Panairi i Kantonit dhe sipërmarrësit shqiptarë
2023-05-05 11:10:14

Ilirjan Koxhioni (Foto CMG)

Ilirjan Koxhioni (Foto CMG)

Edicioni i 133-të i Panairit Ndërkombëtar të Importeve dhe Eksporteve të Kinës, i njohur botërisht si Panairi i Kantonit, nisi më 15 prill në qytetin Guangzhou, provincën Guangdong të Kinës Jugore dhe e vijoi aktivitetin deri sot më datën 5 maj. Ai përfaqëson panairin më të madh tregtar të organizuar ndonjëherë në botë, pas rifillimit të plotë të pavioneve të tij me prani fizike, për herë të parë që nga koha e shpërthimit të pandemisë së COVID-19.

Panairi i Kantonit, i cili zhvillohet çdo vit në pranverë dhe vjeshtë, është shndërruar në një pasqyrë të pazëvendësueshme dhe të besueshme të tregtisë së jashtme të Kinës dhe të vitalitetit të ekonomisë së saj, përherë në zgjerim dhe përmirësim të vazhdueshëm, jo vetëm të sasisë, por edhe të cilësisë së mallrave dhe shërbimeve.

Ilirjan Koxhioni, Drejtor Ekzekutiv i Euroasia Group, një kompani me shtrirje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, partnere e disa kompanive kineze shtetërore dhe private me rëndësi, ishte pjesëmarrës i Edicionit të 133-të të Panairit të Kantonit. 

CMG: Z. Koxhioni, pse Panairi i Kantonit është një hapësirë shkëmbimesh dhe bashkëpunimi shumë e dobishme edhe për ne?

Ilirjan Koxhioni: Panairi i Kantonit e ka filluar aktivitetin e tij që në vitin 1957. Që nga ai vit e në vijim, gradualisht panairi është shndërruar në një barometër shumë të besueshëm për tregtinë e jashtme të Kinës, duke shërbyer kështu si një platformë bashkëpunimi për tregtinë ndërkombëtare.

Kjo platformë bashkëpunimi për vite të tëra ka ndikuar në forcimin e marrëdhënieve tregtare mes Kinës dhe më shumë se 220 vendeve të botës.

Indekset e organizmave ndërkombëtare tregojnë se për 35 vitet e fundit, tregtia ndërkombëtare, pra tregtia botërore është rritur dy herë më shpejt se sa ekonomia globale. Në themel të këtij zhvillimi, Kina ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Ajo ka qenë një faktor vendimtar ekonomik, në dy aspekte. Së pari, në aspektin prodhues dhe, së dyti, në atë tregtar.

Vitaliteti i ekonomisë kineze, e cila vjen në zgjerim dhe në përmirësim të vazhdueshëm, duket qartë, si në sasinë e mallrave dhe shërbimeve, ashtu edhe në cilësinë e tyre. Parë nga ky këndvështrim, mendoj se Panairi i Kantonit është një hapësirë shumë e rëndësishme shkëmbimesh dhe bashkëpunimi edhe për vendin tonë.

Mendoj se të gjitha bizneset shqiptare ia vlen t’i drejtojnë sytë në këtë panair, për arësyet e lartpërmendura. Mbi të gjitha, kjo platformë bashkëpunimi ndihmon dhe lehtëson procedurat e marrëdhënieve midis biznese të të dyja vendeve tona.    

Ilirjan Koxhioni ne Panairin  e Kantonit (Foto personale)

Ilirjan Koxhioni ne Panairin  e Kantonit (Foto personale)

CMG: Ju ishit në këtë edicion të Panairit në Guangzhou, i pari me prani fizike, pas pandemisë së COVID-19. Cilat janë përshtypjet tuaja?

Ilirjan Koxhioni: Si sipërmarrës i Auroasia Group, isha i ftuar të merrja pjesë në datën 14 prill në ceremoninë dhe fjalimet e hapjes së Edicionit të 133-të të Panairit Ndërkombëtar të Eksporteve dhe Importeve të Kinës, që tashmë ne e njohim me emrin Panairi i Kantonit.

