Shangai synon rritjen e PBB-së në mbi 5.5 për qind në vitin 2023
2023-01-12 18:53:47

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qendra financiare e Kinës, Shangai, pret të arrijë një rritje vjetore të produktit të brendshëm bruto (PBB) prej mbi 5.5 për qind këtë vit, sipas një raporti të punës së qeverisë të dorëzuar të mërkurën nga kryetari i bashkisë së qytetit, Gong Zheng, citon “Xinhua”.

Për të dytin vit radhazi, PBB-ja e Shangait tejkaloi pragun e 4 trilionë juanëve (rreth 590 miliardë dollarë amerikanë) në vitin 2022, sipas raportit të punës së qeverisë të dorëzuar në sesionin e parë të Kongresit të 16-të Popullor Komunal të Shangait.

Shangai regjistroi shifra të investimeve të huaja në 103 miliardë dollarë amerikanë në pesë vitet e fundit, një rritje prej rreth 15.8 për qind nga pesë vitet e mëparshme.

Sektori financiar i Shangait ka dëshmuar gjithashtu rritje. Sipas raportit, tani në Shangai ndodhen 891 seli rajonale të korporatave shumëkombëshe dhe 531 qendra të huaja të kërkimit dhe zhvillimit.

Qarkullimi i kontejnerëve të Portit të Shangait tejkaloi 47.3 milionë njësi TEU në vitin 2022, duke u renditur i pari globalisht për 13 vjet rresht.

Qyteti synon të mbajë normën e papunësisë urbane të anketuar brenda 5 për qind, sipas raportit. Gong tha se Shangai synon të vazhdojë të promovojë zhvillimin e ekonomisë digjitale, industritë e gjelbra dhe me karbon të ulët, si dhe terminalet metaverse dhe inteligjente.

Metropoli kinez do të forcojë kapacitetet e qendrave financiare ndërkombëtare në alokimin e burimeve dhe do të thellojë rolet e tij si një qendër globale e menaxhimit të aseteve dhe një qendër ndërkombëtare risigurimi, thuhet në raport. (Elona)