Objektivat e ardhshme të zhvillimit ekonomik të Kinës
2023-03-16 15:55:12

Në sesionin plenar të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, kryeministri i rizgjedhur Li Qiang, prezantoi objektivat e përgjithshme të vendit deri në vitin 2035, prioritetet për pesë vitet e ardhshme, si dhe disa pika kryesore të punës për vitin 2023. Objektivat e përgjithshme të zhvillimit ekonomik deri në vitin 2035 do të jenë rritja e fuqisë ekonomike, rritja e aftësive shkencore dhe teknologjike për t’ju bashkuar vendeve më inovative, rritja e PBB për frymë në të njëjtin nivel me atë të një vendi të zhvilluar të nivelit të mesëm. Gjithashtu do të jetë dërtimi i një ekonomie të modernizuar bazuar në një model të ri të industrializimit, të informatizimit, urbanizimit dhe modernizimit bujqësor. Arritja e këtyre objektivave do të sigurojnë rritjen e të ardhurave të disponueshme për frymë dhe rritjes së grupit me të ardhura të mesme si pjesë e popullsisë së përgjithshme, akses i barabartë në shërbimet bazë publike; standarte moderne të jetesës në zonat rurale; stabilitet social afatgjatë, një mënyre ekologjike të punës dhe të jetës; ulja e vazhdueshme e emetimeve të karbonit, dhe të përmirësimit rrënjësisht të mjedisit.  

Xinhua

Pesë vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për fillimin e mbarë të përpjekjeve për të ndërtuar një vend socialist modern në të gjitha aspektet.  Realizimi i këtyre objektivave të përgjithshme si dhe ato të pesë viteve të ardhshme do të jenë të mundura me ndërtimin e një ekonomie tregu me standarte të larta, zgjerimin e kërkesës së brendshme, parandalimin e rreziqeve të mëdha ekonomiko-financiare, ndërtimin e sistemit industrial modern, stabilizimin e prodhimit të drithërave dhe nxitjen e rigjallërimit të zonave rurale, tërheqjen dhe shfrytëzimin e më shumë investimeve të huaja, dhe transformimin e gjelbër të zhvillimit, si dhe përmirësimi i mirëqenies së njerëzve dhe ngritja e cilësisë së jetës etj. Ndërtimi i një ekonomie tregu socialiste me standarde të larta do të kërkojë reformimin dhe zhvillimin e sektorin publik si dhe inkurajimin e sektorit jopublik. Tregu duhet të luajë rolin vendimtar në shpërndarjen e burimeve dhe që qeveria të luajë më mirë rolin e saj, do të inkurajohet sektori privat në rritjen dhe zgjerimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si dhe individët e vetëpunësuar. Do të krijohet një mjedis në të cilin ndërmarrjet në të gjitha format e pronësisë mund të konkurrojnë dhe të rriten në një klimë të barabartë.  Rritja e sektorit privat kërkon një mjedis të favorshëm për ndërmarrjet private për të mbrojtur të drejtat e tyre pronësore dhe interesat e sipërmarrësve në përputhje me ligjin.  

VCG

VCG

Kina do të synojë të zgjerojë kërkesën e brendshme nëpërmjet rritjes së konsumit dhe të investimeve si dhe koordinimit ndërmjet politikave fiskale dhe monetare. Zgjerimi i konsumit do të jetë i mundur nga ruajtja e të njëjtit ritëm të shtimit të të ardhurave të banorëve si rezultat me atë të rritjes ekonomike. Do të inkurajohen gjithashtu investime private për të marrë pjesë në projekte të mëdha shtetërore. Objektivat kryesorë për vitin 2023 do të jenë  rritja 5.0 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto, shtimi i 12 milionë vendeve të reja të punës, dhe arritjes të një norme prej 5.5 % e papunësisë në zonat urbane, rritja e  cilësisë dhe e qëndrueshmërisë të import-eksporteve dhe mbajtjes së ekuilibrit të bilancit ndërkombëtar të pagesave.  Në vitin 2023 parashikohet një nivel i deficitit buxhetor në 3 përqind të Prodhimit të Brendshëm  Bruto dhe një normë inflacioni në rreth 3 për qind.  Kjo kërkon përmirësimin e sistemit të buxhetit,  optimizimin e strukturës së taksave dhe përmirësimin e sistemit të pagesave. Një vemendje do t’i kushtohet marrjes së masave për të parandaluar rreziqet e mëdha ekonomiko-financiare duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të pasurive të patundshme dhe parandalimin e rrezikut të rritjes së borxhit të qeverisjes vendore. Politikat do synojnë të thellojnë reformën strukturore në sektorin financiar, modernizimin e sistemit të Bankës Qendrore dhe forcimin e rregulloreve financiare.