Më 15 prill Panairi i Kantonit i rihapi dyert për të gjitha bizneset dhe sipërmarrësit nga çdo vend i botës, si dhe për bizneset e veta me një pjesëmarrje fizike. Kjo ishte një ndjesi e veçantë për të gjithë pjesëmarrësit këtë radhë.  Ishte një pjesëmarrje masive dhe reflektoi edhe njëherë domosdoshmërinë e pranisë fizike në këto lloj panairesh. Është gjithmonë në natyrën njerëzore që t’i preki gjërat fizikisht. Të japë mendime të drejtpërdrejta konkrete. Kështu që, në këtë aspekt, panairi përfaqësoi një frymëmarrje të vërtetë.

Nga viti 2020 deri në vitin 2022, kanë qenë katër edicione: edicionet 129, 130, 131 dhe 132, si edicione të Panairit të Kantonit, të cilat u zhvilluan në platformën e tyre online. Natyrisht që ky lloj organizimi kishte vështirësitë e veta për të gjitha bizneset në të gjitha vendet e botës. Periudha e pandemisë u shndërrua në një sfidë më vete për bizneset. Në këto kushte, si Euroasia Group, në një partneritet strategjik me Qendrën e Tregtisë së Jashtme të Kinës, ne e pamë të arësyeshme të organizonim disa evente të Panairit të Kantonit, për vende të ndryshme të rajonit të Evropës Juglindore. I filluam këto aktivitete me Shqipërinë, duke qenë se selia e Euroasia Group ndodhet në Tiranë, në Shqipëri.

Kishte një interes të shtuar të bizneseve për këto aktivitete. Morën pjesë 70-80 biznese në atë kohë. Ky interes i shtuar u lexua nga ana jonë si një nevojë e këtyre bizneseve për të dalë nga situata e vështirë, që kishte krijuar periudha e pandemisë nga Covid-19.

Rezultatet e aktiviteve ishin pozitive. Sikurse u organizuan eventet në Shqipëri, u organizuan edhe në vende të tjera, si në Greqi, në Maqedoninë e Veriut, etj. Mendoj se pjesëmarrësit patën përshtypjet më të mira dhe aktivitetet ndihmuan sadopak në zgjerimin e tregtisë në atë kohë të vështirë.

Në kuadrin e bashkëpunimit strategjik që Euroasia Group ka me Qendrën e Tregtisë së Jashtme të Kinës, ne po mendojmë se, përsa i përket importeve dhe eksporteve, ne duhet të forcojmë lidhjet akoma dhe më shumë midis Kinës dhe Evropës Qendrore dhe Lindore. Në këtë kuadër, Qendra e Tregtisë së Jashtme të Kinës e ka pajisur Euroasia Group me një autorizim të veçantë, për të identifikuar bizneset në rajon, të cilat kanë si objektiv shitjen e produkteve të tyre në tregun kinez, ose importimin e produkteve nga Kina. Në të dyja rastet, detyra dhe objektivi ynë është që t’i mbështesim bizneset në çdo vend të rajonit, për nevojat përkatëse që ato kanë.

Përfitoj nga rasti në këtë intervistë, që t’u bëj thirrje bizneseve shqiptare, ato biznese që e ndjejnë veten që janë në një nivel të qëndrueshëm dhe kërkojnë që produktet e tyre të ekspozohen ose të shiten në tregun kinez. Këto biznese janë të lutur dhe të mirëpritur në mjediset e zyrave tona, për të marrë asistencën e duhur dhe për të realizuar objektivin që kanë ato për prurjen e produktit në tregun kinez. Njëherazi, kjo thirrje shkon edhe për bizneset, të cilat kanë nevojë për importin e produkteve të ndryshme.

CMG: Pra, është një bashkëpunim nga të dyja krahët, si për importet dhe për eksportet?

Ilirjan Koxhioni: Po.

Ilirjan Koxhioni ne mjediset e Panairit  të Kantonit  (Foto personale)

Ilirjan Koxhioni ne mjediset e Panairit  të Kantonit  (Foto personale)

CMG: Në gjykimin tuaj, si mundet që investimet në kuadër të nismës së Kinës “Një brez, një rrugë” të bëhen realitet edhe në vendin tonë? Në dhjetë vitet e fundit, 150 vende të ndryshme të botës kanë përfituar nga kjo nismë.

