MJK-ja shpreson që OBSh-ja do ta gjykojë shkencërisht punën e parandalimit dhe kontrollit të Kinës
2023-01-12 21:19:38

foto: VCG

foto: VCG

Kina ka qenë e hapur dhe transparente në ndarjen e të dhënave lidhur me epideminë, u shpreh në një konferencë shtypi të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin.

Duke iu përgjigur pyetjes se si do të trajtohen shqetësimet e OBSh-së dhe të disa vendeve lidhur me besueshmërinë dhe transparencën e të dhënave që publikon Kina, Wang tha se, që nga shpërthimi i COVID-19, pala kineze ka ndarë informacionet dhe të dhënat me bashkësinë ndërkombëtare në një mënyrë të hapur dhe transparente. “Ne ia raportuam përhapjen e virusit OBSh-së në rastin më të parë, përcaktuam renditjen e gjenomit të virusit dhe e publikuam menjëherë, si edhe ndamë me botën protokollet e Kinës për diagnostikimin, trajtimin dhe kontrollin, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në studimin dhe prodhimin global të vaksinave dhe barnave,”u shpreh ai.

Zëdhënësi vuri në dukje më tej se pala kineze ka qenë në komunikim të ngushtë me OBSh-në, duke pasur vetëm muajin e kaluar pesë shkëmbime teknike me të. “Dje patëm një tjetër shkëmbim teknik me selinë e OBSh-së, zyrën rajonale dhe zyrën në Kinë. Duke u bazuar në komunikimin e mëparshëm, të dy palët zhvilluan një shkëmbim të thellë mendimesh për çështje të tilla si trajtimi mjekësor, situata e COVID-19, identifikimi i shtameve të virusit dhe vaksinimi,” bëri të ditur zëdhënësi.

Më tej ai u shpreh se OBSh-ja ka deklaruar në shumë raste se informacioni dhe të dhënat që ka ndarë Kina i kanë ndihmuar shkencëtarët nga vendet e tjera të mësojnë rreth evolucionit të virusit dhe i kanë dhënë bashkësisë shkencore globale besim në reagimin e Kinës ndaj COVID-19.

“Ne dëshirojmë të theksojmë përsëri se Kina ka ndarë informacionin dhe të dhënat përkatëse në kohë, në mënyrë të hapur dhe transparente në përputhje me ligjin. Kina jo vetëm që ka mbrojtur jetën e popullit të vet në masën më të madhe të mundshme, por edhe ka shërbyer si një burim kryesor i materialeve antiepidemike për botën, duke u bërë një pjesëmarrëse e rëndësishme në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër epidemisë. Shpresojmë që OBSh-ja do ta gjykojë përgjigjen e Kinës ndaj COVID në mënyrë shkencore e racionale dhe se deklaratat e saj do të jenë objektive dhe të paanshme,” theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin. (Zhan Dian/Artan)