CMG-ja: Hetimet objektive e të drejta për shpërthimin e gazsjellësve “Nord Stream”, të domosdoshme
2023-02-24 11:54:30

Ditët e fundit, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OBK) zhvilloi debate të hapura për incidentin e shpërthimit të gazsjellësve “Nord Stream”, ku anëtarët e Këshillit shtjelluan qëndrimet e veta. Përfaqësuesi i Kinës u shpreh qartazi se zhvillimi i hetimeve objektive, të drejta e profesionale për këtë incident ka të bëjë me interesat e çdo vendi. Kina përkrah përshpejtimin e procesit hetimor për të gjetur të vërtetën.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, në gazsjellësit “Nord Stream 1” dhe “Nord Stream 2”, nëpërmjet të cilave Rusia dërgonte gaz natyror për në Gjermani, u gjetën katër pika rrjedhjeje në ujërat detare afër Suedisë e Danimarkës. Më pas, Danimarka, Gjermania dhe Suedia nisën hetime të veçanta. Por, pas pesë muajsh, ato ende nuk kanë gjetur shkaqet dhe autorët e këtyre dëmtimeve me dashje. Më 8 shkurt, gazetari i njohur hetimor amerikan Seymour Hersh deklaroi se ky ishte një operacion sekret i kryer nga CIA sipas urdhrit të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës, prishja e gazsjellësve “Nord Stream” ka sjellë ndikime të rënda negative në tregun global të energjisë dhe mjedisin ekologjik, prandaj “popujt e botës kanë të drejtën të dinë të vërtetën”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Hersh-i u shpreh në një intervistë se arsyeja pse ShBA-ja i shpërtheu gazsjellësit është frika se mos, në prag të dimrit të ftohtë, Gjermania mund të hiqte sanksionet përkatëse, duke rifilluar marrjen e gazit nga Rusia, edhe pse kjo do të sillte vështirësi në jetën e banorëve europianë, për shkak të mungesës së furnizimit me energji. Shumë analistë janë të mendimit se shpërthimi i gazsjellësve ka acaruar krizën energjetike në Europë, duke sjellë trysni të madhe mbi tregun energjetik botëror. Por, nga këto, ajo që ka përfituar shumë është ShBA-ja.

Foto:VCG

Foto:VCG

Përveç anës ekonomike, shpërthimi ka krijuar edhe katastrofë mjedisore. Sipas analizës së Programit të Mjedisit të OKB-së (UNEP), sasia e metanit të rrjedhur pas shpërthimit arriti një rekord prej 75 mijë deri 230 mijë tonësh, ndërsa aftësia e ngrohjes atmosferike e metanit është 80 herë më e lartë se e dioksidit të karbonit. Gjeologu Jeffrey Kargel nga Instituti i Shkencave Planetare i shtetit Arizona të ShBA-së u shpreh se “nëse shpërthimi është kryer enkas, ky do të ishte një krim ndaj mjedisit”.