Teknika moderne të kultivimit që japin fryte në fshatin malor
2023-01-27 16:24:43

Changkou, një fshat i vogël në  provincën lindore të Fujian, po bëhet i pasur me një sërë prodhimesh, nga portokallet te perimet tradicionale.

Rritja i shpejtë vitet  e fundit e sipërfaqes së mbjellë me portokaj, zhvillimi e turizmit dhe ruajtja  e sipërfaqes pyjore ka sjellë të ardhura për të gjithë banorët e fshatit.

Një pamje ajrore e fshatit Changkou në Sanming të provincës Fujian

Teknika moderne të kultivimit që japin fryte në fshatin malor

Kujtimet e gjendjes së rrënuar nga varfëria të vendbanimit të rrethuar nga mali - Changkou në provincën lindore të Fujian - para mijëvjeçarit të ri mbeten të freskëta për shumë fshatarë. Në fshatin e rrënuar me më shumë se 1000 banorë nuk kishte as një rrugë të asfaltuar. Nuk kishte as drita rrugore.

Tani, në kontrast të plotë, ata janë zhvendosur të gjithë në ndërtesa të reja banimi me dy ose tre kate. Të ardhurat vjetore për frymë në fshat janë rritur nga rreth 2,000 juanë në pothuajse 30,000 juanë (4,470 dollarë).

Pavarësisht ndryshimeve, malet pranë fshatit mbeten të gjelbra dhe uji është ende i pastër. Banorët e Changkou po përfitojnë gjithnjë e më shumë nga mjedisi i bukur që kanë ruajtur për dekada.

Kur mbërriti në Changkou në vitin 2017, Xu Lianghui ishte i shqetësuar nga gjendja natyrore e fshatit.

"Toka bujqësore ishte në parcela të vogla, me kallamishte aty-këtu", kujton 44-vjeçari nga Jiangxi, provinca fqinje e Fujian.

Xu vendosi të hapte një pemishte për të kultivuar portokall kërthizë në fshat. "Sa më i shkretë të jetë një vend, aq më mirë është për të mbjellë pemë portokalli, sepse kjo do të thotë se toka nuk është e ndotur",- tha ai.

Në vitin 2018 dhe 2019, Xu mbolli pemë portokalli në rreth 53 hektarë tokë që e kishte marrë me qira nga komiteti i fshatit.

Fuzhou, vendlindja e Xu, krenohet me një industri të madhe portokalli dhe vendasit atje kanë një thënie: "Nëse kultivoni një pemë portokalli për tre vjet, ajo do t'ju sjellë të ardhura për tre dekada."

Megjithatë, Xu nuk e kishte imagjinuar kurrë që pemishtja që ai filloi larg nga vendlindja e tij do të shndërrohej në një biznes që do të gjeneronte përfitime financiare për banorët e Changkou dhe shumë fshatra të tjerë aty pranë në vetëm katër vjet.

Themeluesi i kopshtit, Xu Lianghui, kujdeset për pemët e portokallit të kërthizës së tij në Changkou

Nisja e kopshtit të tij në Changkou përkoi me një program kombëtar pilot për të thelluar ruajtjen e lumit Minjiang.

Minjiang, i cili njihet si "Lumi Nënë" i Fujianit, kalon për rreth 577 kilometra në provincë dhe një degë e quajtur lumi Jinxi kalon nëpër Changkou.

Si pjesë e programit të madh, me një investim total të planifikuar prej 12.1 miliardë juanë, një projekt rehabilitimi ekologjik prej 70 milionë juanë u zhvillua në zonat afër Changkou në 2017-n.

Projekti synon jo vetëm të ruajë malet, tokën dhe ujin, por edhe të përmirësojë mjedisin e jetesës së njerëzve dhe të rrisë të ardhurat.

Përveç pyllëzimit, kontrollit të humbjeve të ujit dhe tokës, pastrimit, ndërtimit të objekteve të trajtimit të ujërave të zeza dhe peizazhit, janë bërë përpjekje për të përmirësuar infrastrukturat bujqësore.

Për shembull, qeveria ka rinovuar kanalet e ujitjes bujqësore dhe sistemet e kullimit në Changkou dhe ka shtruar rrugë të asfaltuara nëpër tokën bujqësore. Të gjitha këto lehtësira i kanë sjellë përfitime fermerit Xu, duke e shpëtuar atë nga nevoja për të investuar paratë e tij për të ndërtuar objektet e nevojshme për kopshtin.

Qeveria ka ndërtuar gjithashtu një sistem inteligjent të integruar për ujitjen dhe një sistem inteligjent monitorimi posaçërisht për kopshtin e tij.

"Unë mund ta kontrolloj sistemin e integruar në telefon",- tha ai duke buzëqeshur, duke shtuar se investimi në sistem arriti në rreth 2 milionë juanë.

I mbështetur nga interneti i gjërave dhe teknologjitë e të dhënave të mëdha, sistemi inteligjent i monitorimit mund të ndjekë dhe analizojë të gjitha procedurat në kultivimin e pemëve të portokallit dhe të ndihmojë në rregullimin e ujitjes dhe plehërimit në një mënyrë të saktë.

Falë sistemit të monitorimit, Xu ka prezantuar edhe një program adaptimi të pemës së portokallit. Klientët mund të mësojnë gjithçka që duhet të dinë për pemët, duke përfshirë ujitjen, plehërimin dhe përdorimin e pesticideve.

Xu ka prezantuar një sërë qasjesh eko-miqësore në pemishte. Për të reduktuar përdorimin e plehrave, për shembull, "plehu i gjelbër" mbillet nën portokall. "Plehu i gjelbër" u referohet bimëve me rritje të shpejtë që mbillen për të mbuluar tokën e zhveshur. Ato mund të kthejnë lëndë ushqyese të vlefshme në tokë dhe të përmirësojnë strukturën e saj pasi të jenë mbjellë ndërsa janë ende të gjelbra.

