Të moshuarit në Kinë vijojnë të punojnë edhe pas daljes në pension
2023-03-18 18:38:31

foto nga VCG

foto nga VCG

Rreth një e treta e kinezëve të moshës 60 deri në 69 vjeç janë ende të angazhuar në punë, sipas një raporti nga media financiare kineze “Yicai”.

Të dhënat e publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave tregojnë se popullsia e moshuar e Kinës (ata të moshës 60 vjeç e lart) arriti në 280 milionë në vitin 2022, ndër të cilët njerëzit e moshës 60 deri në 69 u vlerësuan të jenë të paktën 150 milionë. Brenda kësaj demografike, rreth një e treta janë ende duke punuar, sipas raportit, citon “China Daily”.
Statistikat e Librit vjetor të Regjistrimit të Kinës 2020 treguan se 6.8 për qind e popullsisë së punësuar në Kinë, ose rreth 51 milionë njerëz, ishin të moshës 60 deri në 69 vjeç.
Numri në rritje i punëtorëve të moshuar dëshmohet nga të dhënat nga faqet e internetit të punëkërkuesve.
Sipas “BOSS Zhipin”, një platformë celulare për kërkimin e punës, numri i kërkuesve aktivë për punë të moshës mbi 55 vjeç në platformë u rrit me 27 për qind në bazë vjetore në vitin 2022 dhe pozicionet e punës të hapura për aplikimin e pensionistëve gjithashtu u rritën me 33 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas vjetarit të regjistrimit të vitit 2020, shumica e të moshuarve që punonin - gati dy të tretat - ishin të angazhuar në bujqësi.
Duke qenë se të moshuarit ruralë nuk kanë të ardhura fikse, ata duhet të punojnë pas moshës së pensionit për të përballuar jetesën, tha Dong Yuzheng, drejtor i Akademisë së Zhvillimit të Popullsisë në Guangdong. 
Sipas të dhënave të disponueshme, pensioni mujor për popullsinë në zonat rurale të Kinës është rreth 180 juanë (26 dollarë), krahasuar me rreth 3500 juanë për pensionistët e zonave urbane.
Përveç bujqësisë, 7.29 për qind e të moshuarve të punësuar punonin në industrinë përpunuese, 8.31 për qind në ndërtim dhe 6.61 për qind në tregti me shumicë dhe pakicë. (Irma)