Ilirjan Koxhioni: Është e vërtetë. Tradicionalisht, zhvillimet ekonomike kudo në botë, udhëhiqen nga nisma të ndryshme, të cilat janë ndërmarrë nga shtete të ndryshme ose nga institucione e organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Të gjitha këto nisma, pavarësisht karakterit të tyre rajonal, apo qëllimit të tyre përfundimtar, kanë në themel një parim universal, që është ai i zhvillimit reciprok të të gjitha palëve që marrin pjesë në atë inisiativë. Kjo natyrisht, nga ana tjetër, kërkon edhe pjesëmarrjen transparente dhe gjithëpërfshirëse të seicilës palë në inisiativë.

“Një brez, një rrugë” është një inisiativë kineze. Sikurse e përmendët, kanë përfituar shumë shtete prej saj. Këto shtete kanë qenë në gjendje të tërheqin investimet në këtë nismë. Mendoj që në marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kinës, ekziston një potencial i mirë për bashkëpunim dhe për realizimin e kësaj nisme edhe në projektet që ka Shqipëria në sektorë të ndryshëm. Por, për realizimin e një projekti të caktuar, duhet që ai projekt të jetë konkret. Sa më real dhe konkret të jetë projekti, aq më pranë realizimit të tij jemi. Kështu që ekzistojnë mundësi shumë të mira.

CMG: Duke ju kthyer panairit, pse sipërmarrës të tjerë të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë sonë duhet të marrin pjesë në Panairin e Kantonit?

Ilirjan Koxhioni: Mendoj që duhet t’i bëjmë një shikim të shkurtër ekonomisë kineze gjatë dhjetë viteve të fundit. Gjatë këtyre viteve, ekonomia kineze po kalon një proces transformimi cilësor. Ky proces duket qartë në një aspekt shumë të rëndësishëm. Nëse ekonomia kineze, nga një ekonomi ku bazën kryesore të Prodhimit të Brendshëm Bruto e merrte, në pjesën dërrmuese të saj, nga eksporti, sot vihet re që ajo mbështetet shumë edhe nga konsumi i brendshëm dhe shitja e produkteve dhe shërbimeve në tregun e brendshëm.

Pra, kemi transformime nga sasiore në cilësore. Ky transformim gradual cilësor e ka vënë ekonominë kineze në një pozicion akoma dhe më konkurrues, Gjatë këtij transformimi, Kina ka ruajtur një element shumë të rëndësishëm, atë të konkurrencës së lirë në zinxhirin e produkteve dhe shërbimeve, të cilat janë sot fuqimisht të mbështetura në teknologji shumë të avancuara.

Kjo qasje prodhon dy rezultate të menjëhershme. Rezultati i parë është që e pozicionon Kinën në një nivel shumë të lartë nga ana teknologjike. Rezultati i dytë është garantimi i një kostoje efikase, sidomos për produktet dhe shërbimet e reja.

Të dyja këto rezultate kanë bërë që produktet dhe shërbimet kineze sot të jenë gjithnjë e më konkurruese në tregun ndërkombëtar.

Është pikërisht për këtë arësye që bizneset dhe sipërmarrësit shqiptarë duhet të hedhin sytë akoma dhe më tepër nga produktet dhe shërbimet kineze. Në situatën ndërkombëtare të sotme, kur vende të ndryshme të botës po tregojnë shenja të uljes së ritmit të rritjes së tyre ekonomike, Kina po tregon të kundërtën. Një qëndrueshmëri dhe një rritje të eksporteve dhe importeve të saj.

Pra, në themel, ekonomia kineze është shumë e rëndësishme dhe është një ekonomi kryesore që kontribuon dhe në ekonominë botërore. Nga të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, del qartë se këto institucione po e rishikojnë në përmirësim rritjen ekonomike të Kinës për vitin 2023, nga 4.7 përqind në 5.1 përqind. Ky përmirësim është domethënës njëherazi edhe për ekonominë botërore, pasi Kina me rritjen e saj do të ndihmojë ekonominë botërore të rritet nga 1.7 përqind në 2 përqind për këtë vit.

Për këto arësye, them që është shumë e rëndësishme për sipërmarrësit shqiptarë, që të fokusohen në tregun kinez.

Ilirjan Koxhioni  në intervistë për CMG

Ilirjan Koxhioni  në intervistë për CMG

CMG: Turizmi ynë po rritet. Ne e përjetojmë çdo ditë, kur shohim përherë e më shumë vizitorë të huaj në rrugët e qyteteve tona kryesore. Në muajt janar-mars 2023 patëm dyfishim të turistëve nga Azia. A do ia vlente që në Kanton të ishin edhe operatorët tanë turistikë?

