Borrell-i shtyn vizitën në Kinë për shkak të infektimit nga COVID-19
2023-04-14 15:30:45

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin bëri të ditur të enjten që përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Jose Borrell e ka shtyrë vizitën në Kinë për shkak të infektimit nga COVID-19, duke i shprehur atij simpati dhe duke i uruar shërim sa më të shpejtë.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe nënpresidenti i Komisionit Evropian Jose Borrell planifikonte të bënte nga 13 deri më 15 prill një vizitë në Kinë, ku do të merrte pjesë edhe në raundin e 12-të të Dialogut të Lartë Strategjik Kinë-BE.

Wang Wenbin-i u shpreh në një konferencë për shtypin se pala evropiane e ka njoftuar palën kineze për vendimin e shtyrjes së vizitës së kryediplomatit të BE-së në Kinë. Pala kineze e mirëkupton këtë dhe e mirëpret vizitën e z. Borrell në Kinë në një kohë të përshtatshme. (Fani)