Kryediplomati kinez zhvillon bisedime telefonike me homologët e vet nga Rusia, Pakistani dhe Koreja e Jugut
2023-01-10 16:54:54

Foto: VCG

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang zhvilloi të hënën bisedime të veçanta telefonike me homologun e vet rus Sergei Lavrov, atë pakistanez Bilawal Bhutto Zardari dhe koreanojugor Park Jin, njoftoi në një deklaratë Ministria e Jashtme kineze.

Në bisedën me Lavrovin, Qin Gang shprehu shpresën për nxitjen e marrëdhënieve kino-ruse, të cilat bazohen në mosangazhimin, moskundërvënien dhe mosshënjestrimin e palëve të treta.

Kryediplomati kinez u shpreh i gatshëm që, bashkë me homologun e vet rus, të punojë për zbatimin e plotë të konsensusit të arritur nga të dy krerët e shtetit.

Nën udhëheqjen strategjike të të dy krerëve të shtetit, partneriteti i gjithanshëm strategjik i koordinimit për një epokë të re Kinë-Rusi ka ruajtur nivelin e lartë të zhvillimit, shkëmbimet dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme janë thelluar dhe baza e opinionit publik për marrëdhëniet miqësore ndërmjet të dy vendeve ka vazhduar të konsolidohet, theksoi Qin.

Nga ana e tij, Lavrovi shprehu shpresën se ministritë e jashtme të të dy vendeve do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë, për të zbatuar plotësisht konsensusin e rëndësishëm të arritur nga të dy krerët e shtetit dhe për të nxitur arritjet e reja në partneritetin e gjithanshëm strategjik të koordinimit për një epokë të re Kinë-Rusi.

Të dy palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi krizën e Ukrainës dhe çështje të tjera.

Në bisedën me ministrin e Jashtëm pakistanez, Qin Gang-u tha se Kina e Pakistani kanë një miqësi "të pashoqe e unike" dhe një shkallë të lartë besimi të ndërsjellë. Shkëmbimet e nivelit të lartë midis të dy vendeve janë thelluar dhe i kanë dhënë një impuls të fortë zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Kina, theksoi Qin, është e gatshme të punojë me Pakistanin për të thelluar miqësinë tradicionale dypalëshe dhe për të ndërtuar një bashkësi me një të ardhme të përbashkët në epokën e re Kinë-Pakistan nën drejtimin e konsensusit të rëndësishëm të arritur nga udhëheqësit e të dy vendeve.

Ndërsa Zardari u zotua për ngritjen e partneritetit të bashkëpunimit strategjik në të gjitha rrethanat ndërmjet të dy vendeve në një nivel të ri.

Ndërkohë, në bisedën me homologun e vet koreanojugor, Qin theksoi që Kina dhe Koreja e Jugut janë vende fqinje dhe partnere të pandashme, duke shtuar se zhvillimi i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm i marrëdhënieve dypalëshe u shërben interesave të përbashkët të të dy vendeve.

Ministri i Jashtëm kinez tha se është i gatshëm të zbatojë së bashku me homologun koreanojugor konsensusin e rëndësishëm të arritur nga udhëheqësit e të dy vendeve.

Nga ana e tij, Park shprehu shpresën që, duke shfrytëzuar 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet tyre, Koreja e Jugut dhe Kina do të zbatojnë efektivisht konsensusin e rëndësishëm të arritur nga udhëheqësit e të dy vendeve dhe do të çelin një epokë të re të respektit të ndërsjellë dhe të bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta.

Qin shprehu shqetësimin rreth masave të përkohshme kufizuese të marra kohët e fundit ndaj njerëzve që shkojnë nga Kina në Korenë e Jugut, duke kërkuar që pala koreanojugore të mbajë një qëndrim objektiv e shkencor.

Të dy ministrat e jashtëm shkëmbyen pikëpamje edhe mbi gjendjen në Gadishullin Korean.