VCG

CMG: Samiti Kinë-Azi Qendrore është i pari i këtij lloji që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet tyre në vitin 1992. Si e komentoni mbajtjen e këtij samiti pikërisht tani, ndërsa diplomacia kineze e ka nisur këtë vit me veprimtari të njëpasnjëshme në mbarë botën?

Silva Doçi: Skena politike është përgatitur mjaft mire, ku çdo gjë ka një kuptim të veçantë. Është një përvjetor i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe këtyre shteteve, por dhe i forcimit të tyre, duke kujtuar se para dhjetë viteve filloi iniciativa “Një brez, një rrugë”. Edhe zgjedhja e qytetit për të zhvilluar këtë samit është shumë domethënëse, sepse Xian në kohët e lashta shënon fillimin e Rrugës së Lashtë të Mëndafshit.

CMG: Xian në atë kohë të lashtë njihej me emrin Chang an dhe këto evente për ju studiuesit janë të lidhura, besoj

Silva Doçi: Po patjetër. Rruga e Mëndafshit apo rruga e tregtisë dhe e marrëdhënieve të Kinës me Azinë Qendrore e deri në Europën tone, fillonte pikërisht nga Xian. Prandaj e shoh si të mirëmenduar zgjedhjen e këtij qyteti për zhvillimin e Samitit. Diplomacia kineze e quan këtë samit si një hap shumë të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes palëve që kanë filluar para 31 vitesh. Do ta quaja dhe një model të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Diplomacia kineze synon të krijojë modele të reja me në qendër paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin. Këto vende janë fqinjë të Kinës dhe kanë dhe një mendësi politike të afërt me Kinën.

Kujtojmë se dolëm nga pandemia dhe gjatë kësaj periudhe pandemike u zhvilluan dy samite online të zhvilluara mes Kinës dhe këtyre vendeve, por jo në përmasë të tillë sa samiti që u zhvillua këto ditë. Një samit i zhvilluar ballë për ballë mes palëve ka një rëndësi të veçantë. Në ditët e para të takimit u zhvilluan takime mes pales kineze dhe vendeve të Azisë Qendrore. Edhe mbërritja e presidentëve të këtyre vendeve ishte interesante, ku përfaqësuesit e lartë të Kazakistanit dhe Turkmenistanit mbërritën të parët. Ndërkohë që kujtojmë se presidenti kinez pas pandemisë vizitoi pikërisht këto vende.

Me këtë samit Kina dëshiron të shprehë qëndrimin e saj të hapur për bashkëpunim, biznes, për vazhdimin e nismës “Një brez, një rrugë”.

CMG: Vendet e Azisë Qendrore kanë shumë projekte në kuadër të nismës kineze “Një brez, një rrugë”, në infrastrukturë, porte, hekurudha, investime, kulturë dhe shkëmbime njerëzore. Ky samit duket si një stacion për të vijuar këto vende rrugën e bashkëpunimit.

Silva Doçi: Pikërisht vendet e Azizë Qendrore përbëjnë pjesën “një brez” të nismës, pra të rrugës tokësore të saj. Siç kalonin në kohët e lashta tregtarët me karvanet e tyre nëpër këtë rrugë, tashmë flasim për hekurudha, autostrada, për zhvillime të mëdha, për pasuritë natyrore të të dyja palëve në përfitim të ndërsjellë. Ishte viti 2012 kur presidenti kinez Xi Jinping përmendi iniciativën për të ecur drejt perëndimit dhe në 2013 pikërisht në Kazakistan ai prezantoi “Një brez, një rrugë”.

Në këtë 10 vjeçar të nismës është koha e duhur për të pare ecurinë e saj.

CMG:Presidenti kinez Xi Jinping parashtroi  në Samit kursin për bashkëpunimin Kinë-Azi Qendrore në epokën e re, në një takim të rëndësishëm me udhëheqësit e pesë vendeve të Azisë Qendrore. Si e komentoni fjalën e tij në Samit?

Silva Doçi: Presidenti Xi dhe diplomacia kineze gjithmonë theksojnë miqësinë midis Kinës dhe vendeve të tjera. Edhe ky samit ishte një përforcim i kësaj miqësie. Presidenti Xi dhe homologët nga Azia Qendrore theksuan në samit vazhdimin e kësaj miqësie për një kohë të gjatë. Madje njeri nga presidentët e Azisë Qendrore përmendi shprehjen “në të mire dhe në të keq” lidhur me vijimin e miqësisë.

Presidenti Xi nuk e shtroi këtë marrëdhënie miqësie vetëm në aspektin ekonomik, por dhe atë kulturor, të shkëmbimeve midis njerëzve, si dhe infrastrukturën në shërbim të turizmit.

CMG: Ndërkohë nga diplomacia kineze e kreut të shtetit u paraqit në samit një plan prej 8 pikësh.

Silva Doçi: Në këtë plan me 8 pika ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik, stabilitetin dhe sigurinë, shkëmbimet kulturore në këtë rajon. Diplomacia kineze tashmë nuk është vetëm e përfshirë në rajonin e Azisë Qendrore, por dhe më gjerë.

CMG: Një pike e rëndësishme ishte dhe bashkëpunimi rajonal në ndihmë të Afganistanit, të ruajtjes së paqes dhe sigurisë, por dhe ndihma për zhvillim. Gjithashtu në këtë plan parashihen shkëmbime në infrastrukturë, krijimi i një korridori të ri, por dhe investimet, shkëmbimet turistike etj.

