Galaja e CMG-së tërheq 11 miliardë shikime
2023-01-23 17:38:15

Galaja e Festës së Pranverës e Grupit Mediatik të Kinës (CMG), e transmetuar të shtunën, ka tërhequr 11 miliardë shikime nëpërmjet kanaleve të tij mediatike. Mbi 50.5 për qind e shikuesve ishin të grupmoshës 15-44 vjeç. Kjo tregon se përqindja e transmetimit të drejtpërdrejtë të kësaj shfaqjeje në mediet e reja ka shënuar rekord historik.

Galaja me një histori 40-vjeçare, që në gjuhën kineze quhet “Chun Wan”, transmetohet drejtpërdrejt në televizion në çdo vigjilje të Vitit të Ri Kinez. Ajo shikohet nga miliona njerëz në shtëpi së bashku me familjet e tyre, si mënyrë e kremtimit të ardhjes së vitit të ri.

CMG-ja ka përdorur plotësisht integrimin e platformave të veta mediatike, duke shënuar rekord në përmasën e transmetimit multimediatik të galasë. Shikueshmëria e galasë në kanalet televizive të CMG-së zuri 76.2 për qind të tregut televiziv të Kinës, me një rritje 2.1 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Për sa u përket mediave të reja, ajo tërhoqi 188 milionë shikues, 56.7 për qind më shumë se një vit më parë.

Deri në orën 2 të mëngjesit të së dielës, kjo veprimtari krijoi 607 tema me më shumë kërkime në platformat e internetit dhe 51 prej tyre kanë qenë në vendin e parë të kërkimeve. Në medien sociale kineze “Weibo” pati 22 fjalë kyçe lidhur me galanë të përhapura gjerësisht ndër përdoruesit.

Edhe transmetimi ndërkombëtar i kësaj galaje shënoi rekord të ri. Ndërmjet kanaleve televizive të CGTN-it në pesë gjuhë të huaja, si edhe platformave të tij në mediet e reja në 68 gjuhë, kjo veprimtari u transmetua drejtpërdrejt në 173 vende e rajone dhe mbi 1000 institucione mediatike. Deri në orën 8 të mëngjesit të së dielës, të gjitha kanalet e internetit të CGTN-it mblodhën mbi 1 900 raporte lidhur me “Chun Wan”-in, duke tërhequr 277 milionë shikime.

Raportet e mediave të huaja mbi këtë shfaqje festive kanë pasur gjithashtu rritje të dukshme. Njoftimet për “Chun Wan”-in nga CCTV+ u përdorën dhe u transmetuan 838 herë nga 231 televizione në 56 vende e rajone, 54 për qind e të cilave nga vendet e G7-s dhe 64 për qind nga vendet e G20-s. (Wang Lei/ Artan) foto nga CMG