Prodhimet bujqësore shqiptare, të eksportuara në 78 vende të botës gjatë vitit 2022
2023-01-16 15:29:33

Foto: ATSH

Gjatë vitit 2022, eksportet bujqësore shqiptare drejt vendeve të rajonit dhe botës arritën vlerën e 55.1 miliardë lekëve duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes së tyre në bujqësi.

Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, krahasuar me një vit më parë, eksportet bujqësore u rritën në sasi me 15.6% gjatë vitit 2022 dhe në vlerë 18.1% më shumë, citon “ATSH”. Përkatësisht, eksportet bujqësore nga 360.7 mijë tonë në vitin 2021 arritën në 416.8 mijë tonë. Ndërsa në vlerë u rritën nga 450 milionë dollarë në 500.8 milionë dollarë.

Gjeografia e eksporteve bujqësore shqiptare është shtrirë në 78 shtete të botës, ku në 16 vende ka dyfishim të eksporteve. Gjithashtu, eksportet bujqësore u eksportuan edhe në 10 vende të reja.

Gjatë vitit të shkuar u krijuan ura bashkëpunimi me Francën, Italinë dhe Gjermaninë për eksportin e ullirit, vajit të ullirit, verës dhe mjaltit.

Sipas statistikave, eksportet e zarzavateve rezultuan me rritjen më të madhe në qarqet me bujqësinë më intensive në vend, si Berat, Lushnjë, Fier e Divjakë, ku sigurohet mbjellje me dy sezone. (Elona)