Qin Gang: Kina e Gjermania duhet të bëhen roje të globalizimit
2023-04-15 14:37:13

Foto nga MPJ

Kina dhe Gjermania "duhet dhe mund të bëhen rojet e globalizimit" dhe duhet së bashku të kundërshtojnë "shkëputjen dhe thyerjen e zinxhirit",  - tha të premten këshilltari shtetëror dhe ministri i Jashtëm kinez Qin Gang.

Qin i bëri këto komente gjatë takimit me homologen e tij gjermane Annalena Baerbock në Pekin. Takimi u zhvillua në kuadër të dialogut strategjik Kinë-Gjermani për çështjet diplomatike dhe të sigurisë.

Kina shpreson që Gjermania të marrë një perspektivë afatgjatë dhe globale kur bëhet fjalë për investimet kineze në vend dhe t'u sigurojë ndërmarrjeve kineze një mjedis tregu të drejtë, të hapur dhe jodiskriminues. Qin vuri në dukje se të dy vendet e kanë respektuar gjithmonë njëri-tjetrin, kanë kërkuar terren të përbashkët, duke rezervuar dallimet dhe arritur përfitime reciproke. Këto veprime jo vetëm që kanë rritur më tej bashkëpunimin Kinë-Gjermani, por gjithashtu kanë nxitur zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Evropë, duke kontribuar për paqen dhe stabilitetin global.

Për krizën në Ukrainë, Qin shpjegoi thellësisht qëndrimin e Kinës, duke theksuar se zgjidhja e vetme është të bindë dhe të promovojë bisedimet e paqes. Duke vënë në dukje se injorimi i shqetësimeve legjitime të sigurisë të vendeve të tjera do t'i bëjë krizat dhe konfliktet të pashmangshme, Qin përsëriti se Kina ka qenë gjithmonë në anën e paqes dhe do vazhdojë të ruajë rolin e saj konstruktiv në promovimin e ndërprerjes së luftës dhe rifillimit të bisedimeve dhe zgjidhjes politike.

“Më ka bërë përshtypje shpejtësia e Kinës dhe rezultatet e bashkëpunimit gjermano-kinez janë të mahnitshme”, - tha ministrja gjermane, duke shtuar se pret rifillimin sa më të shpejtë të dialogut mes dy vendeve në fusha të ndryshme.

Në përgjigje të deklaratës së Gjermanisë se ajo i përmbahet parimit të një Kine, por është e shqetësuar për tensionet aktuale në ngushticën e Tajvanit, Qin theksoi gjatë konferencës të përbashkët pas takimit dypalësh se është e rëndësishme që fillimisht të sqarohet fakti themelor se ekziston vetëm një Kinë në botë, që Tajvani është pjesë e pandashme e territorit kinez dhe se Qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri ligjore që përfaqëson të gjithë Kinën, që është parimi thelbësor i parimit “Një Kinë”. (Çang Çuo)