Kinë: Format e reja të punësimit po bëhen motori i ri i rritjes ekonomike
2023-04-04 11:38:36

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pak kohë më parë, Konfederata Mbarëkineze e Sindikatave (ACFTU) publikoi rezultatet e një sondazhi, ku vihet në dukje që tani, në Kinë, në format e reja e punësimit janë përfshirë 84 milionë veta, 21 % e numrit të përgjithshëm të të punësuarve. Koncepti i “formave të reja të punësimit” u paraqit për herë të parë në vitin 2015 dhe tani modelet e reja të punësimit janë pranuar gjerësisht dhe kanë treguar prirje të fuqishme.

 

Ekspertët u shprehën që format e reja të punësimit luajnë një rol të rëndësishëm në stabilizimin e gjendjes së përgjithshme të punësimit dhe janë bërë motori i ri i rritjes ekonomike. Në të ardhmen, format e reja të punësimit do të depërtojnë gradualisht në sektorët e ndryshëm dhe do t’i sjellin gjallëri të mëtejshme zhvillimit ekonomik të vendit.

 

Teknologjitë digjitale po ndryshojnë gjendjen tradicionale të punësimit, duke bërë që të lindin shumë punë të reja. Punë si ato të dërguesit të ushqimeve, postierit të postës së shpejtë dhe drejtuesit të makinave të rezervuara me celular janë në rritje të qëndrueshme, ndërkohë që po futen në jetën e përditshme të njerëzve edhe punë si ajo e shoqëruesit gjatë vizitave në spital, kuzhinierit për kafshë shtëpiake dhe restauruesit të kukullave.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sipas sondazhit, të punësuarit në format e reja të punësimit janë kryesisht meshkuj në moshë të mesme, të cilët vijnë kryesisht nga zonat rurale.

 

Në vitin 2018, Konfederata Mbarëkineze e Sindikatave paraqiti konceptin e “tetë grupeve kryesore”, ku përfshihen kamionistët, postierët e postës së shpejtë, infermierët privatë, kujdestarët shtëpiakë, ndihmësit për informacione në qendrat tregtare, dërguesit e ushqimeve, agjentët e pasurive të patundshme dhe rojat e sigurisë. Më vonë, kjo konfederatë shpalli edhe krijimin e sindikatave për punonjësit e “tre të rejave” (gjendja e re industriale, forma e re e biznesit, modeli i ri i tregtisë), të cilët quhen si të punësuar në format e reja të punësimit.

 

Në fakt, format e reja të punësimit kanë zbutur shumë presionin e tregut të punës. Sipas “Librit të bardhë për zhvillimin e ekonomisë digjitale të Kinës” të publikuar në vitin 2022 nga Instituti i Teknologjisë së Informacionit dhe Telekomunikacionit i Kinës, në vitin 2020 vëllimi i ekonomisë digjitale të Kinës arriti në 39.2 trilionë juanë, duke zënë 38.6 % të GDP-së dhe duke u renditur në vendin e dytë të botës. Rritja ishte 9.7 % krahasuar me një vit më parë dhe zuri vendin e parë në botë. Kjo simbolizon që ekonomia digjitale është bërë një motor i rëndësishëm për stabilizimin e rritjes ekonomike të Kinës dhe ekonomia digjitale është kthyer në fushë me përparësi për punësimin në sektorët e rinj.

 

Ekspertët janë të një mendjeje që format e reja të punësimit kanë rëndësi të madhe për thithjen e krahëve të punës. Kjo ka shmangur mospërdorimin e burimeve të punës dhe është në të mirë të nxitjes së rritjes së qëndrueshme ekonomike. Krahas kësaj, zhvillimi i formave të reja të punësimit mund të nxitë prodhimin, qarkullimin, shkëmbimin e konsumin dhe, njëkohësisht, mund të ulë koston e transaksioneve, duke qenë një faktor shumë pozitiv për rritjen ekonomike afatgjatë.

 

Ekonomistët janë të mendimit që format e reja të punësimit mund të nxisin rritjen ekonomike, pasi së pari ato mund të zgjidhin kontradiktën ndërmjet ofertës e kërkesës në tregun e punës, mund të shtojnë të ardhurat e banorëve dhe mund të ngrenë nivelin e konsumit. Ndërkohë, zhvillimi i ekonomisë digjitale mund të mbështetë zhvillimin e sektorëve të tjerë dhe mund të depërtojë në të gjitha pjesët e sektorëve bazë. Kështu, sektori i shërbimeve dhe sektori i prodhimit mund të zhvillohen më fuqishëm.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sivjet, një nga detyrat kryesore të Kinës është nxitja e konsumit. Në raportin e punës qeveritare të publikuar gjatë “dy sesioneve” të këtij viti, është kërkuar qartë që duhet të mëkëmbet e të zgjerohet niveli i konsumit dhe të shtohen të ardhurat e banorëve në zonat urbane dhe rurale. Për rritjen e të ardhurave dhe konsumit, punësimi luan rolin kyç. “Besimi është më i rëndësishëm se ari,” thotë një fjalë e urtë kineze. Punësimi është burimi i të ardhurave dhe banorët do të kenë më shumë dëshirë për konsum kur të kenë një punësim të mjaftueshëm. Në këtë drejtim, ekonomia digjitale dhe format e reja të punësimit do të vazhdojnë të luajnë një rol  të rëndësishëm nxitës. (Jiang Lei)