Kryeministri i ri i Kinës premton përmirësim të mëtejshëm të cilësisë së jetës
2023-03-15 14:53:26

Republika Popullore e Kinës ka një kryeministër të ri. Ai është Li Qiang (李强), lindur më 23 korrik 1959, politikan kinez që shërben si kryeministri i 8-të dhe aktual i Këshillit Shtetëror të Kinës, duke filluar që nga marsi 2023. Pasi ju bashkua Partisë Komuniste Kineze në vitin 1983, Li ka mbajtur detyra të ndryshme dhe në vitin 2017 u zgjodh edhe anëtar i Byrosë Politike.

Ai ka shërbyer më parë si anëtari i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Partisë Komuniste Kineze që nga tetori 2022 dhe përpara kësaj detyre të rëndësishme ai ka qenë sekretar i partisë i Shangait në periudhën 2017 - 2022, sekretar partie i provincës Jiangsu në periudhën 2016 - 2017 dhe guvernator i provincës Zhejiang në periudhën 2012 - 2016. 

Xinhua

Xinhua

Sipas The Economist, “Një nga temat e parapëlqyera të Qiang është reduktimi ndërhyrjeve burokratike në ekonomi”. Në vitin 2003 gjatë qëndrimit të tij në Wenzhou, ai tha se “pa ekonominë private, zhvillimi urban i Wenzhou do të ngecte për të paktën një shekull”. Në vitin 2014, Li ka thënë se “duhet të kemi më shumë Alibabas dhe më shumë Jack Mas dhe në vitin 2015 ai citohet të ketë thënë se “për të ndërtuar një qeveri moderne dhe efektive, duhet të transferojmë më shumë pushtet menaxherial në subjekte të tjera organizatash sociale”. Ai ka ndërmarrë disa iniciativa për lehtësimin e procedurave rregullatore në kuadër të përmirësimit të mëtejshëm të kushteve të bërjes së biznesit. Në periudhën që ka shërbyer në Wenzhou, ai organizoi Konferencën Botërore Wenzhounese për të nxitur anëtarët e diasporës globale Wenzhounese për të investuar përsëri në qytet, duke bërë thirrje për të hedhur vështrimin drejt shpirtit sipërmarrës të qytetarëve të Wenzhout.

Gjatë qëndrimit të tij në Shangai, ai hapi Tregun STAR të Bursës së Shangait, mbikëqyri investimet e huaja në qytet duke përfshirë Gigafactory Shanghai të Tesla, Inc., lehtësoi kërkesat për migrantët e brendshëm për të marrë leje qëndrimi dhe mundësoi punën për ndërtimin e pesë qendrave të mëdha urbane. Përgjatë periudhës së pandemisë ai me sukses aplikoi në Shangai planin “zero-Covid”, duke u përballur me përkushtim dhe besnikëri ndaj politikës shëndetsore të qeverisë së Kinës, mbështetur në strategjinë e mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve mbi bazat e manaxhimit shkencor në përgjithësi dhe të kujdesit shëndetësor në veçanti.

Tashmë ai do drejtojë ekonominë e dytë më të madhe në botë, pasi u emërua në detyrën e kryeministrit nga Presidenti Xi dhe e mori detyrën në 11 mars 2023, në seancën e së shtunës të Kongresit Kombëtar Popullor, parlamenti ceremonial i Kinës, duke marrë 2936 vota dhe me tri vota kundër dhe tetë abstenime.

Li Qiang, 63 vjeç, do të zëvendësojë Li Keqiang-un, që shërbeu dy mandate, 10 vite, 2013 - 2023.

Xinhua

Xinhua

Si kryeministër, Li, së bashku me kabinetin qeveritar të Kinës do përballen me shumë sfida si për shembull me synimin për ruajtjen dhe rritjen e ritmeve të zhvillimit, shtimin e ritmeve të rritjes ekonomike, shtyrjen më tej të agjendës së Kinës në lidhje me angazhimet e saj në rang kombëtar dhe global, forcimin e rolit të Kinës në angazhimet e saj në organizatat ndërkombëtare dhe rolin e  Kinës në përmirësimin e klimës globale të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, në këndvështrimin e prosperitetit të përbashkët dhe të projekteve të mëdha transnacionale që Kina ka filluar dhe po investon në mënyrë të fuqishme për të mbështetur ekonomitë e më shumë se 80 vendeve të ndryshme të botës për ringritje, zhvillim e fuqizim të qëndrueshëm të tyre nën objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

A ka çështje të cilat kërkojnë angazhim dhe fokus? Po. Patjetër. Çdo shtet, çdo vend e çdo komb dhe çdo ekonomi ka anë të forta dhe mundësi, ashtu sikundër ka edhe çështje me të cilat qeveria e atij shteti, vendi, kombi dhe ekonomie duhet të përballet me kujdes dhe përqendrim.

Për këtë ishte vetë Li Keqiang, kryeministri i mëparshëm i Kinës, që i transmetoi detyrën Li Qiangut, i cili njoftoi planet për rimëkëmbjen e ekonomisë duke përcaktuar objektivin e rritjes së ekonomisë për vitin 2023 edhe më të lartë se 5%, krahasuar me rritjen 3%, të vitit 2022, etj.

