Baiyun-i i Guangzhou-t do të kthehet në një grup logjistike të nivelit botëror
2023-05-09 15:05:35

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Përballë turbullirave të ekonomisë globale, një zinxhir furnizimi logjistik i besueshëm dhe i qëndrueshëm është më vendimtar se kurrë dhe grupet industriale logjistike shihen si një zgjidhje efektive për menaxhimin e zinxhirit të furnizimit.

Në distriktin Baiyun, një qendër logjistike e njohur në metropolin jugor kinez të Guangzhou-t, u mbajt javën e kaluar Samiti Ndërkombëtar i Industrisë Logjistike. Zyrtarë qeveritarë, përfaqësues të ndërmarrjeve dhe ekspertë logjistike vendës e të huaj ndoqën këtë veprimtari.

Stacioni Hekurudhor Baiyun i Guangzhou-t, një nga veprat kryesore të transportit në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao, pritet të hapet këtë vit. Porti Ndërkombëtar i Guangzhou-t shërben tani si një qendër e rëndësishme e transportit të mallrave Kinë-Evropë, duke lehtësuar logjistikën midis Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao të Kinës, Azisë Qendrore, vendeve euroaziatike dhe Evropës në përgjithësi.

Aeroporti Ndërkombëtar Baiyun i Guangzhou-t ndodhet tani në fazën e tretë të zgjerimit, çka vlerësohet se do të rritë zonën e përgjithshme të terminalit të mallrave në më shumë se 1 milion metra katrorë, me një kapacitet të trajtimit të mallrave të këtij terminali  6 milion ton në vitin 2025.

Kina tani ka sektorin më të madh të logjistikës në botë, duke kryesuar lidhur me vëllimin e transportit të mallrave dhe numrin e tyre. Të ardhurat e përgjithshme të sektorit arritën 12 trilionë juanë (1.74 trilionë dollarë) më 2021, sipas Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës.

Sipas planit të 14-të pesëvjeçar të Guangzhou-t (2021-2025), ky qytet do të ngrejë pesë qendra logjistike super të mëdha dhe 10 qendra logjistike të mëdha, për të konsoliduar më tej vendin e vet si një ndër qendrat kryesore ndërkombëtare të logjistikës në botë.