Shqiptarët pa viza drejt Kinës, Rama: Vendimi hyn në fuqi pas 30 ditësh
2023-01-18 10:43:52

Ambasadori me zonjen Fino (Foto Ambasadori Facebook)

Ambasadori me zonjen Fino (Foto Ambasadori Facebook)

Shqiptarët do të mund të udhëtojnë drejt Kinës pa viza. Lajmi i nënshkrimit të  marrëveshjes mes dy vendeve është shpërndarë edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar në rrjetet sociale një foto të ambasadorit të Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, dhe zv.ministres së Jashtme, Megi Fino, ndërsa ka theksuar se marrëveshja hyn në fuqi pas 30 ditësh.

“Lajm i mirë! Pas 30 ditësh Kina hapet pa viza për shqiptarët”,- shkruan Rama.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, qytetarët e Shqipërisë dhe Kinës mund të hyjnë në vendet respektive pavarësisht llojit të pasaportës që kanë. Në vitet 2018 dhe 2019, Shqipëria zbatoi një politikë pa viza për qytetarët kinezë që mbërritën në vend për vizita të shkurtra gjatë sezoneve turistike. 

Marreveshja  (Foto Ambasadori Facebook)

Marreveshja  (Foto Ambasadori Facebook)

Qeveria shqiptare, më 27 dhjetor 2022, miratoi në parim marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për heqjen reciproke të vizave. Vendimi u miratua nga Këshilli i Ministrave, si propozim i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.  (Elona)