Ilirjan Koxhioni: Është e vërtetë që rritja e numrit të turistëve nga Azia në vetvete tregon mundësitë që ka Shqipëria në këtë sektor. Natyrisht që Kina përbën një potencial të mirë të turizmit në nivel të marrëdhënieve dypalëshe dhe mund të ndihmojë fuqimisht në shtimin e të ardhurave nga sektori. Ky potencial ekziston. Varet nga operatorët turistikë, se si do ta shfrytëzojnë ata këtë mundësi dhe bashkëpunim.       

Është pozitiv dhe për t’u përmendur fakti se Kina po i zbut masat ndaj pandemisë së Covid-19. Kjo në vetevete dhe masat për liberalizimin e vizave, do të lehtësojnë lëvizjen e turistëve kinezë në drejtim të Shqipërisë, por edhe të qytetarëve shqiptarë për qëllime turizmi në Kinë.

Në këtë kuadër, Euroasia Travel Experts, që është një nga kompanitë tona, në bashkëpunim me operatorët turistikë shtetërore dhe privatë kinezë, po punon për zbatimin e programeve të paketave turistike në rajon.

Jemi gati të fillojmë dhe kur themi në rajon, bëhet fjalë për Programin “17+1”, që është kryesisht Evropa Qendrore dhe Lindore. Duke qenë se Shqipëria është pjesë e këtij programi, është shumë e rëndësishme për ne që të marrim maksimumin e mundësive të ofruara nga “17+1”.   

CMG: Përpara kësaj interviste, ju na kumtuat se automjetet elektrike kineze, të një teknologjie shumë të avancuar, do të vijnë edhe në tregun shqiptar. Kur do të mund të realizohet kjo?

Ilirjan Koxhioni: Së shpejti. Ne si Euroasia Group, këto ditë që flasim, jemi duke përgatitur mjediset se ku do të ekspozohen automjetet elektrike kineze. Janë disa marka. Po aty do të prezantohen edhe aparatet e sistemit të karikimit të këtyre makinave. Pra, do të shërbejnë për tregun, me një qasje “One stop shop”, ngaqë si automjetet dhe sistemet e tyre të karikimit shkojnë së bashku dhe nuk mund asnjëherë t’i shikojmë të ndara.

Mendoj që periudha për të hyrë në tregun shqiptar do të jetë një periudhë e shkurtër. Mund të jetë 45-60 ditë, kohë në të cilën ne po përgatitemi dhe produktet po vijnë dhe do të ekspozohen. Mendoj që të bëjmë një hyrje të mirë në treg, si të gjithë aktorët e tjerë të tregut.   

CMG: A do të jeni në Edicionin e 134-t të Panairit të Kantonit në tetor 2023 dhe si e shikoni të ardhmen e marrëdhënieve tregtare Shqipëri-Kinë?

Ilirjan Koxhioni: Po. Në Edicionin e 134-t do të jem, pasi, sikurse e përmenda, ne kemi me Qendrën e Tregtisë së Jashtme të Kinës një marrëdhënie strategjike, ku Euroasia Group ka objektivat e veta në këtë partneritet. Por gjithmonë, në drejtim të ndihmës dhe mbështetjes së bizneseve të ndryshme shqiptare, për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare me Kinën.

Natyrisht që, gjatë kësaj periudhe, kur fola për bizneset shqiptare që të eksportojnë produktet e tyre në Kinë dhe të importojnë prej saj, ky shërbim ndihme dhe koordinimi ofrohet njërehazi edhe për bizneset e vendeve të tjera të rajonit. Unë i bëra thirrje bizneseve shqiptare, por njoftime të tilla ne si Euroasia Group po zhvillojmë dhe në vendet e tjera të rajonit.

Përsa i përket bashkëpunimit tregtar Shqipëri-Kinë, mendoj se potenciali është i gjithi aty dhe të dyja palët duhet patjetër që të forcojnë marrëdhëniet, të bashkërendohen jo vetëm në drejtim të nismave, por edhe të të gjitha aspekteve të tjera që kanë lidhje me ekonominë, në mënyrë që të dyja palët të kenë përfitimet e tyre reciproke në këtë bashkëpunim.

Intervistoi Fatos Çoçoli