Ndryshon përsëri mosha e daljes në pension, rritet edhe periudha për sigurimet
2023-01-13 15:57:14

Ky është viti i tetë që ndryshon përsëri mosha për të fituar pensionin e pleqërisë. Në vitin 2023, sipas ligjit respektiv për sigurimet shoqërore, mosha e daljes në pension për gratë është rritur me 4 muaj të tjerë, ndërsa portofolit të sigurimeve i shtohen edhe 4 muaj të tjerë, raporton “RTSH”.

Prej janarit 2023, të gjithë ata që mbushin moshën e daljes në pension këtë vit e që duan të përfitojnë pension të plotë pleqërie, do të duhet të kenë 38 vite periudhë kontributive nga 37 vite e 8 muaj që ishte një vit më parë.

Ndërsa për gratë, mosha e daljes në pension është 61 vjeç e 8 muaj. Rritja do të vijojë deri në vitin 2052, ku si për gratë edhe për burrat mosha e daljes në pension do të jetë 67 vjeç.

Formula e re përcakton një pension bazë dhe shtesën. Pensioni bazë është rreth 8800 lekë, ndërsa shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit, është 1 për qind për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara. (Irma)