Revista qendrore e PKK-së do të botojë fjalimin e Xi Jinping-ut në sesionin e studimit në grup
2023-01-16 11:39:17

Foto: VCG

Një fjalim i mbajtur nga Xi Jinping-u, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), gjatë sesionit të parë të studimit në grup të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së, do të botohet të hënën.

Fjalimi i Xi Jinping-ut, gjithashtu president i Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, do të botohet në numrin e dytë të këtij viti të revistës “Qiushi”, organ qendror i Komitetit Qendror të PKK-së.

Studimi, promovimi dhe zbatimi i frymës së Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së është detyra kryesore politike për të gjithë Partinë dhe vendin tani e në të ardhmen e afërt, vuri në dukje Xi.

Ai theksoi nevojën për të përqendruar përpjekjet në studimin në mënyrë tërësore. "Vetëm nëpërmjet studimit tërësor, sistematik e të thellë mund të kemi një kuptim të gjithanshëm, të saktë e të plotë të frymës së Kongresit dhe një njohje të qartë të detyrave e qëllimeve tona dhe të mënyrave për t'i arritur ato, duke hedhur kështu një themel të fortë për zbatimin e plotë të kësaj fryme," tha ai.

"Vetëm duke gërshetuar historinë me realitetin, teorinë me praktikën dhe peizazhin ndërkombëtar me situatën e brendshme, si edhe nëpërmjet shumë reflektimeve si mbi secilin nga aspektet e saj, ashtu dhe mbi çështjen në tërësi, mund të kemi një kuptim të gjithanshëm të frymës së Kongresit, përndryshe kuptimi ynë do të jetë i njëanshëm ose sipërfaqësor," u shpreh Xi.

Ai shtoi se të gjitha rajonet e departamentet duhet t’i kthejnë planet strategjike të parashtruara nga Komiteti Qendror i PKK-së në detyra pune sipas kushteve të tyre konkrete.

Xi theksoi rëndësinë e ruajtjes së frymës luftarake, të përballimit me rreziqet e sfidat e ndryshme me guxim, duke kapërcyer vështirësitë e ndryshme, si edhe të zbatimit me vendosmëri të vendimeve dhe planeve të Komitetit Qendror të Partisë. (Artan)