Aksident ajror në Nepal, dhjetëra të vdekur
2023-01-16 15:04:53

Foto: VCG

Dhjetëra njerëz kanë humbur jetën pasi një aeroplan me 72 persona në bord u rrëzua pranë një aeroporti në Nepalin qendror. Deri pasditen e së dielës, ishin rekuperuar 68 trupa të pajetë, tha për “Xinhua” zëdhënësi i Autoritetit të Aviacionit Civil të Nepalit. Trupat u gjetën në vendin e përplasjes në grykën e lumit Seti, mbi 200 metra e thellë.

Ushtarët dhe oficerët e policisë nepalezë u mobilizuan në përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Avioni ATR-72 nga “Yeti Airlines” u ngrit nga Katmandu për në Pokhara në orën 10:30 me kohën lokale dhe humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror në orën 10:50 me kohën lokale. Në bord ishin 68 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit, mes tyre 15 të huaj. Moti nuk duket një faktor në aksident. Kabineti nepalez ka shpallur zi kombëtare të hënën për viktimat dhe vendosi të formojë një komitet prej pesë anëtarësh për të hetuar shkakun e aksidentit, tha për “Xinhua” ministri për Industrinë, Tregtinë dhe Furnizimet, Abdul Khan.

Kabineti udhëzoi gjithashtu operatorët e linjave ajrore që të kontrollonin rregullisht dhe detyrimisht avionët e tyre, tha ministri. (Elona)