Ministri kinez i shëndetësisë dhe kreu i OBSh-së shkëmbejnë mendime mbi parandalimin e COVID-19
2023-01-16 11:31:44

Ma Xiaowei (Foto: Visual People)

Ministri i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës, Ma Xiaowei, zhvilloi të shtunën një bisedë telefonike me drejtorin e përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke shkëmbyer pikëpamje mbi masat e tanishme të parandalimit dhe kontrollit të COVID-19.

Ma theksoi se Kina ka ndarë informacion me OBSh-në dhe vendet e tjera që nga fillimi i epidemisë, ishte e para që identifikoi patogjenin dhe ndau renditjen e tij gjenetike, si edhe krijoi një mekanizëm për shkëmbimin teknik me OBSh-në.

Që kur Kina mori nismën për të optimizuar dhe përshtatur politikën e vet të parandalimit e kontrollit të epidemisë në sfondin e gjendjes së tanishme, të dy palët kanë kryer shumë shkëmbime teknike, tha Ma, duke shtuar se Kina do të vazhdojë të mbështesë OBSh-në në luftën kundër COVID-19.

Nga ana e tij, Tedros Adhanom Ghebreyesus shprehu vlerësim për përpjekjet e Kinës për të mbajtur shkëmbime teknike afatgjata dhe për të ndarë informacion e të dhëna mbi epideminë me OBSh-në.

"OBSh-ja e vlerëson këtë takim, si edhe publikimin e informacionit mbi gjendjen e përgjithshme," tha në një deklaratë ky institucion me qendër në Gjenevë.

"Zyrtarët kinezë dhanë informacion për OBSh-në dhe në një konferencë shtypi mbi një gamë temash, duke përfshirë klinikat, shtrimin në spital, pacientët që kërkojnë trajtim urgjent e kujdes kritik, si edhe vdekjet në spital lidhur me infeksionin e COVID-19."

Të dy palët ranë dakord të vazhdojnë të forcojnë shkëmbimet teknike e bashkëpunimin mbi parandalimin dhe kontrollin e epidemisë dhe të ruajnë së bashku sigurinë shëndetësore globale. (Artan)