Kinë - Udhëtimet ndërkombëtare pritet të përshpejtohen
2023-01-12 18:15:36

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kinës ka shqyrtuar aplikimet për rifillimin e fluturimeve ndërkombëtare nga linjat ajrore kineze dhe të huaja pas optimizimit të fundit të Kinës të menaxhimit të Covid-19, deklaroi Liang Nan, drejtoresha e Departamentit të Transportit në Administratën e Aviacionit Civil, citon “China Daily”. Sipas saj, udhëtimet ndërkombëtare pritet të përshpejtohen në gjysmën e dytë të këtij viti.

“Nëse tregu rimëkëmbet mirë, numri i fluturimeve ndërkombëtare deri në fund të vitit pritet të arrijë rreth 80 për qind të nivelit para epidemisë, me rreth 7300 fluturime në javë”,- tha ajo, gjatë një konference për politikat në Pekin, organizuar nga Departamenti Ndërkombëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës për të informuar drejtuesit e biznesit ndërkombëtar mbi optimizimin e politikave të kontrollit të epidemisë së vendit.

“Linjat ajrore kineze dhe të huaja janë optimiste për rifillimin e fluturimeve ndërkombëtare, me gati 40 transportues vendas dhe jashtë shtetit që kanë dorëzuar aplikime për të planifikuar rreth 700 fluturime pasagjerësh çdo javë për dhe nga 34 vende”,- tha ajo, duke theksuar se shumica e fluturimeve janë planifikuar të rifillojnë funksionimin në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit. Administrata është duke i trajtuar aplikacionet sipas procedurës, shtoi ajo.

Ndërkohë, sipas Liang, administrata ka rifilluar pranimin e aplikimeve për fluturime ndërkombëtare të pasagjerëve çarter për të plotësuar nevojat e udhëtarëve të biznesit.

Kina gjithashtu ka ndërmarrë hapa të tjerë kohët e fundit për të promovuar udhëtimet ndërkombëtare, duke u dhënë fund masave të posaçme të kontrollit për fluturimet ndërkombëtare hyrëse; eliminoi kategorizimin e fluturimeve me rrezik të lartë si dhe një kufizim për fluturimet në 75 për qind kapacitetin e pasagjerëve; menaxhimi i mbyllur, karantinat dhe testimi i acidit nukleik nuk kërkohen më për personelin e fluturimit në hyrje.

Liang gjithashtu vuri në dukje se rifillimi i fluturimeve ndërkombëtare do të jetë më i ngadaltë se ato vendase.

“Tregu ndërkombëtar do të marrë më shumë kohë për t'u rikuperuar, duke pasur parasysh se rifillimi i fluturimeve ndërkombëtare ndikohet nga faktorë të shumtë si kërkesa e tregut, aranzhimet e kapaciteteve të transportit, koordinimi kohor dhe miratimi nga autoritetet vendase dhe të huaja të aviacionit civil”,- tha ajo.

Për më tepër, pas ndikimit të epidemisë gjatë tre viteve të fundit, do të duhet ende kohë që pasagjerët të përgatiten për të udhëtuar përsëri jashtë vendit, tha Liang.

Këtë javë, kishte 563 fluturime ndërkombëtare të planifikuara, tha ajo. Ky numër pritet të rritet në 1000 në javë deri në fund të shkurtit, dhe nga fundi i marsit, në 1300 deri në 2300 çdo javë.

Administrata do të mbajë komunikim me linjat ajrore kineze dhe të huaja për t'u siguruar që të kuptojnë politikën e përditësuar, tha Liang. (Elona)