Konsullata Kineze në Los Anxhelos: Mes viktimave nga sulmi i armatosur ka edhe kinezë
2023-01-25 14:38:56

 Foto:VCG

Foto:VCG

Konsullata e Përgjithshme Kineze në Los Anxhelos konfirmoi se të paktën një shtetas kinez ishte në mesin e viktimave nga të shtënat në Monterey Park, LA, SHBA.  Ngjarja fatale ndodhi mbrëmjen e së shtunës, në “Star Ballroom Dance Studio”, një strukturë popullore vallëzimi salle, ndërsa organizohej një festë me rastin e Vitit të Ri Kinez, shkruan “CGTN”.  

Sipas autoriteteve lokale, të paktën 11 persona humbën jetën dhe 9 të tjerë u plagosën nga sulmi i armatosur. Ndërsa autori i dyshuar i gjetur i pajetë mendohet se është vetëvrarë.  

“Aktualisht është konfirmuar se një shtetas kinez është vrarë për fat të keq në incident. Ne po punojmë me departamentet përkatëse të brendshme dhe Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar në trajtimin e pasojave”, tha zëdhënësi i konsullatës në një deklaratë të postuar në faqen e saj zyrtare.  

Deklarata vuri në dukje se të shtënat masive, më fatale në SHBA që nga fillimi i vitit, ndodhën në një komunitet lokal kinez gjatë festimeve të Vitit të Ri Kinez, duke shprehur tronditje dhe keqardhje të thellë.  

Konsullata shprehu gjithashtu ngushëllime për komunitetet lokale kineze, duke përfshirë Monterey Park, një qytet me 61.000 banorë që ndodhet në skajin lindor të Los Anxhelosit me një popullsi shumicë aziatiko-amerikane. Ambasada dhe Konsullatat Kineze në Shtetet e Bashkuara kanë vendosur flamujt kinezë në gjysmë shtizë për të mbajtur zi për viktimat. (Elona)