Kuna kroate del jashtë përdorimit pas hyrjes në fuqi të euros
2023-01-16 14:22:32

Foto: VCG

Kuna, monedha zyrtare e Kroacisë që nga viti 1994, nuk do të jetë më në qarkullim që nga e diela, duke i lënë vendin euros, si monedha e vetme ligjore në vend.

Kroacia iu bashkua Eurozonës më 1 janar dhe për të ndihmuar banorët të përshtaten me përdorimin e euros, qeveria prezantoi një periudhë dyjavore të qarkullimit të dyfishtë të të dy monedhave deri në mesnatën e 14 janarit, përcjell “Xinhua”.

Që nga futja e euros, qeveria ka marrë ankesa të shumta për rritje çmimesh, pasi disa subjekte ekonomike kanë përfituar dhe kanë rritur çmimet nën maskën e rrumbullakosjes.

Kjo ka bërë që kryeministri Andrej Plenkoviç, i cili vuri në dukje se rritje të tilla të çmimeve dëmtojnë qytetarët dhe qeverinë, caktoi 13 janarin si afatin e fundit për subjektet që të rikthenin çmimet në nivelet e fundvitit 2022 ose do të përballeshin me masat e qeverisë.

Ministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, Davor Filipoviç, deklaroi se nën presionin e qeverisë, një sërë biznesesh i kishin kthyer çmimet në nivelin e 31 dhjetorit 2022. Për të lehtësuar futjen e euros, bankat kroate kanë konvertuar automatikisht kursimet e banorëve nga kuna në euro, me kursin zyrtar të këmbimit prej 7,5345 kuna për 1 euro.

Edhe pse kuna pushoi si mjet pagese, qytetarët mund të konvertojnë monedhën e parave të gatshme në euro me një normë fikse prej 7,5345 kuna për 1 euro në bankat komerciale, Postën Kroate dhe Agjencinë Financiare përgjatë vitit 2023. Nga 1 janari 2024, kur bankat tregtare, Agjencia Financiare dhe Posta Kroate ndalojnë ofrimin e shërbimeve të tyre të këmbimit valutor, Banka Kombëtare Kroate (CNB) do të marrë përsipër punën. Nuk do të ketë asnjë kufizim kohor që “CNB”-ja të konvertojë kartëmonedhat kuna në euro, por konvertimi i monedhave kuna do të ndalet më 31 dhjetor 2025.

“CNB”-ja bëri të ditur se për shkak të këmbimit valutor, rreth 500 milionë kartëmonedha kuna dhe 5200 tonë monedha kuna do të mblidhen dhe do të dërgohen në makina për prerje dhe shkrirje.

Për mbrojtjen e mjedisit, kartëmonedhat do të copëtohen në copa më pak se një milimetër dhe do të ripërdoren si material izolues në punimet publike të ndërtimit, ndërsa monedhat e shkrira do të shërbejnë si lëndë e parë për ripërdorim. (Elona)