Mbi 3100 marka ndërkombëtare do të marrin pjesë në panairin e konsumit në Kinë
2023-04-04 16:21:13

Nga 10 deri më 15 prill, në qytetin Haikou të provincës ishullore të Kinës Jugore Hainan do të zhvillohet edicioni i tretë i Ekspozitës Ndërkombëtare të Produkteve të Konsumit të Kinës. Kjo ekspozitë ka tërhequr pjesëmarrjen e shumë markave të njohura ndërkombëtare, të cilat shpresojnë të zgjerohen në tregun kinez.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipërfaqja e ekspozimit në këtë edicion arrin në 120 mijë metra katrorë, 20 % më shumë se vjet. Në krahasim me dy edicionet e mëparshme,  numri i vendeve e markave pjesëmarrëse dhe treguesi i besimit të blerësve janë rritur në mënyrë të ndjeshme.

Lidhur me këtë, zv.ministri i Tregtisë Sheng Qiuping u shpreh se në edicionin e sivjetshëm do të marrin pjesë mbi 3100 marka të njohura nga më shumë se 60 vende e rajone të botës. Si vendi i ftuar i radhës, Italia ka sjellë mbi 147 marka për ekspozim, të cilat rezervuan një pavijon gati 1800 metra katrorë, sa dyfishi i përmasës së edicionit të dytë. Deri tani është konfirmuar pjesëmarrja e udhëheqësve të shtatë vendeve dhe organizatave ndërkombëtare. Kryeekzekutivët e gati 30 ndërmarrjeve të përfshira ndër 500 kompanitë më të fuqishme të botës ose udhëheqëse të sektorëve përkatës do të marrin pjesë me prani fizike në ekspozitë. Ndërkohë, drejtues të niveleve të ndryshme të pushtetit në Kinë do të kryesojnë 30 delegacione për të marrë pjesë në këtë veprimtari. Numri i  blerësve dhe i vizitorëve profesionistë parashikohet t'i tejkalojë 50 mijët. Gjatë zhvillimit të ekspozitës, do të mbahen gjithashtu mbi 100 forume, takime, biseda tregtare, veprimtari promovuese etj.

Sipas z. Sheng, shumë marka të njohura ndërkombëtare e kineze do të marrin pjesë në ekspozitë, duke ofruar më shumë alternativa për konsumatorët me anën e pasurimit të produkteve në treg.

Ekspozita e vitit 2022(Foto:VCG)

Ekspozita e vitit 2022(Foto:VCG)

“Italia si vendi i ftuar i këtij edicioni, ka sjellë produkte të 147 markave, që shkojnë nga jahtet deri te makinat për bërjen e kafesë dhe vera. Në ekspozitë mund të gjenden edhe fshesa me vakuum jokabllore nga Gjermania, karrige masazhi nga Singapori, fruta të rralla tropikale dhe kafe e prodhuar në Hainan. Sipas të dhënave statistikore fillestare, më shumë se 1000 produkte të reja të mbi 300 markave do të debutojnë në këtë ekspozitë, shifër kjo shumë më e madhe në krahasim me dy edicionet e mëparshme. Këto produkte përfshijnë smartfonat, orët, parfumet, produktet kozmetike, bizhuteritë etj.”, tha zv.ministri Sheng.

Siç mësohet nga Ministria e Tregtisë e Kinës, vjet vëllimi i përgjithshëm i importit i Kinës ishte 1.93 trilionë juanë, duke u dyfishuar brenda dekadës së fundit. Tregtia ndërkufitare në platformat elektronike arriti në 560 miliardë juanë, 4.9 % më shumë në krahasim me nivelin e vitit të kaluar. Shtimi i importit të mallrave të konsumit cilësore jo vetëm mund të plotësojnë kërkesat e banorëve, por edhe të ofrojë raste biznesi për kompanitë e vendeve të tjera.

Ekspozita e vitit 2022(Foto:VCG)

Ekspozita e vitit 2022(Foto:VCG)

Përgjegjësi i Departamentit të Tregtisë të provincës Hainan Zhang Bin vuri në dukje se firmat nga 35 vende e rajone të botës do të vijnë për të bërë prokurim, duke përfshirë mbi 2 000 biznesmenë nga Italia, Franca, Gjermania, Japonia, Koreja e Jugut, Vietnami, Indonezia, Tajlanda etj. Për shembull, Ministria e Industrisë dhe e Tregtisë e Vietnamit do të dërgojë një delegacion të përbërë nga përfaqësues të 18 ndërmarrjeve vendëse për të kërkuar mundësi biznesi në fusha të tilla si frutat tropikale, kafeja, produktet ushqimore etj.

Gjithashtu, përveç Kinës, 10 vende të tjera anëtare të RCEP-it do të marrin pjesë në ekspozitë. Ndër to, Japonia, Koreja e Jugut, Tajlanda dhe Vietnami do të dërgojnë delegacione shtetërore. Sipërfaqja e pavijonit të ndërmarrjeve japoneze i kalon 1 800 metrat katrorë, që janë të ndara për mbi 250 marka të më shumë se 50 ndërmarrjeve. Ndërkohë, pjesëmarrësit nga Malajzia, Indonezia, Singapori etj., do të paraqesin produkte speciale, si kafeja dhe foletë e zogjve. Firmat nga Australia e Zelanda e Re do të sjellin produkte bulmeti, ushqime, pije alkoolike, produkte për mirëmbajtjen e shëndetit etj.(Zhang Yan/Artan)