Pas mbylljes së sesionit të parë të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, kryeministri i ri i Kinës, Qiang mbajti të hënën paradite një konferencë për shtyp për gazetarët vendës dhe të huaj, në të cilën ai theksoi filozofinë e zhvillimit të përqendruar te njerëzit. Ai tha: “Qëllimi përfundimtar i punës së partisë dhe qeverisë është të përmirësojë mirëqenien e popullit, duke u zotuar të bëjë përpjekje të forta në çdo punë që ka lidhje me jetesën e njerëzve, duke shtuar se “shumica e njerëzve nuk i mbajnë gjithë kohën sytë te rritja e PBB-së, por interesohen më shumë për gjërat që ndodhin në jetën e përditshme, si strehimi, punësimi, të ardhurat, arsimimi, shërbimet shëndetësore dhe mjedisi, prandaj, qeveria duhet gjithmonë ta planifikojë dhe ta kryejë punën e saj sipas asaj se çfarë ndiejnë njerëzit, dhe të veprojë në përputhje me aspiratat e popullit”.

Në lidhje me hapjen e mëtejshme të Kinës ndaj botës, që përkon edhe me 45-vjetorin e Reformës dhe Hapjes së Kinës, Qiang tha: “Në vitin 2022 kemi më shumë se 50 miliardë dollarë investime të huaja krahasuar me tre vite më parë. Kjo tregon se Kina është ende zgjidhja më e mirë për investimet globale. Hapja ndaj botës së jashtme është politika bazë kombëtare e Kinës, dhe pavarësisht se si do të ndryshojë situata e jashtme, Kina do të ecë përpara pa lëkundje”.

VCG

Duke folur për marrëdhëniet kino-amerikane,  Li theksoi se është e rëndësishme të zbatohen siç duhet, me veprime specifike e praktike, të gjitha konsensuset e arritura midis presidentit Xi Jinping dhe presidentit Biden gjatë takimit të tyre në nëntorin e vitit që shkoi, duke theksuar se trumbetimi i zhurmës së shkëputjes midis Kinës dhe SHBA-ve është një çështje që nuk sjell asnjë përfitim për njerëzit.

Konkretisht, volumi tregtar Kinë – SHBA në vitin 2022 arriti në shifrat 760 miliardë $, shifër rekord, që tregon se “ekonomia kineze dhe ajo amerikane janë të lidhura shumë ngushtë dhe se të dy vendet po përfitojnë nga zhvillimi i njëri-tjetrit”, citohet të ketë thënë të hënën paradite, Qiang.

Në lidhje me këtë çështje ai tha: “Kur punoja në Shangai, pata shumë mundësi për të komunikuar me drejtues të kompanive të huaja, duke përfshirë edhe ato amerikane. Të gjithë më thanë se janë optimistë për Shangain e Kinën dhe se bota duhet të bashkëpunojë. Të gjithë besojnë se bashkëpunimi është me përfitime të ndërsjella. Të gjitha këto tregojnë se Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund dhe duhet të bashkëpunojnë”.

VCG

Më tej duke vënë theksin se rritja e besimit të sipërmarrjeve private dhe mbështetjen e zhvillimit të tyre, kryeministri i ri i Kinës tha: “Këto dy aspekte janë të palëkundshme dhe një përmbajtje e rëndësishme e sistemit ekonomik bazë të Kinës. Ato përbëjnë një një politikë afatgjatë, e cila nuk ka ndryshuar nga e kaliuara dhe nuk do ndryshojë as në të ardhmen dhe kjo është deklaruar në parimet dhe politikat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, si për shembull në punimet e Kongresit XIX dhe XX të kësaj partie dhe në mbledhjen e Komitetit Qendror të Partisë mbi punën ekonomike të mbajtur në fund të vitit 2022” dhe më tej theksoi se “Qeveria e Kinës do të vazhdojë të krijojë një mjedis biznesi të orientuar drejt tregut, të mbështetur në ligj e të ndërkombëtarizuar, dhe do t’i trajtojë të gjithë në mënyrë të barabartë. Ndërmarrjet me sisteme të ndryshme të pronësisë do të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtat e interesat e tyre do të mbrohen në përputhje me ligjin, do të promovohet konkurrenca e ndershme ndërmjet subjekteve të ndryshme dhe do të mbështetet zhvillimi dhe rritja e ndërmarrjeve private”.

VCG

Çështjet e (1) forcimit të kërkesës së tregut vendas, (2) ruajtjes, mbështetjes dhe zhvillimit te zinxhirit të furnizimit në arenën transnacionale, (3) ruajtja e ritmeve pozitive të punësimit dhe punësimi për herë të parë i të rinjve që përfundojnë studimet e larta, (4) mbrojtja e mjedisit, (5) zhvillimi urban dhe rural, etj., shikohen nga kryeministri i ri  Kinës, Li Qiang si mundësi dhe jo si kërcënime dhe kjo është një qasje moderne duke aplikuar parimet, procedurat, proceset dhe kërkesat e konceptit të menaxhimit shkencor të ekonomisë së dytë më të madhe në botë, ashtu si theksoi edhe vetë Presidenti i Kinës Xi Jinping në punimet e Kongresit të PKK, të vitit të kaluar, se Kina do drejtohet me anë të menaxhimit shkencor drejt demokratizimit të mëtejshëm të Kinës dhe hapjes së saj ndaj botës.