Ministrat e Jashtëm të Kinës dhe Afganistanit zotohen të forcojnë bashkëpunimin
2023-01-23 16:36:59

VCG

VCG

Ministri i Jashtëm kinez, Qin Gang, zhvilloi një bisedë telefonike me Amir Khan Muttaqi, ushtrues detyre i ministrit të Jashtëm të qeverisë së përkohshme afgane. Të dyja palët u zotuan të forcojnë bashkëpunimin dhe të luftojnë terrorizmin, bën të ditur “Xinhua”.  

Qin tha se Kina i kushton rëndësi të madhe sigurisë së personelit dhe institucioneve kineze në Afganistan, në kuadër edhe të Festivalit të Pranverës, duke shpresuar se pala afgane do të marrë masa të forta për të garantuar sigurinë e tyre.  

Muttaqi uroi popullin kinez për Vitin e Ri. Ai tha se Afganistani ndalon çdo forcë që të përdorë territorin e tij për aktivitete që sabotojnë miqësinë Afganistan-Kinë dhe minojnë interesat e Kinës.  

Bisedimet Kine-Afganistan (Foto Radiopakistan)

Bisedimet Kine-Afganistan (Foto Radiopakistan)

“Vendi do të luftojë me vendosmëri të gjitha format e terrorizmit dhe do të marrë masa të forta për të garantuar sigurinë e personelit dhe institucioneve kineze në Afganistan”,- shtoi ai.  

Ministri Qin tha se Kina vlerëson shumë zhvillimin e fqinjësisë së mirë, miqësisë dhe bashkëpunimit me Afganistanin dhe gjithmonë respekton pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, zgjedhjet e pavarura të bëra nga populli afgan dhe besimet e tij fetare dhe zakonet etnike. “Kina nuk ndërhyn në punët e brendshme të Afganistanit, as nuk kërkon interes personal apo sferë ndikimi në Afganistan”,- tha ai.  

Qin tha se Kina mbështet qeverinë e përkohshme afgane në ndërtimin e një strukture politike gjithëpërfshirëse dhe me bazë të gjerë, zbatimin e politikave të brendshme dhe të jashtme të moderuara dhe të shëndosha, luftimin e terrorizmit në të gjitha format e tij dhe krijimin e marrëdhënieve miqësore me të gjitha vendet, veçanërisht fqinjët.  

Kina simpatizon popullin afgan për vuajtjet e tyre dhe është e gatshme të ofrojë më shumë ndihmë për zhvillimin ekonomik dhe social të Afganistanit dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve, tha ai.  

Qeveria e përkohshme afgane i përmbahet parimit të një Kine dhe mbështet Kinën në mbrojtjen e sovranitetit të saj kombëtar dhe integritetit territorial, tha Muttaqi, duke shtuar se Afganistani e mirëpret Kinën që luan një rol më të rëndësishëm në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale dhe pret të forcojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin me Kinën. (Elona)