INSTAT: 99.8% të ndërmarrjeve aktive e zënë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
2023-03-17 11:35:10

Biznes ne Shqiperi (Foto Atsh)

Biznes ne Shqiperi (Foto Atsh)

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) prej kohësh janë pranuar si motorët e rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Ato, jo vetëm që ofrojnë mundësi të shumta punësimi për shtresat e ndryshme të shoqërisë, por njëkohësisht janë aktivitete ku paraja qarkullon më shpejt, duke pasur kështu një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë, shkruan “ATSH”.

Sipas raportit të INSTAT-it, “Statistikat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM)”, i bazuar në rezultatet e vrojtimit të statistikave strukturore për vitin 2021, 99.8% e ndërmarrjeve aktive e zënë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në të njëjtën përqindje si në vitin 2020 dhe po ashtu 81.6% e të punësuarve janë punësuar nga to nga 81.9% që ishte në vitin 2020.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme realizojnë 79% të shitjeve neto nga 79.7% të realizuara në vitin 2020. Këto ndërmarrje kanë kryer 76.4% të investimeve në vend të 74% të kryera në vitin 2020.

Sipas INSTAT-it, rreth 10.6% e shitjeve neto të NVM-ve shkojnë për eksport. Ndërmarrjet e mesme kryejnë përqindjen më të lartë të eksporteve me 18.3% të shitjeve neto të realizuara prej tyre. Mikrondërmarrjet eksportojnë vlerën më të ulët, ku rreth 4.5% të shitjeve neto janë eksportuar.

Të dhënat tregojnë se mikrondërmarrjet kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 69%.

Ndërmarrjet e vogla kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e industrisë nxjerrëse me 29.5%.

Ndërmarrjet e mesme kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e industrisë përpunuese me 38.1%. (Irma)