Silva Doçi: Përkrahja e stabilitetit të këtyre vendeve dhe përfshirja e Afganistanit në këtë plan paraqet një interes të veçantë jo vetëm për studiuesit por dhe për politikat ndërkombëtare. Me këtë plan presidenti Xi tregon se diplomacia kineze është shumë e përfshirë jo vetëm me vendet fqinje, por dhe rajonale e më gjerë. Një shprehje kineze thotë “Nëse do të zhvillohesh ndërto rrugë”, sepse kështu afrohesh me të tjerët dhe kemi të bëjmë me një filozofi të Kinës në marrëdhëniet me fqinjët.

CMG: Kina po punon për të nxitur një rrugë kineze për modernizimin, kurse vendet e Azisë Qendrore po shpejtojnë zhvillimin duke mirëpritur forcimin e bashkëpunimit me Kinën. Ku bazohet më së shumti bashkëpunimi Kinë-Vendet e Azisë Qendrore?

Silva Doçi: Agjenda kryesore e samitit ka qenë nisma “Një brez, një rrugë”, duke filluar nga infrastruktura rajonale dhe duke krijuar lidhje në rajon.Ndërkohë presidenti Xi theksoi që ky samit të bëhet në vijim dhe nuk është një samit që mbahet vetëm një here.

CMG: Tashmë samiti që do të mbahet një here në dy vjet si dhe do të ketë mekanizmat e vet që do ta vënë në lëvizje. Ndërkohë sipas të dhënave zyrtare pas pandemisë shkëmbimet midis Kinës dhe Azisë Qendrore janë rritur në të gjitha fushat e bashkëpunimit.  Kina dhe pesë vendet e Azisë Qendrore janë vende në zhvillim dhe qeveritë e tyre janë pozicioniar në mbrojtje të multilateralizmit dhe ligjit ndërkombëtar, duke e përkrahur njëra-tjetrën në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar e të tërësisë territoriale. Në këtë aspekt çfarë solli ky samit?

Silva Doçi: Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare i quajnë Kinën dhe vendet e Azisë Qendrore si vende me mendësi të afërt sa i përket politikës dhe zhvillimit të tyre dhe kjo e bën më të lehtë bashkëpunimin.  Këto vende nuk kanë pasur probleme mes tyre dhe ky është një hap i madh në marrëdhëniet e tyre. Diplomacinë kineze të kreut të shtetit e karakterizojnë premtimet konkrete në një kohë konkrete. Ai i ka risiguruar këto vende që Kina dëshiron të ndihmojë dhe të jetë prezente në zhvillimin e rajonit, Presidentët e vendeve të Azisë Qendrore pas këtij samiti kthehen në vendet e tyre me një plan konkret sa i përket bashkëpunimit me Kinën dhe pritet që në vitet e ardhëshme marrëdhënia mes tyre të fokusohet në planin 8 pikësh të paraqitur në Samit nga presidenti Xi.

CMG: Në mbyllje të Samitit Kinë-Vendet e Azisë Qendrore presidenti kinez Xi Jinping dhe liderët shtetërorë të pesë vendeve të Azisë Qendrore kanë nënshkruar Deklaratën e Xian-it dhe kanë miratuar Listën e Arritjeve të Samitit Kinë-Azi Qendrore.Vlerësimi juaj për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit Kinë-Azi Qendrore?

Silva Doçi: Deri tani Kina me secilin prej këtyre vendeve ka marrëveshje ekzistuese, por Samiti i Xian-it i përmbledh të gjitha këto marrëveshje.Nga agjendat dypalëshe të bashkëpunimit në sajë të samitit u krijuan agjenda rajonale dhe ky është një ndër sukseset e këtij samiti.

CMG: Kjo lidhet dhe me konceptin kinez të fateve të përbashkëta të njerëzimit

Silva Doçi: Sigurisht. Askush nuk mund të jetojë vetëm. Si njeriu ashtu dhe shtetet nuk mund të funksionojnë vetëm. Ne flasim për globalize, por Kina preferon të hedhë hapat e bashkëpunimit dypalësh, atij rajonal dhe më gjerë.

CMG: Kina dhe Vendet e Azisë Qendrore kanë një histori të lashtë bashkëpunimi që nga Rruga e Mëndafshit, kur janë hedhur hapat e pare për ardhur deri në ditët tona. Me sa duket mes Kinës dhe Azisë Qendrore ka dhe mundësi të tjera bashkëpunimi

Silva Doçi: Gjithmonë ka mundësi për të përparuar qoftë në aspektin ekonomik, infrastrukturë, kulturë, por dhe në teknologjinë 5G, mbrojtja e klimës, digjitalizimi apo ekonomia e gjelbër.

CMG: Kina, ekonomia e dytë botërore ofron mundësi për këto vende që të përfitojnë nga zhvillimi dhe eksperienca e saj, ashtu siç ndodhi gjatë pandemisë. Burrat e shtetit të këtyre vendeve kanë vlerësuar ndihmën që Kina u ka dhënë në momente të vështira kur u përballën me pandeminë Covid 19.

Silva Doçi: Në këto lloj marrëdhëniesh nuk shihet sa shumë merr apo sa shumë jep. Për aq kohë sa vendet ndërveprojnë dhe qëllimi i tyre është e mira e rajonit dhe e të gjithëve, që diplomacia kineze e thekson, atëhere ky bashkëpunim pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Intervistoi Eda Merepeza