Njësia e parë bërthamore “Hualong 1” në Kinën Perëndimore lidhet me rrjetin
2023-01-11 19:07:34

Njësia 3 e centralit bërthamor “Fangchenggang” në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang të Kinës lidhet me rrjetin, 10 janar 2023. (Foto:VCG)

Një njësi bërthamore “Hualong 1” është lidhur me rrjetin në Rajonin Autonom të Guangxi-Zhuangut të Kinës, çka hap rrugën për funksionimin komercial të saj.

Njësia 3 e centralit bërthamor “Fangchenggang”, njësia e parë që përdor teknologjinë “Hualong 1” në Kinën Perëndimore, filloi të prodhojë energji elektrike të martën në orën 8:28.

Të dy njësitë e fazës së parë të centralit bërthamor “Fangchenggang” filluan funksionimin në vitin 2016, duke prodhuar mbi 100 miliard kilovatorë (kwh) energji të pastër.

Punonjës në centralin bërthamor Fangchenggang(Foto:VCG)

Njësitë e fazës së dytë, njësitë 3 dhe 4, janë ndërtuar duke përdorur teknologjinë bërthamore të brezit të tretë të Kinës “Hualong 1”.

Prodhuesi, Grupi i Përgjithshëm i Energjisë Bërthamore i Kinës (CGN), ka planifikuar të ndërtojë gjashtë njësi bërthamore me një kapacitet mbi 100 kwh për centralin bërthamor “Fangchenggang”. Pasi të përfundojë, centrali pritet të prodhojë 48 miliard kwh energji në vit.

“Hualong 1” është një nga projektet më të përparuara të reaktorit bërthamor në botë. Ai përmban masa sigurie si aktive, ashtu dhe pasive, për të shmangur aksidentet e mundshme. Mbulesa e tij me dy shtresa mund të përballojë një tërmet me magnitudë 9.0 ballë, dhe madje edhe një përplasje ajrore.

Modeli i "Hualong 1" në ekspozitë (Foto:VCG)

Kjo teknologji ka më shumë se 700 patenta dhe 120 të drejta autori softuerësh dhe të 411 pjesët kryesore janë projektuar dhe prodhuar në vend. Jetëgjatësia e projektuar është 60 vjet dhe ka 177 bërthama reaktorësh, që do të zëvendësohen çdo 18 muaj.