Mjedisi natyror vendas me cilësi të lartë dhe qasjet e kultivimit miqësor ndaj mjedisit nënkuptojnë që portokallet e Xu mund të shiten me çmime të larta në treg.

"Çmimi i portokallit nga pemishtja ime varion nga 10 juanë në 12 juanë për kilogram. Çmimi në treg i frutave zakonisht qëndron në 8 juanë deri në 12 juanë për kg",- tha ai.

Portokallet e tij shiten në shumë qytete të mëdha, si Shangai dhe Nanjing, kryeqendra e provincës Jiangsu. Xu tha se ai i paguan komitetit të fshatit Changkou 30,000 juanë në vit për çdo hektar tokë bujqësore që merr me qira. Ndërkohë, shumë fshatarë mund të fitojnë secili nga 40,000 deri në 60,000 juanë në vit duke punuar në kopshtin e tij.

Ai ka zgjeruar edhe kopshtet e portokalleve në disa fshatra të tjerë. Në total, pemishtet mbulojnë rreth 267 hektarë me afërsisht 220,000 pemë.

Sipas autoriteteve lokale, biznesi i Xu pritet të rrisë të ardhurat e fshatarëve lokalë dhe komiteteve të fshatit me 4 milionë juanë në vit duke filluar nga viti 2025, kur të gjitha pemët do të fillojnë të japin fruta.

Përveç 100 punonjësve me kohë të plotë, pemishtet e Xu kërkojnë rreth 700 punëtorë të përkohshëm në sezonet e vjeljes.

Përveç portokalleve, Changkou ka nisur edhe industrinë e perimeve, luleve dhe kërpudhave.

Banori i Changkou, Qiu Caili, peshon leicha, ose çaj të bluar, një specialitet lokal, duke u treguar vizitorëve historinë e fshatit në mars të vitit të kaluar

Përveç ekobujqësisë, ekoturizmi ka vazhduar të lulëzojë në Changkou, me fshatin që pranon rreth 50,000 turistë në vit.

Në vitin 2012, një kompani turistike e quajtur Yunqushan nisi një projekt rafting në fshat me një investim prej 20 milionë juanësh. Pa pasur nevojë të bënte ndonjë investim në projekt, komiteti i fshatit u bë aksioner përmes tokës së Changkou dhe mjedisit të banueshëm. Çdo vit, komiteti merr 10 për qind të arkëtimeve.

Chen Zubiao, menaxheri i përgjithshëm i Yunqushan, tha se kompania investoi 2.6 milionë juanë të tjerë në 2019-n për të zgjeruar objektet e saj pasi pa rritje të vazhdueshme në numrin e turistëve që mbërrinin.

I tërhequr gjithashtu nga mjedisi i këndshëm i fshatit, Grupi i Zhvillimit të Turizmit Fujian vendosi të nisë një program turistik në fshat në vitin 2019 me një investim total prej 600 milionë juanësh.

Sipas marrëveshjes që ka arritur fshati me kompaninë, projekti synon ta ndërtojë vendbanimin në një bazë ekoturizmi të tillë që njerëzit jo vetëm të shkojnë për vizitë, por edhe për trajtime shëndetësore.

Do të ndërtohen gjithashtu objekte për programet e edukimit mjedisor për të promovuar filozofinë se ujërat e kthjellëta dhe malet janë pasuri të paçmueshme.

Ndërsa disa fshatarë zgjedhin të punojnë për kompanitë që vijnë për të investuar në Changkou, të tjerë kanë filluar bizneset e tyre. Yang Fuchun, për shembull, filloi një vendpushim rural në shtëpinë e tij trekatëshe në vitin 2017. Më parë, ai dhe gruaja e tij mund të fitonin vetëm rreth 50,000 juanë në vit si punëtorë emigrantë, por tani biznesi u sjell atyre të ardhura vjetore prej më shumë se 100,000 juanë, tha ai për “Fujian Daily”.

Luo Peiying, një zyrtar i komitetit të fshatit Changkou, tha se banorët mund t'ia japin me qira pronat e tyre bosh komitetit të fshatit për të ndihmuar zhvillimin e turizmit. Ata jo vetëm që fitojnë të ardhura nga qiraja, por marrin dividentë nga të ardhurat operative.

Me 1,267 hektarë tokë pyjore në total, Changkou ka një shkallë mbulimi pyjor prej 92 për qind. Që nga viti 2021, kur autoritetet vendore prezantuan një mekanizëm të kreditimit të karbonit pyjor, fshatarët kanë përfituar financiarisht nga pylli që kanë ruajtur për breza. Kreditë e karbonit pyjor llogariten bazuar në sasinë e dioksidit të karbonit që kapet nga zonat pyjore të shtuara. Si instrument tregu, përdoret në shumë vende për të inkurajuar pyllëzimin.

Ndërsa Kina ecën përpara me objektivat e saj klimatike për kulmin e emetimeve të dioksidit të karbonit përpara vitit 2030 dhe arritjen e neutralitetit të karbonit përpara vitit 2060, vendi është zotuar të rrisë pyllëzimet në mënyrë që të absorbohet më shumë dioksid karboni nga atmosfera. Më 18 maj 2021, fshati mori vulën e parë të kreditit të karbonit në vend nga administrata lokale e pyjeve për 213 hektarë të tokës së tij pyjore. Një vlerësim i palëve të treta tregon se pylli thithi 12,723 tonë metrikë dioksid karboni nga viti 2016 deri në vitin 2020.