VCG

VCG

Përshpejtimi i sistemit industrial modern do të sigurohet nga arritjet në studimin e teknologjive të reja dhe transformimin digjital të industrive tradicionale.  Vendi do të duhet të dyfishojë përpjekjet e kërkimit dhe zhvillimit të burime energjetike dhe minerale për të rritur prodhimin. Kina duhet të përpiqet të zhvillojë ekonominë dixhitale, përmirësojë sistemin modern të logjistikës, të rrisë mbikëqyrjen e rregullt dhe të mbështesë zhvillimin e ekonomisë së platformës, thuhet në raport.  Kina do të duhet të përforcojë sigurinë ushqimore në të gjitha frontet. Sipërfaqja e përgjithshme e tokës bujqësore të Kinës të mos bjerë nën vijën e kuqe prej 120 milionë hektarësh. Do të punohet për të zhvilluar gradualisht të gjithë tokën bujqësore të përhershme në tokë bujqësore, duke rritur më shumë ndërtimin e veprave ujore, krijimin e tokave bujqësore cilësore me standarde të larta. Do të fuqizohet industria e farës, zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë, modernizimi i pajisjeve bujqësore dhe sigurimi i të ardhurave të kultivuesve të drithit, Vendi planifikon të mbajë sipërfaqen totale të drithrave në një nivel të qëndrueshëm, për të arritur në vitin 2023 një prodhim të drithrave në rreth 650 miliardë kilogram.

VCG

VCG

Detyrat sfiduese dhe më të vështira me të cilat do të përballet vendi në ndërtimin e një Kine moderne socialiste në të gjitha aspektet, mbeten rivitalizimi i zonave rurale dhe zhvillimi i koordinuar rajonal. Për këtë do të vazhdohet me zhvillimin bujqësor dhe rural, zhvillimin e integruar të zonave urbane dhe rurale, dhe nxitjen e industrisë rurale për të konsoliduar arritjet në zbutjen e varfërisë dhe për të krijuar më shumë burime për rritjen e të ardhurave rurale. Do të zhvillohet   infrastruktura dhe shërbimet publike në zonat rurale, në një mënyrë më të mirë planifikuar për të  ndërtuar një fshat të bukur dhe harmonik. Do të zbatohet tërësisht strategjia e koordinuar të zhvillimit rajonal, strategjitë kryesore rajonale, strategjinë e zonimit funksional dhe strategjinë e re të urbanizimit. Do të përmirësohet shpërndarja e forcave kryesore prodhuese dhe do të zhvillohet një plan urbanistik ekonomik rajonal. Avancimi i urbanizimin do të synojë dhënien e rezidencës të përhershme urbane njerëzve të kualifikuar që lëvizin nga zonat rurale në ato urbane.

Do të bëhen më shumë përpjekje për të tërhequr dhe shfrytëzuar investimet e huaja. Kina do të shfrytëzojë pikat e forta të tregut të madh për të tërhequr burimet globale dhe faktorët e prodhimit në ekonominë vendase. Për të tërhequr investitorët e huaj do të lehtësohen standardet e hyrjes në treg, do të inkurajohet hapja e sektorëve të shërbimeve moderne dhe do t’u ofrohet  ndërmarrjeve të huaja trajtim të njëjtë si atyre vendore.  Do të promovohet zhvillimi i mëtejshëm  i Iniciativës një Brez një Rrugë. Po ashtu do të planifikohen më mirë hapjet rajonale, duke konsoliduar pozicionin drejtues të zonave bregdetare lindore dhe hapjen më gjerësisht të rajoneve qendrore, perëndimore dhe verilindore.  

VCG

VCG

Kina duhet të vazhdojë tranzicionin drejt zhvillimit të gjelbër karbon të ulët. Do synohet në ristrukturimin e koordinuar industrial, reagimin ndaj klimës, uljen e emetimeve të karbonit, për të reduktuar ndotjen, dhe për të zgjeruar zhvillimin e gjelbër. Një rëndësi me përparësi do t’i jepet mbrojtjes ekologjike, ruajtes së burimeve të gjitha llojeve dhe përdorimit të tyre në mënyrë efikase, si dhe vendosjes së një sistemi për riciklimin e mbetjeve dhe materialeve. të përdorura.  Një ekonomi dhe shoqëri e gjelbër dhe me karbon të ulët në industri, ndërtim, transport dhe sektorë të tjerë, janë thelbësore për zhvillimin ekonomik me cilësi të lartë. Ndotësit do të kontrollohen në një mënyrë më të koordinuar dhe në thelb do të eliminohet ndotja serioze e ajrit. Një rëndësi do t’i jepet përmirësimit të mjediseve ujore për ruajtjen ekologjike të lumenjve, liqeneve dhe rezervuarëve kryesorë si dhe eliminimin e trupave ujorë. Në vemendje do të jetë që të veprohet sipas parimit që ujërat e kthjellët dhe malet e harlisur janë pasuri të paçmueshme për të ruajtur harmoninë midis njeriut dhe natyrës.  

Kina do të përpiqet për të realizuar, mbrojtur dhe avancuar interesat themelore të të gjithë njerëzve. Për këtë qëllim, do të duhet të bëhet gjithçka brenda mundësive për të zgjidhur problemet më praktike që shqetësojnë më shumë dhe në mënyrë më të drejtpërdrejtë njerëzit. Do të bëhet më shumë punë për të shtuar mirëqenien e banorëve me anë të garantimit të strehimit, barazisë arsimore, shërbimeve mjekësore cilësore, përkujdesjes për të moshuarit, mbështetjes së lindjes së fëmijëve, kontrollit të sigurisë në punë dhe parandalimit të pasojave të fatkeqësive.  Është e nevojshme që të arrihen përmirësime të vazhdueshme në sektorët e strehimit dhe të kujdesit mjekësor. Vendi do të përmirësojë sistemin mbështetës të strehimit për të mbështetur njerëzit në blerjen e shtëpive të tyre ose përmirësimin e situatës së tyre të strehimit, kryesisht të banorëve të rinj urbane dhe të rinjve. Kina gjithashtu zotohet të përmirësojë shërbimet e kujdesit për të moshuarit dhe të përmirësojë politikat për lindjen e fëmijëve, duke mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të grave, të fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara.

VCG

VCG

Sistemi i shpërndarjes së të ardhurave mbetet themelor për promovimin e prosperitetit të përbashkët. Politikat që do të ndërmerren do të synojnë rritjen e pjesës së të ardhurave personale në shpërndarjen e të ardhurave kombëtare dhe do t'i jepet më shumë peshë shpërblimit të punës në shpërndarjen parësore. Punësimi është komponenti më themelor i mirëqenies së njerëzve. Do të duhet të intensifikohen përpjekjet për të përmirësuar mekanizmat përkatës për të promovuar punësim me cilësi të lartë. Do të duhet të përmirësohet sistemi i shërbimeve publike dhe ofrimit të mbështetjes më shumë për ata që janë në vështirësi të gjejnë punësim dhe të plotësojnë nevojat e tyre bazë.  Kjo do të kërkojë integrimin e politikave të punësimit urban dhe rural për të hequr barrierat institucionale, si dhe eleminimin e kufizimeve dhe diskriminimet e pajustifikuara që minojnë punësim të barabartë.

Prof.Dr. Petraq Milo